Si ish-prokurore dhe si një grua që mbështet viktimat e seksizmit, Kamala Harris nisi një sulm të ashpër ndaj Donald Trump. Në paraqitjen e saj të parë si kandidate e mundshme për presidente, Harris sulmoi kundërshtarin e saj, duke theksuar se ai ishte dënuar për një sërë krimesh të rënda, duke përfshirë sulmin seksual ndaj një gazetareje dhe autores Elizabeth Jean Carroll. Nga ana tjetër, vetë Kamala Harris ishte një kryeprokurore për një kohë të gjatë në shtetin e Kalifornisë.
Madje, pak kohë pas këtij fjalimi, nga mediat amerikane u bë e ditur se Kamala Harris arriti të plotësonte numrin e nevojshëm të votuesve për të marrë nominimin e demokratëve për zgjedhjet e nëntorit. Deri më 7 gusht, kandidati demokrat për president do të jetë zgjedhur. Ndërkohë, kryetari i Komitetit Kombëtar Demokratik (DNC), Jamie Harrison, tha dje të hënën se fraksioni do të ketë vendosur për kandidatin e tij ose të saj për presidencë më 7 gusht, duke shtuar se angazhohet që procesi të jetë “i hapur” dhe “i drejtë”.
“Kur shpalla kandidaturën time thashë se doja ta fitoja. Sot jam krenar që kam siguruar mbështetjen e gjerë të nevojshme për t’u bërë kandidati demokrat. Pres që së shpejti ta pranoj zyrtarisht këtë kandidaturë”, tha Kamala Harris. Në të njëjtin fjalim në Delaware, ndërhyri dhe Joe Biden, në daljen e tij të parë publike pas infektimit me koronavirus. Presidenti amerikan deklaroi se do të vazhdonte të punonte dhe për nominimin e Harris. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se “Trump mbetet një rrezik”, ndërsa premtoi gjithashtu një turne për të mbështetur zëvendëspresidenten e tij.
Vetë Kamala Harris nuk e përdor diferencën në moshë me Trump si argument në favor të saj. Në fjalimin e mbajtur në Delaware, selia e stafit të fushatës që ajo “trashëgon” nga Joe Biden, Harris u fokusua në dosjen e rëndë kriminale të rivalit të saj. Trump u dënua së fundmi për 34 krime të ndryshme në rastin e Stormy Daniels. Në përpjekjen e tij për të shlyer heshtjen e yllit të pornos për marrëdhënien e tyre të papërshtatshme, Trump akuzohet se kreu disa paligjshmëri, të llojit financiar dhe tatimor. Në të njëjtën kohë, ndaj Trump janë në pritje të paktën edhe tre akuza të tjera, veçanërisht të rënda, për komplot, ndërhyrje në rezultatet e zgjedhjeve, etj.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co