Italia arriti të kualifikohej, për në fazën tjetër, vetëm në sekondat e fundit të lojës. Me Kroacinë që po kualifikohej falë golit të Modriç, u desh perla e Zaccanit që të çonte peshë në gëzim “zemrat” e italianëve. Një kualifikim i arritur me shumë sforco ky për kombëtaren e Spallettit, ndërkohë zhgënjim i pashmangshëm në portretet e futbollistëve kroat dhe teknikut Daliç, që panë t’u “parakalonte” përpara syve mundësia e kualifikimit.
Ndërkohë shumë e ndryshme ishte atmosfera në kampin kroat, me teknikun Daliç që nuk e fshehu zhgënjimin për atë gol të pësuar në fund dhe atakoi gjyqtarin për akordimin e 8 minutave shtesë.
“Nuk arrij ta kuptoj se përse duheshin dhënë 8 minuta shtesë. Ne jemi një vend i vogël dhe ndoshta për këtë gjë na penalizojnë. Kam vite që flas për trajtimin e bërë nga UEFA dhe FIFA, por askush smë dëgjon. Përgëzoj skuadrën time gjithsesi për kurajon e treguar dhe për faktin se e luajtën këtë sfidë me zemër”, theksoi shumë i nevrikosur tekniku kroat Daliç.
Ndërkohë më i zhgënjyeri nga kampi kroat ishte Luka Modriç, pavarësisht se nga UEFA, u votua si më i miri i ndeshjes.
“Futbolli kundër Kroacisë sot ishte i pamëshirshëm, i keq. Ashtu si ndaj Shqipërisë duke qenë se pësuam dy gola në minutat e fundit. Do të duhet të rikuperohemi, por mund të jemi krenarë për mënyrën se si mbrojtëm kombëtaren tone.
Na mungonte përqendrimi dhe mprehtësia. Në minutat e fundit të ndeshjes duhet të jemi të përqendruar maksimalisht dhe fatkeqësisht nuk ishim kurrë. As ndaj Shqipërisë nuk e meritonim të humbnim”, tha ndër të tjera Modriç duke mos fshehur pengun e tij, për 2 pikët e lëna ndaj Shqipërisë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co