Gjermania kremton përvjetorin e bashkimit të vendit, Auron Dodi tregon si po ushqehet fryma e ndasisë lindje-perëndim mes qytetarëve

gjermania kremton pervjetorin e bashkimit te vendit auron dodi tregon si po ushqehet fryma e ndasise lindje perendim mes qytetareve
gjermania kremton pervjetorin e bashkimit te vendit auron dodi tregon si po ushqehet fryma e ndasise lindje perendim mes qytetareve

Gjermania kremtoi sot përvjetorin e ribashkimit të vendit. Ky përvjetor e gjen lindjen e Gjermanisë më të ndarë politikisht nga Perëndimi, pas sukseseve të partive populiste të djathta e të majta në zgjedhjet në lindje të Gjermanisë.

Gazetari i DW, Auron Dodi ka zbuluar në një komunikim me News24 se si paraqitet situata në Gjermani dhe cila është fryma prezente mes qytetarëve gjermanë.

[embedded content]

Cila ishte fryma kryesore në ceremoninë e sivjetme për ribashkimin?

Dodi: Duhet thënë se oratorët kryesorë në ceremoni treguan kujdes, që të tregonin mirëkuptim, për veçanësinë e lindjes së Gjermanisë.

Në ceremoninë në Schwerin, kancelari socialdemokrat Olaf Scholz u shpreh që “atje ku politika mund të krijojë… kushte më të barabarta jetese, kjo duhet të ndodhë.”

Ai kujtoi se për miliona gjermanolindorë, shndërrimi radikal pas 3 tetorit 1990, ishte “çlirim dhe fillim i ri”. Por edhe “kolaps i të gjithë jetës së atëhershme”, “zhvlerësim i dijes, përvojave, kontributit në jetë.”

Këtu e sheh kancelari, edhe “një nga shkaqet”, siç u shpreh, “për atmosferën e veçantë dhe për veçanësitë politike” të Gjermanisë lindore sot. Dihet se partia ultra e djathtë, Alternativa për Gjermaninë arriti rreth 30% atje, në zgjedhjet në landet Saksoni, Tyringi dhe Brandenburg. Përballë kësaj, kancelari kujtoi se “shumica shumë e madhe e qytetarëve”” kudo në Gjermani” mbron fort rendin e lirisë.

Ceremonia për ribashkimin këtë vit u mbajt në landin Meklenburg-Forpomerani, në lindje të Gjermanisë. Çfarë veçoi kryeministrja e këtij landi në fjalën e saj?

Dodi: Kryeministrja e landit, Manuela Schwesig, tha se ka ende diskriminime “me të cilat ne nuk duhet të pajtohemi.” Këtu ajo numëroi pagat e ndryshme, asetet më të vogla dhe kompanitë më të vogla – në lindje të Gjermanisë.

Njëkohësisht kryeministrja tha se lindja e Gjermanisë mbetet e ndryshme: me pritjet që ka, me përvojat e saj, me qëndrimet dhe me planet e jetës.

Ajo kujtoi se këto dallime, janë anashkaluar shpesh,në të kaluarën. Para fjalimeve u mbajtën shërbesa fetare. Ipeshkvja protestante e landit, Kühnbaum-Schmidt, kërkoi që “zanati i demokracisë” të mësohet nga e para. Kurse ipeshkvi katolik, Koch, tha që pjesë e bashkimit është që të respektohen njerëz të tjerë, në atë që kanë ndryshe, dhe që të kërkohen kompromise.

Cila është e veçanta e këtij përvjetori ribashkimi të Gjermanisë?

Dodi: Ky përvjetor ribashkimi zhvillohet nën peshën e rezultatit të zgjedhjeve në landet lindore të Gjermanisë. Për herë të parë, ato nxorrën në pah jo vetëm ndarjen e shoqërive, në Gjermaninë lindore dhe Perëndimore. Por edhe një krisje të thellë politike, midis lindjes dhe Perëndimit të Gjermanisë. Partia ultra e djathtë AfD dhe partia populiste e majtë, Aleanca Sara Wagenknecht, arritën së bashku, pjesërisht, 50 përqind të votave në landet lindore.

Eshtë fakt se ultra e djathta AfD nuk erdhi në pushtet në asnjërin nga landet, për shkak të kordonit sanitar, refuzimit nga partitë e tjera.

