Drejtoria Rajonale e IKMT-së Berat është duke ushtruar prej disa ditësh kontrolle në të gjithë territorin e qarkut të Beratit, mbi subjektet që ushtrojnë aktivitetin e shitjes dhe çmontimit të mjeteve në fund të jetës.
Këto kontrolle kanë filluar në zbatim të Urdhrit Nr.44 të datës 16.02.2024 të Ministrit të Brendshëm, për largimin e mjeteve motorike të dala jashtë funksionit nga pikat e tregtimit të pjesëve të këmbimit. Inspektorët e IKMT-së Berat, janë duke kontrolluar të gjitha pikat ku tregtohen pjesë këmbimi të përdorura automjetesh, në të gjithë qarkun e Beratit. Kontrollet e këtij inspektoriati po kryhen në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Berat.
Fillimisht subjekteve ju është komunikuar ti heqin vullnetarisht automjetet e shkatërruara nga ambientet e jashtme të bizneseve të tyre, duke mbajtur për tregtim vetëm pjesët e automjeteve të dëmtuara.
Burime pranë Drejtorisë Rajonale të IKMT-së Berat kanë konfirmuar se rreth 80% e këtyre subjekteve i janë përgjigjur këtij urdhri, duke i hequr vullnetarisht mjetet e shkatërruara nga ambientet e jashtme të bizneseve të tyre, ndërkohë që në të tjera subjekte mjetet janë hequr nga policia dhe IKMT-ja me vinça e mjete transporti.
Të njëjtat burime konfirmojnë se ndaj subjekteve që nuk i janë bindur këtij urdhri janë vendosur edhe masa administrative, por shifrat dhe masat ndaj subjekteve do të bëhen të ditura në përfundim të këtij aksioni.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co