Nesër në Varshavë, Ançeloti (Real Madrid) dhe Gasperini (Atalanta), dy miq të ngushtë do të përballen për herë të parë mes tyre si trajnerë.
Teksa historia e vjetër mes tyre na tregon se ata kanë pasur dhe një përballje të vetme kur ishin ende lojtarë, me Ançelotin që luante në Milanin e Sakit dhe Gasperini me Peskarën. Historia vijon më poshtë… Ishte ftohtë. Si normalisht në një pasdite shkurti në Milano. Më saktë 26 shkurt 1989 në Milano. Para ndeshjes, ajo që ra në sy ishte një banderolë e madhe e vendosur në zonën e tifozëve ultras të Milanit, ajo që njihet si “Curva Sud”. mesazhi ishte i qartë: “Saki nuk preket”.
Kështu lindi ndeshja e Serisë A mes kampionëve në fuqi dhe Peskarës. Ky është dueli i vetëm në fushë mes Karlo Ançelotit dhe Xhan Piero Gasperinit, aktualisht njëri trajner i Realit të Madridit dhe tjetri i Atalantës, që nesër në mbrëmje do të ndajnë Superkupën e Europës në Varshavë (Poloni). Për t’u kthyer te historia, Milani, i cili po përgatitej për t’u bërë kampion i Evropës pas dy dekadash, shkatërroi Peskarën 6-1. Goli i fundit për kuqezinjtë ishte një autogol i shkaktuar nga Gasperini, i cili devijoi goditjen e Evanit në rrjetë. Pankarta domethënëse në krah të trajnerit Saki ishte në adresë të Berluskonit, presidentit të plotfuqishëm dhe revolucionar të Milanit.
Sepse gjatë dimrit 1988-1989, rinovimi i Arrigo Sakit u bë një çështje. Për më tepër, ai rrezikonte shkarkimin. Më 12 janar, pas katër javësh pa fitore dhe një humbje në shtëpi kundër Interit, Berluskoni u shfaq në Milanelo, qendra stërvitore e Milanit. Fjala shkarkim ishte diçka e zakonshme në ato orë. Për shkak se Milani nuk reagoi, Interi u nis drejt titullit, teksa Verder Bremeni dukej një mur i pakapërcyeshëm në çerekfinalet e Kupës së Kampioneve (sot Liga e Kampioneve). Berluskoni donte të dëgjonte të gjithë lojtarët një nga një për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Sepse ai e dinte se jashtë, të gjithë njerëzit ishin me Sakin. Lojtarët gjithashtu u pozicionuan në mënyrë të prerë në anën e trajnerit, me në krye holandezët. “Do të ishte një gabim shumë i rëndë të shkarkohet Saki”, tha Van Basten.
“Të dielën, kundër Komos, tifozët duhet të jenë të prerë në anën tonë, në anën e të gjithëve”, tha Gulit. Berluskoni u largua me idenë e qartë se të gjithë ishin me Sakin, por nëse skuadra nuk do të reagonte shkarkimi do të ishte fakt. Më 15 janar Milani përballej me Komon. Mesazhi i presidentit ishte marrë si duhet. Një fitore e pastër 4-0 për të nisur një marsh triumfal. Milani nuk humbi asnjë ndeshje në pjesën e mbetur të sezonit: 16 fitore, 12 barazime që i dha kurorën e kamionit të Europës. Pasi vuajtën shumë kundër Verder Bremenit (0-0 dhe 1-0) dhe mposhtën Real Madridin në gjysmëfinale (1-1 dhe 5-0), kuqezinjtë shkatërruan Steauan e Bukureshtit 4-0. Para kësaj, më 26 shkurt, pak më shumë se një muaj nga kriza e madhe, Saki rinovoi. Një ditë para ndeshjes kundër Peskarës së Gasperinit, trajneri mblodhi lojtarët: “Ne do të jemi edhe një vit bashkë. Por mos thoni asgjë, le ta bëjë publike presidenti”. Ai që ishte një hap larg rënies u bë një ekip legjendar: Milani i Sakit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co