Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij nga dritarja e banesës, është shprehur para protestuesve se goja e tij nuk do të mbyllet kurrë pa mbrojtur interesat e shqiptarëve.
Berisha u shpreh ndër të tjera se janë të mjerë ata që besojnë se mund t’i fshehin të vërtetat një kombi dhe një vendi.
“Ta dini ju se të vërtetën do e mbroj para cilitdo. E vërteta është e Zotit dhe unë nuk tërhiqem kurrë nga mbrojtja e saj”, tha ndër të tjera ish-kryeministri.
Fjala e Berishës:
Të dashur miq, përshëndes oratorët tuaj, të cilët kanë bërë avokatinë e vërtetë të procesit politik dhe zbërthimin e tij.
Por vetëm dy gjëra do u rikujtoj.
Asnjëherë, në asnjë rrethanë, në asnjë të qindtë të sekondës, nuk më ka shkuar mendja para asnjë njeriu që të hesht në mbrojtje të interesit tuaj.
Edi Rama, pasi pagoi dhe korruptoi McGonigal e të tjerë për shpalljen time non-grata, mendoi se ia arriti qëllimit.
Harroi fuqinë që ka e vërteta dhe arma e të vërtetës.
E vërteta është fuqia nukleare e një shoqërie të lirë.
Mjerë ata që besojnë se mund t’i fshehin të vërtetat një kombi dhe një vendi.
Ndaj dhe pasi mori dështimin me poshtërsitë e tij, u përpoq me mesazherë krimi, Dumanin, Krajën dhe Mellonain, të më çonin mesazhe se kjo çështje po hetohet.
Qeshja me ta. Nuk jeni asgjë tjetër veçse segmente të krimit të Edi Ramës.
Goja e Sali Berishës nuk mbyllet kurrë pa mbrojtur interesat e shqiptarëve, interesin kombëtar të shqiptarëve, interesat individuale, dinjitetin e tyre.
E kam bërë atë në emër tuaj dhe për ju sepse ndjehem miliona herë i detyruar për besimin që keni shprehur ndaj meje me vota.
E kam bërë atë t’u them ju të vërtetën dhe kurrë nuk ëndërroja se ndonjëherë do votohej për mua. Por besoja se unë duhet të mbroja detyrën time, të mbroja të vërtetat që nuk kisha mbrojtur.
Ndaj dhe me këtë motiv, motiv për të mbrojtur disa të vërteta, vendosa 34 vite më parë të kundërshtoj dhe të dal përballë regjimit më të egër, një regjimi që pushkatonte në kufi.
Ai vendim më ka shoqëruar mua gjithë jetën, nuk më ndahet mua gjer në minutën e fundit.
Ta dini ju se të vërtetën do e mbroj para cilitdo. E vërteta është e Zotit dhe unë nuk tërhiqem kurrë nga mbrojtja e saj.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co