Më 11 qershor 1988 u nda nga jeta Gegë Marubi, fotograf, atdhetar. Ai lindi në Shkodër në vitin 1907 në familjen e fotografit të njohur Kel Marubi.
Familja Marubi, historisë së fotografisë shqiptare i ka dhënë kontributin më të madh të mundshëm. Ata kanë kaluar nëpër duar mbi 15.000 foto, negativë, që shënojnë ngjarjet më të rëndësishme të kohës, personalitetet me rëndësi, pamje nga jeta shqiptare, veshjet, kostumet, dasmat dhe tërë jetën etnografike shqiptare. Gegë Marubi pasi u njoh me fotografinë, që fëmijë, në Dritëshkronjën Marubi, më 1923, shkoi për studime pranë shkollës së Vëllezërve Lumière në Paris. Mbas kthimit më 1927, filloi aktivitetin si fotograf bashkë me të atin.
Në fondin e fotografive të tij, realizuar në studio apo jashtë saj gjejmë pothuajse çdo element të mundshëm që kishte ndikuar në historinë e Shqipërisë. Filloi të aplikojë në Shqipëri fotografinë në teknikën infra të kuqe. Fotografia e tij ndryshon prej të atit për sa i përket mungesës së inskenimit të ngjarjes apo faktit, si edhe prej mënyrës së ndriçimit me një kontrast më të madh ku merr forcë drita anësore, disi më kinematografike. Kryesisht fotograf i studios, ai punoi me kërkesë edhe si reporter ngjarjesh të rëndësishme për vendin, si dhe si një dokumentues monumentesh e objektesh të moçme në projekte të ndryshme.
Më 1937 studioja e tij mori medaljen e artë në Fiera del Levante, në Bari. Në vitin 1952 studioja e Marubit kaloi si studio shtetërore nën Ndërmarrjen e Riparim-Shërbimeve. Në vitin 1970 Gegë Marubi i dhuroi shtetit arkivën fotografike të familjes dhe u emërua përgjegjës i saj. Në fototekë u mor me regjistrimin dhe arkivimin e fondit. La si trashëgimi në fushën e artit të fotografisë, mbi 51.000 negativë të përmasave të ndryshme në xham dhe në celuloid. Paraardhës i tij është Mikel Marubi. Më 13 mars të vitit 1940 ndërroi jetë fotografi, KelMarubi. Emri i vërtetë i tij ishte Mikel Kodheli. Ai filloi të punonte që fëmijë si ndihmës në studion e Pietro Marubit, bashkë me vëllanë e madh Matinë. Rreth vitit 1885 Kel Marubi dërgohet nga mjeshtri i tij, për rreth dy vjet të mësojë mbi fotografinë e proceset e saj në Trieste tek studioja e Guglielmo Sebastianutti-t.
Pas vdekjes së mjeshtrit (1903), ai trashëgoi studion dhe mjeshtërinë e fotografisë, e për nder të mjeshtrit mbajti edhe mbiemrin e tij. Marubi u përfshi që herët në lëvizjet për pavarësinë e vendit, gjë që shkaktoi burgosjen e tij disa herë nga autoritetet turke. Më 1908 në shtëpinë e tij u themelua klubi i parë patriotik “Gjuha Shqipe”. Më 1913, flamuri që lajmëroi pavarësinë në bashkinë e qytetit, qe qëndisur nga vajza e tij Bernardina. Studioja e tij shërbeu dhe si një vendtakim i figurave të njohura të politikës. Më 1926 emërohet fotograf zyrtar i mbretit Zog I. Kel Marubi la si trashëgimi në fushën e artit të fotografisë, mbi 34000 negativë në xham të përmasave të ndryshme. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një letër të Lasgush Poradecit dërguar Marubit me kërkesën për stampimin dhe dërgimin e disa fotove kundrejt pagesës. Po ashtu, paraqitet një fletëpalosje reklame e stabilimentit fotografik “Marubi”.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co