Hakerët iranianë ndërhynë në transmetimin televiziv në Emirate

hakeret iraniane nderhyne ne transmetimin televiziv ne emirate
hakeret iraniane nderhyne ne transmetimin televiziv ne emirate

Hakerë të mbështetur nga shteti iranian ndërprenë transmetimin televiziv në Emiratet e Bashkuara Arabe për të transmetuar një lajm të rremë në lidhje me luftën Izrael-Hamas, njoftoi kompania Microsoft. Hakerët e drejtuar nga Garda Revolucionare e Iranit ndërhynë në platformat në internet në Emiratet e Bashkuara dhe transmetuan në dhjetor një emision lajmesh të prodhuar me inteligjencën artificiale. Spikeri i rremë i lajmeve tregoi foto të pavërtetuara që tha se tregonin palestinezë të plagosur dhe të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë.

Një mesazh që pasoi për kanalet e sulmuara thoshte se “nuk patëm zgjidhje tjetër, përveç se të bënim pirateri kibernetike për t’jua dhënë këtë mesazh”, njoftoi gazeta me seli në Dubai, “Khaleej Times”. “Ky shënon operacionin e parë të influencës së Iranit kur Microsoft-i ka pikasur se inteligjenca artificiale ka luajtur një rol kyç në mesazhin e dhënë dhe është një shembull i zgjerimit të shpejtë dhe domethënës të operacioneve iraniane, që nga fillimi i konfliktit Izrael-Hamas”, thuhet në një mesazh të publikuar nga kompania Microsoft. Ministria e Jashtme e Iranit nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës nëpërmjet së cilës u kërkuan komentet e tyre. Duke kaluar përtej Emirateve të Bashkuara Arabe, efektet e ndërhyrjes u ndjenë deri tek audiencat në Britani dhe Kanada, tha kompania Microsoft.

Këto incidente nënvizojnë përpjekjet më të gjera të Teheranit për të influencuar opinionin publik, tha kompania Microsoft. Me një kombinim sulmesh kibernetike dhe fushatash propagandistike, qeveria iraniane është përpjekur ta dobësojë Izraelin dhe të ndihmojë Hamasin që nga 7 tetori kur Hamasi filloi sulmin ndaj Izraelit jugor, thuhet në raport. “Puna e Iranit në mbështetje të Hamasit duket se i shërben imazhit të influencës në skenën globale, si dhe duke ndikuar më konkretisht”, thuhet në raportin e kompanisë Microsoft. Kompania Microsoft paralajmëroi se Teherani mund të përdorë inteligjencën artificiale për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të këtij viti. Në vitin 2020, Irani bëri disa operacione kibernetike që synuan të shkaktonin dhunë ndaj zyrtarëve amerikanë dhe të përçanin votuesit.

Incidentet e identifikuara nga Microsoft-i nxjerrin në pah gjithashtu shqetësimet më të gjera të ekspertëve të teknologjisë, se si inteligjenca artificiale mund të përdoret për të shumëfishuar përhapjen e dezinformimit. Pamjet e rreme të prodhuara me inteligjencën artificiale kanë kopjuar imazhin e spikereve të ndryshme të lajmeve – përfshirë disa nga Zëri i Amerikës – si një mënyrë për të përhapur histori false dhe për të mbjellë mungesë besimi tek lajmet, thonë analistët./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →