Gjyqi me aktoren e filmave për të rritur, Trump: Është një gjueti shtrigash për qëllime politike

gjyqi me aktoren e filmave per te rritur trump eshte nje gjueti shtrigash per qellime politike
gjyqi me aktoren e filmave per te rritur trump eshte nje gjueti shtrigash per qellime politike

Të hënën filloi gjyqi historik penal ndaj ish-Presidentit Donald Trump, nën akuzat për falsifikim e të dhënave të biznesit me qëllimin për të fshehur pagesat në këmbim të heshtjes së aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, mbi një lidhje të dyshuar jashtëmartesore me të.

Gjyqi filloi me procesin e vështirë të përzgjedhjes së jurisë.

Të hënën nuk zgjodh asnjë anëtar dhe përzgjedhja pritet të rifillojë të martën.

Zoti Trump është ish-Presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale dhe nëse dënohet, rrezikon të vuajë dënim me burg.

Gjyqi zhvillohet në një kohë që Donald Trump garon për të rimarrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Ish Presidenti është i detyruar të jetë i pranishëm gjatë seancave gjyqësore, përveç në rastet kur kërkon përjashtim, çka do të thotë se do të jetë në rolin e të pandehurit ndërsa në të njëjtën kohë bën fushatë për zgjedhjet presidenciale.
Ai i ka ndërthurur këto role përgjatë vitit të fundit duke u shfaqur para përkrahësve, në fushatë apo në mediat sociale si objektiv i hetimeve të motivuara politikisht me qëllim pengimin e kandidimiit të tij.

“Është një mashtrim. Është një gjueti shtrigash për qëllime politike. Vazhdon dhe vazhdon”, tha zoti Trump pasi la sallën e gjyqit ndërsa u ul në bankën e të pandehurve së bashku me avokatët e tij.

Zoti Trump akuzohet për fshehjen e një pagese prej 130,000 dollarësh bërë yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels, pak përpara zgjedhjeve të 2016-ës, me synimin për të siguruar heshtjen e saj lidhur me pretendimet e kësaj të fundit, për një marrëdhënie jashtëmartesore.

Prokurorët kanë përmendur gjithashtu edhe rastin e ish-modeles së revistës “Playboy”, Karen McDougal, e cila pretendon se ka patur një lidhje 10-mujore me zotin Trump në mesin e viteve 2000. Zonja McDougal është paguar me 150,000 dollarë nga kompania mëmë e tabloidit “National Enquirer”, për të siguruar eksluzivitetin në publikimin e kësaj historie, e cila gjithsesi nuk u publikua kurrë, sipas dyshimeve, me kërkesë të zotit Trump.

Ish Presidenti i ka mohuar marrëdhëniet me të dyja gratë si dhe të 34 akuzat me të cilat përballet në çështjen e Nju Jorkut, përfshirë atë se udhëzoi ish-avokatin e tij Michael Cohen, që të paguante zonjën Daniels e më pas e rimbursoi atë gjatë vitit të parë të presidencës së tij në vitin 2017. Paratë u regjistruan si rrogë mujore e shpenzime ligjore për zotin Cohen.

Secila nga akuzat mbart mundësinë e një dënimi me katër vjet burg. Pritet që zoti Trump të apelojë vendimin nëse do të shpallej fajtor.

Shpallja fajtor nuk e pengon atë të marrë detyrën, por gjysma e votuesve të pavarur dhe një në katër republikanë thonë se nuk do ta votonin nëse shpallej fajtor, sipas një sondazhi të realizuar nga agjencia e lajmeve Reuters dhe kompania e anketimeve Ipsos.

Përzgjedhja e jurisë

Dita filloi me argumentet paraprake, përfshirë mundësinë për gjobitjen e zotit Trump për shkelje të urdhërit që e ndalon atë të flasë publikisht mbi dëshmitarët e çështjes, ndërsa pasdite nisi procesi i përzgjedhjes së jurisë, ku palët do të vendosin se cili do të përgjidhet për të përcaktuar fatin ligjor të ish-Presidentit, dhe potencialisht, Presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.

