“Ai më kërkoi t’i tregoja nëse e kisha tradhtuar dhe nëse do ia tregoja, nuk do të më bënte asgjë”! Kështu e nis rrëfimin e saj, G. Goxhara, bashkëshortja dhe nëna e dy fëmijëve të efektivit të policisë, Erjon Goxharës, i vënë në pranga për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.
Më tej, ajo i ka rrëfyer grupit hetimor se pasi i ka pranuar tradhtinë, dhe sipas saj, kjo kishte ndodhur shumë kohë më parë dhe vetëm një herë, ai ka nisur të ushtrojë dhunë ndaj saj. Pas dhunës sistematike psikologjike dhe fizike, G., është kthyer në familjen e saj, ndërkohë që takimi i fundit mes tyre ishte në prani të nipit të Erjonit. Ky i fundit ka rrëfyer gjithçka ka dëgjuar në atë takim, ndërsa i ka thënë policisë se Erjoni donte të vriste veten.
Goxhara ka dalë dje para Gjykatës së Tiranës ku është njohur me masën e sigurisë. Ai u la në burg nën akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë, ndërkohë që ende nuk ka dalë ekspertimi shkencor, thotë prokuroria, për të vërtetuar nëse polici përdori armën e shërbimit për të qëlluar shefin e zyrës ku punonte bashkëshortja e tij.
GRUAJA E POLICIT
Gjatë dëshmisë gruaja ka pranuar se ka pasur vetëm një herë raport intim vite më parë me Lorenc Kostën dhe pas këtij momenti, kontaktet me këtë të fundit kanë qenë vetëm për çështje pune.
Gruaja ka treguar se nga janari 2024, Erjoni ka shfaqur shenja xhelozie, “duke u fiksuar që mund ta tradhtonte e më pas presion psikologjik deri dhe dhunë fizike”, ndërsa një javë para se ta qëllonte me 6 plumba afër banesës së tij te “Komuna e Parisit”, ai e ka kërcënuar me jetë.
“Në fillim të muajit korrik, pas presionit të vazhdueshëm dhe dhunës fizike të ushtruar nga ana e Erjonit, unë i kam pranuar që e kisha tradhtuar vetëm 1 herë, vite më parë. Fillimisht Erjoni më ka thënë që t’i tregoj se do mi falë të gjitha, por pasi unë i kam treguar në lidhje me flirtin e hershëm me shtetasin Lorenc Kosta, ai është bërë keq dhe më ka ofenduar, sharë dhe ushtruar dhunë fizike ndaj meje. Një javë pas këtij konflikti, Erjoni, nga telefoni im ka komunikuar me Lorencin dhe e ka kërcënuar me jetë”, – mësohet të ketë thënë ajo.
Edhe djali ka pranuar se dy prindërit prej një muaji kanë pasur debate dhe mosmarrëveshje. Djali i çiftit ishte i pari që Ejron Goxhara mori në telefon pas plagosjes dhe me të cilin pasi shkoi në këmbë deri pranë Shkozës, shkuan me taksi në zonën e Thesarit pranë Dajtit, aty ku mundi t’u largohej me vrap dy kolegëve që e panë dhe i kërkuan të ndalojë. Në dëshminë dhënë në polici, djali tregon se ka shkuar më tej në drejtori për të folur me hetuesit i shoqëruar nga daja i tij, edhe ai efektiv policie.
NIPI I ERJONIT DHE KOLEGU I KOSTËS
Ndërsa nipi i Erjon Goxharës pranon se daja i tij ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe “shpeshherë tregonte se do vriste veten”. Ai ka pranuar se dhe nusja e dajës së tij ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe e tronditur.
“Pasi ka mësuar tradhtinë, ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe shpeshherë tregonte se do vriste veten. Më 19 gusht, në prezencën time teksa pinin kafe në një lokal, Erjoni ka kërkuar që bashkëshortja t’i kërkonte falje, por që nuk ka ndodhur. Ai ka tentuar ta godasë, por unë nuk e lejova. E shoqërova gruan e Erjonit për në banesë, ndërkohë që ajo godiste veten me grushte në fytyrë”. Në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale është pyetur dhe kolegu i Lorenc Kostës. Ai ka thënë se rreth orës 13:55 shtetasi Lorenc Kosta e kishte telefonuar duke i thënë që më qëlluan poshtë shtëpisë. Pasi ka shkuar në vend E.R e ka pyetur si është ndërsa Lorenci i ka thënë se e ka ndaluar shtetasi Erjon Goxhara, i ka thënë që do sqaronte diçka e më pas e ka plagosur me armë.
KUNATI
Marsel S., kunati i efektivit Erjoin Goxhara, i cili është në burg ka dëshmuar në polici se ky i fundit i ka dërguar një video pak pas ngjarjes. Pasi e qëlloi 6 herë me armë zjarri Lorenc Kostën, ai e filmoi të shtrirë në tokë dhe të gjakosur dhe më pas videon ia dërgoi kunatit të tij. “Nga deklarimi i shtetasit Marsel S., ndër të tjera ai sqaron se autori i dyshuar, shtetasi Erjon Goxhara, në orën 14:34 në aplikacionin ‘Whatsapp’ i ka dërguar një video ku shfaqej një person i shtrirë në tokë dhe i gjakosur, ndërsa në orën 15:00 shtetasi Marsel Seferi i ka kthyer mesazh: ç`a është kjo se s`po e kuptoj’. Nga ana jonë u këqyr telefoni i shtetasit Marsel Seferi ku videoja u ruajt në CD për t’iu bashkëlidhur procesverbalit përkatës”, – theksohet në dosje./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co