Përpjekjet e Gjermanisë për të vlerësuar nëse është e mundshme përdorimi i vendeve të treta për dëbimin e refugjatëve afganë dhe sirianë dhe shqyrtimin e kërkesave të azilkërkuese jashtë vendit, janë kritikuar ashpër nga grupet për të drejtat e njeriut.
Kjo çështje ishte tema kryesore e bisedimeve mes kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe liderëve të 16 landeve të Gjermanisë në Berlin më 20 qershor.
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, tha gjatë një takimi të ministrave të brendshëm rajonalë në ditën e njëjtë se kanë nisur “bisedimet konkrete” dhe se ajo është “e bindur” se do të gjendet një mënyrë për t’i dëbuar emigrantët afganë dhe sirianë të dënuar për krime të rënda.
Faeser tha se vendimi do t’i prekte vetëm një numër të vogël njerëzish dhe se në rastin e shtetasve afganë, dëbimet do të kryheshin përmes vendeve të treta, si Uzbekistani.
Para takimeve, të cilat u mbajtën në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, më shumë se 300 organizata ia dërguan një letër të hapur Scholzit, në të cilën ato e kritikuan ashpër nismën.
“Ju lutem kundërshtojini qartazi planet për shqyrtim jashtë vendit të procedurave për azil”, shkruhet në letër, e cila mban nënshkrimet e Amnesty International Germany, Mjekëve pa Kufij dhe të grupit gjerman për avokim për emigrantët, Pro Asyl.
“Planet për dëbimin e refugjatëve në vendet e treta joevropiane, apo për të kryer procedurat për azil jashtë BE-së… nuk funksionojnë në praktikë, janë tejet të kushtueshme dhe përbëjnë kërcënim për sundimin e ligjit”, thuhet në letër.
Politikanë konservatorë dhe të së djathtës ekstreme i kanë rritur kritikat ndaj refugjatëve, pasi një afgan 25-vjeçar u akuzua e se theri me thikë për vdekje një oficer gjerman në fund të majit.
Gjermania e ndërpreu dëbimin e afganëve pasi talibanët e morën pushtetin në Kabul në gusht të vitit 2021.
Gjermania është gjithashtu destinacion i madh për sirianët që kërkojnë t’i ikin luftës civile në Siri dhe sundimit të liderit Bashar al-Assad. Sirianët janë grupi më i madh i refugjatëve në Gjermani, pasi qindra mijëra janë lejuar në vend prej vitit 2015.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co