96 vetë ishin sot në sallën e gjyqit në kuadër të procesit për t’u përzgjedhur në juri.

Fama e zotit Trump do ta bënte procesin e përzgjedhjes së 12 anëtarëve të jurisë dhe 6 zëvendësuesve, një detyrë të vështirë në çdo kohë, por ka të ngjarë të jetë veçanërisht sfidues tani, ndërsa zhvillohet në një vit zgjedhor, në qytetin shumë demokrat ku zoti Trump u rrit dhe mori statusin e një njeriu të famshëm disa dekada përpara se të fitonte Shtëpinë e Bardhë.

Gjykatësi Juan Merchan i thirri 96 anëtarët e mundshëm të jurisë për t’i pyetur ata nëse ishin të njëanshëm, pro apo kundër zotit Trump si edhe nëse mund të jepnin një vendim të drejtë mbi këtë çështje, pavarësisht pikëpamjeve të tyre mbi ish-Presidentitn.

Më shumë se 50 vetë, një numër i lartë jo i zakontë, ngritën duart për t’u shprehur se nuk mund të ishin të drejtë në këtë çështje, dhe për këtë u larguan menjëherë.

Nuk pritej që gjykatësi Merchan t’i pyeste ata në mënyrë të veçantë se si votuan ata në fushatat presidenciale të zotit Trump në 2016 dhe 2020.

Mes 42 pyetjeve, ai kishte planifikuar t’i pyeste anëtarët e mundshëm të jurisë se cilat janë burimet e tyre të besueshme të informimit, nëse kanë ndjekur ndonjë nga tubimet politike të zotit Trump ose tubime kundër tij, ose nëse janë pjesë e grupeve që kundërshtojnë veprimet e qeverisë federale.

Për përzgjedhjen e anëtarëve të jurisë mund të nevojiten disa ditë kohë. Gjykatësi Merchan e shtyu procesin për të martën pasi të hënën pyeti 10 anëtarë të mundshëm jurie .

Ish- Presidenti Trump e cilëson çështjen “përndjekje politike”

Zoti Trump, i cili ka shërbyer si president prej fillimit të vitit 2017 deri në janar të vitit 2021, ka kritikuar vazhdimisht proceset penale ndaj tij.

Këtë të hënë ndërsa hyri në Gjykatë ai tha se çështja përbënte “sulm ndaj Amerikës”. “Kjo është një përndjekje politike. Një përndjekje që nuk ka ndodhur kurrë më parë”, tha ai.

Rasti i Nju Jorkut është një nga katër paditë penale me të cilat përballet ish-presidenti Trump, që përfshijnë 88 akuza, të cilat ai i ka hedhur të gjitha poshtë.

Disa analistë ligjorë e shohin çështjen e parave paguar zonjës Daniels, si një nga ato që do të prodhojë më pak pasoja krahasuar me katër rastet me të cilat ai përballet.

Në dy prej padive të tjera zoti Trump akuzohet për përpjekje të paligjshme për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 që shpallte atë humbës, ndërsa në një tjetër padi ai akuzohet se mbajti në mënyrë të paligjshme me qindra dokumente sekrete në pronën në Florida e më pas refuzoi kërkesat për t’i kthyer ato.

Për të treja këto çështje nuk janë përcaktuar ende data fikse për zhvillimin e procesit gjyqësor dhe zoti Trump ka kërkuar t’i shtyjë ato deri pas zgjedhjeve të nëntorit.
Nëse ai fiton, mund të kërkojë rrëzimin e akuzave federale. Në çdo rast, nëse zoti Trump fiton zgjedhjet, nuk do të gjykohej gjatë kohës së ushtrimit të detyrës së presidentit./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →