Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla ka folur sërish në lidhje me rastin e Faton Hajrizit. Ajo tha se bashkëpunimi me Serbinë për këtë çështje thuajse nuk ekziston.
Gërvalla u shpreh se çdo që ka ndodhur në Serbi deri tani është e mjegulluar.
“Kemi qenë këmbëngulës që trupi i personit të vrarë kushdo qoftë ai t’i kthehet familjes për tu varrosur në Kosovë. Kemi shpërndarë të gjitha informacionet në kohë me të cilat kemi mundur të pajisemi. Kemi pasur një mostër të shenjave të gishtërinjve të një personi që pas verifikimit në Kosovë është konstatuar të jenë të shtetasit Faton Hajrizi, mirëpo nuk kemi asnjë garancë që bëhet fjalë as për personin e vrarë e as për ndonjë prej pretendimeve të tjera”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka shtuar se i kanë kërkuar ndërkombëtarëve që të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
“Deri më tani gjithçka që ka ndodhur në Serbi është në mjegull. Pa dashur të paragjykojë çka ka ndodhur në Serbi sepse jam e sigurt që nuk e dimë të gjithë të vërtetën. Kemi bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike që të na ndihmojë në zbardhjen e kësaj ngjarje”, tha Gërvalla.
Gërvalla gjithashtu ka thënë se duhet pasur kujdes në raport me informacionet që shërbehen për këtë rast.
“Natyrisht që avokati i familjes do të ketë mbështetjen institucionale jo vetëm në Kosovë por edhe me misionin tonë që kemi në Beograd”, ka thënë Gërvalla. Ajo shtoi se ka rëndësi të dihet e vërteta për rastin e Hajrizit.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co