Jetona Koçibelli, gazetarja dhe producentja e njohur, është emëruar drejtuesja e re e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD). Ajo ka fituar besimin e Kryeministrit Edi Rama për të udhëhequr këtë qendër të rëndësishme të vendosur në Kryeministri.
Në një deklaratë pas emërimit, Jetona Koçibelli falënderoi Kryeministrin Rama për besimin e dhënë dhe premtoi se do të angazhohet maksimalisht për të zhvilluar më tej traditën e COD-it. “Kam nderin dhe privilegjin e veçantë të marr drejtimin e @centerforopennessanddialogue. Angazhimi im është për të pasuruar dhe zgjeruar traditën e bukur të COD-it, duke ofruar hapësira dhe mundësi për të gjitha forcat krijuese që dëshirojnë të bashkohen me ne në këtë aventurë që vazhdon,” tha Koçibelli.
Qendra për Hapje dhe Dialog ndodhet në katin e parë të Kryeministrisë dhe është një iniciativë e Kryeministrit Edi Rama. Qëllimi kryesor i krijimit të COD-it ishte transformimi i një pjese të selisë së Këshillit të Ministrave në një hapësirë që shërben për qytetarët, duke promovuar mesazhe të hapjes, transparencës dhe transformimit.
COD ofron shumë më tepër se akses fizik në ndërtesën e Këshillit të Ministrave. Përmes infrastrukturës digjitale dhe punës së kuratorëve për hapjen e arkivit të Këshillit të Ministrave, qendra u ofron qytetarëve, studiuesve dhe të interesuarve akses të plotë në vendime, dokumente dhe materiale që lidhen me politikat dhe vendimet e qeverisë.
Një pjesë e rëndësishme e COD-it është Biblioteka e Kryeministrisë, e cila ka një koleksion të pasur në fushat e politikëbërjes, integrimit europian, diplomacisë dhe më gjerë. Kjo bibliotekë ofron një burim të pasur, deri më tani thuajse të paprekur, për ata që dëshirojnë të thellohen në studimin e sfidave të qeverisjes.
Përveç koleksioneve të dokumenteve dhe fotove të arkivit digjital të COD, biblioteka përmban koleksione në shkencat administrative dhe politikave publike, Bashkimi Europian dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, artin dhe urbanizimin, si dhe një koleksion të veçantë me libra, dorëshkrime, letra personale dhe dokumente të tjera të rralla.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co