Gjobat deri në 1 milion lekë për mjekët, kush preket nga dypunësimi! Ndryshimet në aktin normativ, dispozita ligjore prek bluzat e bardha të QSUT dhe 5 spitale të tjera në vend

gjobat deri ne 1 milion leke per mjeket kush preket nga dypunesimi ndryshimet ne aktin normativ dispozita ligjore prek bluzat e bardha te qsut dhe 5 spitale te tjera ne vend





































VOLTIZA DURO/ Anëtarët e Urdhrit të Mjekëve, të cilët janë punësuar në një institucion shëndetësor publik, që ka përfituar statusin e autonomisë spitalore financiare nuk mund të bëjnë kërkesë për t’u punësuar pranë një institucioni privat.

QSUT-742x450

Kështu thuhet në vendimin më të fundit të sapo hyrë në fuqi për ndryshimet në Urdhrin e Mjekëve me qëllim evitimin e abuzimeve me pacientët.

“Anëtarët e Urdhrit të Mjekëve, të cilët janë punësuar në një institucion shëndetësor publik, që ka përfituar statusin e autonomisë spitalore financiare, nuk mund të bëjnë kërkesë pranë titullarit të institucionit shëndetësor publik, ku ai është i punësuar, për t’u dypunësuar në një institucion privat”, – thuhet në aktin normativ. Kjo dispozitë ligjore prek bluzat e bardha të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza si dhe 5 spitale të tjera në vend që u është dhënë karta e Autonomisë Menaxheriale Spitalore, si spitali memorial I fierit dhe spitalet rajonalë Durrës, Vlorë, Lezhë dhe Shkodër.

AKTI NORMATIV

Në aktin e plotë për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 123/2014, “Për urdhrin e mjekëve në Republikën E Shqipërisë” përkatësisht bëhet me dije se mjeku duhet të mos punojë në sistemin shëndetësor jopublik më shumë se 30 për qind të orëve mujore, që punon në sistemin shëndetësor publik. Gjithashtu, mjeku nuk duhet t’u kërkojë pacientëve që i janë paraqitur në institucionin shëndetësor publik për trajtim dhe shërbime, në përputhje me specialitetin e tij, që t’i drejtohen institucionit shëndetësor jopublik, ku ai ushtron profesionin e tij. Në aktin normativ nënvizohen edhe kushtet dhe procedura që një mjek në një institucion shëndetësor publik mund të ushtrojë profesionin në një institucion shëndetësor jopublik.

“Një anëtar i Urdhrit të Mjekëve, që kërkon të ushtrojë profesionin e mjekut në një institucion shëndetësor jopublik, duhet t’i bëjë kërkesë titullarit të institucionit shëndetësor publik, ku ai është i punësuar. Në kuptim të këtij ligji, termi “ushtrim i profesionit të mjekut” përfshin hapjen, pjesëmarrjen, si edhe punësimin në një institucion shëndetësor jopublik. Anëtarët e Urdhrit të Mjekëve, të cilët janë punësuar në një institucion shëndetësor publik, që ka përfituar statusin e autonomisë spitalore financiare, nuk mund të bëjnë kërkesë sipas pikës 1 të këtij neni”, thuhet në ligjin e ndryshuar.

Sakaq, anëtarët e Urdhrit të Mjekëve, që mbajnë funksione drejtuese të çdo niveli në një institucion shëndetësor publik dhe në Universitetin Mjekësor Publik, nuk mund të mbajnë funksione drejtuese të çdo niveli në një institucion shëndetësor jopublik.

“Titullari i institucionit vlerëson:

a) ngarkesën e orëve, që mjeku ushtron në institucionin shëndetësor publik;

b) mbulimin e shërbimit nga personeli tjetër mjekësor në institucionin shëndetësor publik; c) mundësinë e konfliktit të interesit.

