Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kjo parti ende nuk ka vendosur se kush do jetë kandidat për kryeministër të Kosovës, nëse shkohet në zgjedhje të reja.
Haradinaj i pyetur nga KosovaPress lidhur me këtë çështje, ka thënë se duhet të shkarkohet qeveria Kurti, por se sipas tij ka rëndësi procesi që çon në zgjedhje dhe jo data, siç ka deklaruar kryetari nga Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi.
Para gazetarëve, Haradinaj ka thënë se PDK-ja është duke ja plotësuar kërkesën Kurtit, duke shtuar se mund të kenë koalicion mes vete për mënyrën si të ecet përpara për zgjedhje.
“Nuk e kemi përcaktuar ende, por do ta shohim dhe do ju njoftojmë me kohë… Po duhet të shkarkohet qeveria, mënyra se si shkojmë në zgjedhje ka rendësi. Po dëgjoj (kryetarin e PDK-së), Memli Krasniqi po i propozon data Kurtit, ne së pari duhet të definojmë mënyrën si shkojmë në zgjedhje. Data pëson pas procesit, e cili proces na qon zgjedhje ka rendësi. Duhet të shkarkohet qeveria Kurti. Pra para se të flasim për datë, duhet të flasim për mënyrën si shkojmë në zgjedhe”, deklaroi Haradinaj.
Ndërsa i pyetur nëse do e përkrahin mocionin për shpërbërje të kuvendit nëse ju kërkohet, ai ka thënë se kanë mocion për shkarkim të qeverisë Kurti, porse nëse shkohet drejt në shpërbërje të kuvendit, është agjenda e kryeministrit Kurti.
“Ne kemi mocion për shkarkim të qeverisë kështu është radha e punëve. Nëse shkojmë drejt në shpërbërje të kuvendit që i kërkon dy e treta, është kryesisht agjenda e Kurtit kjo. Që i bjen PDK-ja po ja plotëson kërkesën Kurtit, ose kanë koalicion me Kurtin për mënyrën si të ecën përpara për zgjedhje”, tha Haradinaj.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co