Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi takimin përmbyllës me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Anke Weber, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë.
Sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, në fokus të takimit ishte analiza e situatës më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, projeksionet për të ardhmen, si dhe diskutimi mbi politikat e ndjekura.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko vlerësoi se trendet e zhvillimit ekonomik dhe financiar të vendit kanë qenë dhe mbeten pozitive, edhe përballë një ambienti botëror sfidues. Po ashtu, Guvernatori theksoi se përditësimi i parashikimeve sugjeron se momenti pozitiv i zhvillimit të ekonomisë do të vijojë edhe në të ardhmen.
Guvernatori diskutoi lidhur me qëndrueshmërinë e sektorit bankar, i cili paraqet tregues të stabilizuar apo në përmirësim të kapitalit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë. Ai u shpreh se ky sektor ka vijuar të ofrojë fondet e nevojshme për rritjen e konsumit dhe të investimeve, duke u kujdesur – në të njëjtën kohë – të ruajë dhe kursimet e familjeve shqiptare.
Në vijim, ai shtoi se normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare gjatë periudhës 2022 – 2023 bëri të mundur reduktimin e presioneve inflacioniste, pa dëmtuar perspektivat afatmesme të rritjes ekonomike.
Nga ana e saj, shefja e Misionit të FMN-së konfirmoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur një ndikim pozitiv në ruajtjen e ekuilibrave monetarë e financiarë të vendit.
Më tej, Guvernatori Sejko theksoi se rënia e inflacionit në tremujorin e dytë 2024 ishte relativisht e shpejtë, e diktuar nga rritja e ofertës së artikujve ushqimorë në tregjet rajonale dhe në tregun vendas, ndaj Banka e Shqipërisë vlerësoi se lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare pritet të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve.
Shefja e Misionit të FMN-së u shpreh se ky qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm dhe konsistent me respektimin e objektivit kryesor të Bankës së Shqipërisë: garantimin e stabilitetit të çmimeve në vend. Gjithashtu, ajo nënvizoi se politika monetare duhet të vijojë të mbetet fleksibile, duke u udhëhequr në vazhdimësi nga informacioni i ri mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend.
Zj. Weber shtoi se progresi i mëtejshëm i reformave financiare të ndërmarra në vite do të sofistikojë më tej strukturën mbikëqyrëse dhe rregullatore, duke nxitur zhvillimin e tregjeve financiare, duke fuqizuar mbrojtjen e konsumatorit, si dhe duke garantuar mbrojtjen e sistemit bankar. Megjithatë, ajo theksoi se moscënimi i pavarësisë së institucionit të Bankës së Shqipërisë mbetet në çdo rast një parakusht esencial për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të stabilitetit financiar të vendit.
Së fundmi, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë është e angazhuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit bankar, nëpërmjet garantimit të një rregullimi dhe mbikëqyrjeje të kujdesshme të tij, nxitjen e formalizimit dhe rritjen e shkallës së edukimit dhe të përfshirjes financiare, dhe mbështetjen e integrimit evropian e ndjekjen me rigorozitet të reformave që imponon ky proces.
Në një këndvështrim më afatgjatë, Banka e Shqipërisë gjykon se forcimi i ritmit të zhvillimit të vendit dhe i qëndrueshmërisë së tij kërkon vazhdimin e reformave strukturore.
Të dy palët theksuan rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të situatës ekonomike dhe financiare, si dhe të koordinimit të kujdesshëm të politikave nga autoritetet shqiptare, duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur./Monitor
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co