Në çdo rast, angazhimi i mjekut në institucionin shëndetësor jopublik nuk duhet të pengojë kryerjen e detyrës së tij/saj në institucionin shëndetësor publik, ose kjo veprimtari nuk duhet të kërkojë një angazhim mendor a fizik të tij/saj, që e bën të vështirë kryerjen e kësaj detyre, ose ushtrimi i kësaj detyre në institucionin shëndetësor jopublik mund të cenojë, në çfarëdo mënyre, imazhin e mjekut. Në rast se titullari vlerëson se nuk plotësohen kërkesat e pikave 5 dhe 6, të këtij neni, vendos mosmiratimin e kërkesës. Në rast se titullari vlerëson se nuk ka pengesa për pranimin e kësaj kërkese, miraton kërkesën dhe njofton ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë”, theksohet në aktin normative të sapo hyrë në fuqi.

Ministria përgjegjëse për shëndetësinë bën publikimin e të dhënave të këtij mjeku në një regjistër publik elektronik. Procedura e verifikimit dhe e shqyrtimit të kërkesës, si dhe të dhënat, që do të bëhen publike në regjistrin elektronik, formati dhe mënyra e përditësimit të tij rregullohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

PROCEDIMI DISIPLINOR

Procedimi disiplinor ushtrohet nga komisioni i disiplinës dhe komisioni i apelimit. Komisioni i disiplinës funksionon pranë Urdhrit të Mjekëve dhe realizon shqyrtimin e ankesave, hetimin administrativ dhe, në rast konstatimi të shkeljeve, cakton me vendim masat disiplinore. Vendimet e komisionit të disiplinës mund të ankimohen brenda 10 ditëve nga njoftimi i arsyetuar në komisionin e apelit, që ngrihet pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë. Përbërja, organizimi dhe funksionimi i komisionit të disiplinës dhe të komisionit të apelimit rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Komisioni disiplinor heton e gjykon në bazë të fakteve dhe provave të administruara dhe të seancës dëgjimore me anëtarin e Urdhrit të Mjekëve, ndaj të cilit mund të merret masa disiplinore.

“Kur vërtetohet se anëtari ka kryer shkelje të etikës, të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore ose ka bërë gabime teknike, ai jep këto masa: a) Vërejtje; b) Pezullim për të realizuar shërbime të caktuara mjekësore, për një periudhë nga 6 (gjashtë) muaj deri në 3 (tre) vjet; c) Pezullim të licencës së ushtrimit të profesionit të mjekut në tërësinë e saj, për një periudhë nga 6 (gjashtë) muaj deri në 5 (pesë) vjet; ç) Gjobë me vlerë nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë; d) Heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit të mjekut”, thuhet në aktin normativ.

Në këtë të fundit bëhet me dije se procedimi disiplinor fillon brenda 5 vjetëve nga momenti i kryerjes së shkeljes. Në rastin kur anëtari i Urdhrit të Mjekëve ushtron detyrën në të njëjtin institucion shëndetësor, ku ka kryer shkeljen disiplinore, procedimi disiplinor fillon menjëherë nga momenti i konstatimit të saj. Në caktimin e masave disiplinore, komisioni mban në konsideratë llojin e shkeljes, seriozitetin e saj, pasojat e ardhura, sjelljen e anëtarit të Urdhrit të Mjekëve ndaj këtyre pasojave, si edhe nëse ka pasur më parë shkelje të tjera disiplinore.

Kundër vendimit të komisionit të apelimit lejohet ankim në gjykatën administrative kompetente brenda 10 ditëve nga marrja dijeni për vendimin. Ankimi në gjykatë nuk pezullon zbatimin e vendimit të komisionit të apelimit.

“Ministri përgjegjës për shëndetësinë nxjerr udhëzimin sipas pikës 6, të nenit 8/a, të ligjit, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ. Këshilli i Ministrave miraton vendimet, sipas pikës 4, të nenit 16, të ligjit, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ. Urdhri i Mjekëve harton Kodin e ri të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ. Deri në hyrjen në fuqi të Kodit të ri të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, mbetet në fuqi Kodi aktual i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore”, thuhet në urdhrin e ndryshuar të mjekëve./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →