Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke paraqitur raportin vjetor në Kuvend, tha se politika fiskale ruajti një kah konsolidues. Sejko tha se në aspektin makro-ekonomik, rritja ekonomike pasqyroi bilancet e shëndosha financiare të biznesit privat, inflacionin në rënie, tregun e fortë të punës, si dhe rritjen e shpejtë të të ardhurave nga turizmi.
Duke iu referuar nivelit të inflacionit në 2023, Sejko tha se në fillim të vitit ishte 7.4 %, ndërsa viti u mbyll me 4 %. Në vijim, Guvernatori Sejko u shpreh se aktualisht inflacioni llogaritet mes 2.1-2.3 %.
Rënia e inflacionit, ndihmoi vlerën e ruatjes së të ardhurave, si dhe ndihmoi në ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik të vendit, tha Sejko, duke shtuar se paralelisht në vitin 2023, tha se borxhi i huaj zbriti poshtë nivelit 50 % të PPP.
Sejko gjithashtu evidentoi reduktimin e deficitit të llogarisë korente 0.9 % të PPP, si dhe rritjen e nivelit të rezervave valutore.
Ai tha se eksportet përgjatë vitit 2023 u rritën me 1.7 mld euro.
[embedded content]
“Paralelisht me të, viti 2023 shënoi përmirësime edhe në ekuilibrat e tjerë të brendshëm e të jashtëm të ekonomisë sonë. Ndër ta, gjej me vend të veçoj:
së pari, përmirësimin e pozicionit të huaj të vendit, të pasqyruar në një rënie të shpejtë të deficitit të llogarisë korrente. Ky deficit zbriti në nivelin 0.9% të PBB-së gjatë vitit 2023, duke shënuar një minimum historik të periudhës post-tranzicion. Po ashtu, borxhi i huaj zbriti poshtë nivelit 50% të PBB-së, ndërsa niveli i rezervave valutore të Bankës së Shqipërisë regjistroi rritje, duke përmirësuar aftësinë tonë për t’iu përgjigjur goditjeve të brendshme dhe të huaja. Këto përmirësime u diktuan nga rritja me 1.7 miliardë euro e eksporteve shqiptare gjatë vitit të shkuar, si dhe nga rritja e mëtejshme e investimeve të huaja direkte, të cilat arritën një rekord të ri historik prej 1.1 miliardë eurosh;
së dyti, përmirësimin e pozicioni fiskal të vendit, të pasqyruar në reduktimin në nivelet minimale të më shumë se një dekade të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, respektivisht në 1.4% dhe 58.9% të PBB-së. Reduktimi i borxhit publik rrit hapësirat fiskale për reagim ndaj goditjeve potenciale në të ardhmen, si dhe ul primet e rrezikut dhe kostot e financimit të të gjithë operatorëve të ekonomisë;
dhe së treti, qëndrueshmërinë e sektorit bankar, të pasqyruar në përmirësimin e treguesve të kapitalizimit, të përfitueshmërisë, si dhe të cilësisë së portofolit të kredive, me treguesin e kredive me probleme në nivelin 4.8%. Këto trende pozitive i mundësojnë sektorit bankar të furnizojë – me eficiencë dhe në vazhdimësi – ekonominë me fonde financiare dhe instrumente pagese e kursimesh.
Në një perspektivë më të gjatë kohore, ekonomia shqiptare ka shfaqur një shkallë të admirueshme rezistence e fleksibiliteti përballë sfidave madhore të viteve të fundit. Ndër të tjera, ky fakt gjeti pasqyrim në përmirësimin e renditjes së rrezikut të borxhit publik të vendit nga agjencitë e huaja të vlerësimit, tashmë në BB-, sipas agjencisë “Standard & Poors”, si dhe në rritjen e interesit për të investuar në Shqipëri, si në ekonominë reale dhe në tregun financiar”, tha Sejko.
Politika monetare dhe stabiliteti i çmimeve
Guvernatori Sejko u shpreh se politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka vijuar të jetë e orientuar nga përmbushja e objektivit tonë ligjor: arritjes dhe ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Në këtë kontekst, ai theksoi se nivelet ende të larta dhe mbi objektiv të inflacionit diktuan vijimin e një politike monetare normalizuese gjatë vitit 2023.
“Megjithatë, ne jemi përpjekur të ndjekim një politikë monetare sa më fleksibël, duke synuar të mos dëmtojmë trendet pozitive të zhvillimit të vendit, si dhe duke u kujdesur ta harmonizojmë atë me zhvillimet financiare dhe kahun e politikës fiskale. Sa më sipër, dëshiroj të bëj dy konstatime të rëndësishme.
Së pari, ritmi i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare u ngadalësua gjatë vitit 2023.
Gjatë këtij viti, ne kryem vetëm dy rritje të normës bazë, me një efekt kumulativ prej 0.5 pikësh përqindjeje.
Ky ngadalësim pasqyroi forcimin e kursit të këmbimit dhe kahun konsolidues të politikës fiskale. Më konkretisht, mbiçmimi i shpejtë i Lekut ndihmoi në zbutjen e presioneve të huaja, ndërsa konsolidimi fiskal ndihmoi në frenimin e presioneve të brendshme inflacioniste.
Në veçanti, forcimi i Lekut ka qenë dhe vijon të jetë një nga zhvillimet më të spikatura ekonomike të kësaj periudhe. Duke pasur një ndikim tërësor pozitiv në ekonomi, ai kontribuoi në kontrollin e inflacionit, duke rritur fuqinë blerëse të familjeve shqiptare, si dhe mundësoi një normalizim më gradual të qëndrimit të politikës sonë monetare, duke mbajtur të ulëta kostot e financimit të bizneseve. Rrjedhimisht, Shqipëria pati njëkohësisht një nga normat më të larta të rritjes ekonomike, normën më të ulët të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit, ndër vendet e rajonit.
Së dyti, rritja e normës bazë solli një rritje të përgjithshme të nivelit të normave të interesit në vend, por kushtet e përgjithshme të financimit mbetën stimuluese.
Në përgjigje të tyre, si dhe të përqasjes pozitive të bankave, portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi një rritje të shpejtë e të qëndrueshme gjatë vitit 2023, duke arritur së fundmi nivelin 14%. Rritja e kreditimit kishte disa tipare pozitive: kredia e re kishte një bazë të gjerë sektoriale; ajo ishte e përqendruar në monedhën tonë kombëtar, pati një orientim në rritje drejt financimit të investimeve, si dhe nuk dëmtoi cilësinë e përgjithshme të portofolit. Të tre këto tipare kanë vijuar dhe janë forcuar më tej gjatë vitit 2024.
Falë këtij reagimi, inflacioni dhe pritjet për të qëndrojnë tashmë pranë objektivit tonë prej 3%, ndërkohë që parashikimet për të ardhmen janë pozitive”, tha Guvernatori.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co