Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç ka reaguar në lidhje me heqjen e banderolave nga qeveria e Kosovës, ku dukeshin fotografitë e presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit serb Alaksandër Vuçiç.
Vuçiç tha se veprime të tilla rrezikojnë serbët në Kosovë, referuar edhe ndalimit të dinarit të Serbisë në Kosovë.
Ai ka shtuar se “Kurti do të ketë një milion ide për të vërtetuar se ka diçka që në fakt nuk e ka, e që është shtetësia”.
“Kurti do të ketë një milion ide për të theksuar diçka që nuk e ka e që është shtetësia. Ideja e tij është të kalojë në përshkallëzime të reja”, ka pretenduar Daçiçi në televizionin në shërbim të pushtetit serb “TV Pink”.
Ai ka pretenduar se, “ashtu si dikush që ka nevojë për prova sepse të gjithë e dinë se është e kundërta, edhe Kosova dëshiron të shkruajë kudo Republika e Kosovës”.
“Edhe në fletëvotime kanë shkruar Republika e Kosovës për të vërtetuar se kanë shtet. Problemi është se bashkësia ndërkombëtare e toleron këtë dhe thotë se nuk mund t’i bëjnë presion Kurtit. Epo, ata nuk mund të bëjnë asgjë”, është ankuar shërbëtori i vogël dhe më pas edhe trashëgimtari i kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviç në krye të partisë së tij famëkeqe.
Ai gjithashtu ka pretenduar se “situata në lidhje me Kosovën është e turbullt”, si dhe se “ata duhet të kenë një politikë shtetërore që do të bazohet në ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”.
“Ne kemi nevojë për një politikë të mençur që do të bazohet në faktin se ne nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës dhe nuk “do të lejojmë” anëtarësimin e saj në OKB, dhe në anën tjetër të kemi një politikë të mençur për t’i arritur të gjitha këto pa dëmtuar interesat kombëtare dhe unë mendoj se kjo është politika që do të udhëheqë qeveria jonë e ardhshme”, ka pretenduar Daçiç.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co