Por vota që mori, tregoi se një pjesë shumë e madhe njerëzish në lindje, për herë të parë u ndje më e kuptuar nga dy parti populiste se nga partitë e tjera.

Çfarë i bën më tërheqëse dy partitë e reja populiste në Gjermani?

Dodi: Votat e njerëzve, ato i mbledhin për shkak të pakënaqësisë me politikën qendrore. Por jo vetëm për këtë.

Të dyja partitë janë përgjithësisht kundër migrantëve dhe të huajve. Kjo gjen jehonë në Gjermaninë lindore. Atje ka pak migrantë, por mungojnë edhe përvojat pozitive të bashkëjetesës me migrantët, si në Gjermaninë perëndimore.

Të dyja partitë i bashkon edhe një qëndrim më pajtues ndaj Rusisë.

Edhe kjo gjen mbështetje në lindje të Gjermanisë. Për shkak të së kaluarës së përbashkët në bllokun socialist, një pjesë e gjermanolindorëve janë më pak kritikë ndaj Rusisë. Edhe këto janë shkaqe, pse ata mbështetën partinë AfD dhe Aleancën Sara Wagenknecht.

Një studiues nga Mynihu, shkruante këto ditë, se një pjesë (ende) e madhe e gjermanëve, solidarizohet me Ukrainën e sulmuar dhe me fqinjët lindorë. Por një pjesë tjetër në rritje, nuk do ta prishi me rusët.

Si shpjegohet në fakt ky zhvillim?

Dodi: Shkaqet i përmendën oratorët, në ceremoninë e ribashkimit. Por ka edhe të tjera. I ngarkuari i qeverisë gjermane për lindjen e Gjermanisë, Carsten Schneider, vetë gjermanolindor, shkroi sivjet në raportin për Lindjen: se 35 vjet pas ribashkimit, dinamika e rritjes është përgjithësisht pozitive, megjithë dallimet ekonomike lindje-perëndim.

Shumica e njerëzve në Lindje e konsiderojnë si të mirë, situatën e tyre ekonomike.

Por nuk ndihen të kuptuar nga politika. Dhe kanë më pak besim në institucionet demokratike sesa gjermanoperëndimorët.

Një pastor nga një qytet në Brandenburg, i tha DW se “ajo që perceptoj unë, është se njerëzit kanë frikë nga ndryshimi. Ndaj “janë të hapur ndaj pozicioneve ose partive që premtojnë, se gjërat thjesht, mund të vazhdojnë si më parë”.

Pra me fjalë të tjera, njerëzit në lindje ëndërrojnë, më fort se në perëndim, një kthim në kohën para katër vjetësh. Kur jeta nuk ishte shtrenjtuar dhe në Gjermani nuk ndiheshin krizat evropiane.

Atëherë Gjermania nuk ndodhej si tani, nën presionin e madh për t‘u përshtatur si strukturë ekonomike, me botën që po ndryshon: të presionit për dekarbonizimin e ekonomisë, për digjitalizimin, të ndryshimit demografik. Dhe të konkurencës më të fortë nga sipërmarrjet nga Kina – siç i përmblodhën sfidat aktuale, institutet kryesore të ekonomisë gjermane.

Po në aspektin shoqëror, me se ushqehen ndasitë lindje-perëndim?

Dodi: Së fundi ka pasur disa përpjekje shpjeguese, që kanë ngjallur debat. Historiani i Berlinit, Ilko-Sascha Kowalczuk beson se gjermanolindorët nuk kanë problem me nocionet e lirisë dhe demokracisë – por me pasojat e tyre.

Ai tha në intervista se “këtë e shohim në pjesëmarrjen e ulët në proceset e negociatave demokratike. Shumë njerëz në Lindje ende nuk e kanë kuptuar se ne jetojmë në një shoqëri kompromisi dhe jo konsensusi”.

Kancelari Scholz tha para pak ditësh se “Shpesh ne dëgjojmë vetëm ekstremet. Por nuk ka rëndësi kush bërtet më fort. Shumica në qendër është shumë, shumë më e madhe. Njerëzit e arsyeshëm, njerëzit e denjë janë shumë, shumë më në shumicë.”

Ndaj edhe i Ngarkuari për lindjen e Gjermanisë kërkoi që të forcohet “qendra e heshtur e shoqërisë”. Me këtë ai kërkoi mbështetje për njerëzit, shoqatat dhe vullnetarët. Janë ata që sigurojnë që jeta të funksionojë normalisht, edhe në Gjermani.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →