Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, është nderuar të dielën në Prishtinë me dekoratën “Dr.Ibrahim Rugova” nga Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK], për rolin e tij në çlirimin e Kosovës.
Clark ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.
Fushata e sulmeve të NATO-s, e cila ka zgjatur 11 javë, është kryer për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se emri i Clark-ut është i ngulitur në themelet e krijimit të historisë së Kosovës, dhe e ka falënderuar për mbështetjen e ofruar ndër vite.
“Në momentet më të errëta, në synimet tona për liri, vendimet tuaja na kanë dhënë shpresë dhe forcë. Udhëheqësia juaj gjatë intervenimit të NATO-s, ka qenë pikë kthese. Ajo nuk ka ndryshuar vetëm historinë tonë, por ka shpëtuar jetë të panumërta”.
Abdixhiku i ka kërkuar Clark-ut që të vazhdojë të ndihmojë Kosovën për forcim të mëtutjeshëm të lidhjeve të Kosovës me Perëndimin, sidomos me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.
Vetë Clark ka thënë se impresionohet sa herë që viziton Kosovën.
“Shpresoj që do të vazhdoni t’i forconi lidhjet me SHBA-në dhe ta shihni atë si mike të mrekullueshme. Ne jemi krenarë me ju, për përparimin që keni bërë, për shembullin që keni treguar”.
Bombardimet e NATO-s më 1999, ishin operacioni i dytë i madh luftarak i NATO-s, pas sulmeve të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë.
Megjithatë, ajo ka qenë hera e parë që NATO-ja – në historinë e saj të atëhershme 50-vjeçare – e ka përdorur forcën ushtarake pa miratimin e shprehur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
NATO-ja i ka ndërprerë sulmet pas 78 ditësh – përkatësisht më 10 qershor, 1999 – apo një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.
Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat jugosllave janë tërhoqur nga Kosova dhe është krijuar forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja. /REL/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co