BESARTA BASHA/ Gripi i shpendëve është tejet i rrezikshëm për gratë shtatzëna me një shkallë vdekshmërie prej 90%.
Studimi më i fundit nga Instituti i Kërkimeve për Fëmijët Murdoch (Mcri) në Melburn, Australi, tregon se nëntë nga dhjetë gra shtatzëna nuk i mbijetojnë gripit të shpendëve. Studiuesit në këtë institucion analizuan gjithsej 30 raste të grave shtatzëna të infektuara, 27 prej të cilave humbën jetën, ndërkohë që infeksionet njerëzore të lidhura me shpërthimet e viruseve të shpendëve po rriten globalisht.
Ekspertët theksojnë se gratë shtatzëna duhet të konsiderohen një prioritet në programet e gatishmërisë ndaj pandemisë. Ata shtojnë se me gjithë rrezikun e lartë, kjo popullatë shpesh përjashtohet nga provat e vaksinave dhe has vështirësi në aksesin në programet publike të vaksinimit.
“Një ndryshim paradigmë nevojitet për të përfshirë sistematikisht gratë shtatzëna në programet ndaj pandemisë dhe për të shmangur vdekjet”, tha një nga autorët e studimit australian, Rachael Purcell. Ndërkohë studiuesit nënvizojnë se si situata përkeqësohet nga rritja globale e infeksioneve njerëzore të shkaktuara nga viruset e shpendëve shumë patogjenë. Raporti më i fundit alarmues erdhi nga Shtetet e Bashkuara, ku rasti i parë i sëmundjes së rëndë të lidhur me gripin e shpendëve A/H5N1, u regjistrua në një pacient të shtruar në spital në shtetin e Luizianës, pasi ra në kontakt me zogj të sëmurë dhe të ngordhur në oborrin e shtëpisë. Kalifornia ka shpallur tashmë një gjendje të jashtëzakonshme kombëtare.
“Gripi i shpendëve po përparon në Shtetet e Bashkuara dhe po shqetëson gjithashtu Evropën, e cila po përpiqet me vaksina, përveç Italisë. 2025-a rrezikon të jetë vërtet viti i gripit të shpendëve”, paralajmëron Matteo Bassetti, drejtor i sëmundjeve infektive në spitalin poliklinik “San Martino” në Xhenova të Italisë. Ai më tej u bëri apel autoriteteve italiane që të organizohen dhe të jenë në gatishmëri nga përhapja e këtij virusi, që mund të fitojë aftësinë për t’u transmetuar nga njeriu te njeriu.
“Një artikull i botuar në “Science”, thotë se mungon vetëm një mutacion shumë i vogël që virusi të bëjë kërcimin përfundimtar të specieve dhe të fitojë aftësinë për t’u transmetuar nga njeriu te njeriu”, thekson mjeku italian.
REAGIMI I OBSH-SË
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) siguroi publikun se rreziku i infeksionit njerëzor nga gripi i shpendëve H5N1 mbetet i ulët për popullatën e përgjithshme, pavarësisht 76 rasteve të raportuara globalisht në vitin 2024.
Megjithatë, punëtorët e fermave dhe të tjerët që janë të ekspozuar ndaj kafshëve të infektuara, paralajmëroi Maria Van Kerkhove, drejtoresha në detyrë për menaxhimin e kërcënimeve epidemike dhe pandemike në OBSH gjatë një konference të OKB-së në Gjenevë. OBSH-ja vlerëson se rreziku i përgjithshëm për shëndetin publik mbetet i ulët, por për individët e ekspozuar profesionalisht, përfshirë punëtorët e fermave, rreziku konsiderohet i ulët deri mesatar.
/Gazeta Panorama