Gara për zëvendësimin e ish-presidentit Raisi, më shumë se 60% e iranianëve nuk votuan, çfarë ndikoi në “bojkotin” e procesit

gara per zevendesimin e ish presidentit raisi me shume se 60 e iranianeve nuk votuan cfare ndikoi ne bojkotin e procesit
gara per zevendesimin e ish presidentit raisi me shume se 60 e iranianeve nuk votuan cfare ndikoi ne bojkotin e procesit

Më shumë se 60 për qind e elektoratit të Iranit nuk votoi në zgjedhjet presidenciale të 28 qershorit, pavarësisht se ato u cilësuan si të rëndësishme, marrë parasysh rolin që presidenti i ardhshëm mund ta ketë në zgjedhjen e pasardhësit të udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Meqë asnjë kandidat nuk arriti të siguronte vota të mjaftueshme për t’i fituar zgjedhjet, rundi i dytë i votimeve do të mbahet më 5 korrik. Në garë do të jenë kandidati reformist, Masud Pezeshkian, dhe konservatori i linjës së ashpër dhe ish-negociatori për çështje bërthamore, Saeed Jalili.
Pjesëmarrja rekorde e ulët në votime pasoi thirrjet e disidentëve brenda dhe jashtë vendit për t’i bojkotuar zgjedhjet, duke argumentuar se votimet në zgjedhjet e kaluara nuk kanë sjellë asnjë ndryshim.

Pjesëmarrja në zgjedhjet në Iran është në rënie që nga viti 2020, pjesërisht për shkak të zhgënjimit nga mungesa e lirive, ekonomia e lëkundur dhe standardet në rënie të jetesës.

Duke folur për Radion Farda të REL-it, aktivistja politike iraniane me bazë në Suedi, Mahdieh Golrou, thotë se pjesëmarrja në rënie e votuesve në zgjedhjet e fundit ka qenë gjithashtu rezultat i drejtpërdrejtë i “një akti të koordinuar të mosbindjes civile”.

Më shumë se 50 aktivistë politikë në Iran dhe vende të tjera u bënë thirrje masave që ta vazhdojnë bojkotin në balotazhin e 5 korrikut.

“Çdo pjesëmarrje politike apo votë për kandidatët e zgjedhur dhe të pafuqishëm është një shaka e errët dhe e hidhur”, thanë aktivistët – përfshirë laureaten e burgosur të Nobelit, Narges Mohammadi – në një deklaratë të publikuar më 30 qershor.

Ata argumentuan se duke iu shmangur “skenarëve të manipuluar” të Republikës Islamike, publiku do ta vendoste veten në një pozicion pushteti dhe do ta lehtësonte “rënien e regjimit”.Faktori i frikës
Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, analistët i thanë Radios Evropa e Lirë se frika nga ardhja në pushtet e një presidenti tjetër të vijës së ashpër, mund t’i detyrojë disa që e bojkotuan rundin e parë, të votojnë për Pezeshkianin në balotazh.

Pezeshkian dhe mbështetës të tij në mediat sociale janë duke u bërë tashmë thirrje mbështetësve të bojkotit, që të votojnë për të.

Në një postim në X më 30 qershor, Pezeshkian shkroi se “e ardhmja e Iranit është në rrezik” dhe se vetëm pjesëmarrja e lartë e votuesve mund ta shpëtojë vendin.Megjithatë, bindja e tyre për të votuar nuk do të jetë detyrë e lehtë.

Vëzhguesit kanë dyshime për kredencialet e Pezeshkianit si reformist i vërtetë, duke vënë në pah se ai ka qenë kryesisht mbështetës i politikave të Khameneit dhe ka të ngjarë të shihet si relativisht i padëmshëm për qëllimet e establishmentit klerik.

Disa kanë thënë se Pezeshkianit do t’i duhet të paraqesë një platformë të qartë për reforma, përpara se të presë që votuesit me qëndrime opozitare, të votojnë për të.

Të tjerë kanë vënë në dukje rreziqet nga presidenca e Jalilit, duke paralajmëruar se ai mund t’i ashpërsojë rregullat për veshjen e hixhabit apo të shamisë islamike për gratë, dhe ta shtyjë Iranin në një rrugë të izolimit total global, të ngjashëm me atë në Korenë e Veriut.

Ish-ministri i Telekomunikacionit, Mohammad Javad Azari Jahromi, u zotua se iranianët “nuk do të lejojnë që Irani të bjerë në duart e talibanëve”.Duke iu drejtuar shumicës së elektoratit që shmangu kutitë e votimit, ligjvënësi pro reformave, Gholamreza Tajgardun, tha se “zërat e tyre janë dëgjuar”.

Megjithatë, ai u kërkoi atyre që të dalin në rundin e dytë “për të treguar se së bashku mund të nxisim ndryshime”.

Por, edhe nëse bojkotimi prishet, apatia e votuesve mbetet një pengesë serioze.

Disa në Iran që nuk e mbështesin bojkotimin, kanë pyetur nëse votimi ka ndonjë kuptim.

Hossein Dehbashi, një regjisor iranian i dokumentareve, pyeti në X nëse ka “ndryshim midis të keqes dhe më të keqes”, kur Qeveria është e kufizuar në atë që mund dhe nuk mund të bëjë.

Kjo është një ndjenjë që e ndajnë shumë në Iran, sipas sociologut me bazë në Francë, Saeed Peyvandi.

“Shoqëria [iraniane] nuk i pranon më lehtësisht premtimet, sepse besimi i saj është tradhtuar vazhdimisht”, thotë Peyvandi për Radion Farda të REL-it. Republika Islamike “nuk i ka kuptuar kurrë” ankesat e njerëzve, shton ai, dhe tani “besimi tek establishmenti ka rënë”./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →