Hovenier: Qeveria të jetë partnere e besueshme, të zbatohen të gjitha zotimet që janë bërë në dialog

hovenier qeveria te jete partnere e besueshme te zbatohen te gjitha zotimet qe jane bere ne dialog
hovenier qeveria te jete partnere e besueshme te zbatohen te gjitha zotimet qe jane bere ne dialog

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka shprehur pritshmëritë e tij që Qeveria Kurti sikurse qeveritë e mëparshme, të bashkëpunojnë në partneritet me SHBA-në, për një rajon të sigurt në Ballkanin Perëndimor.

“Presim që kjo Qeveri e Kosovës, ashtu siç kemi parë nga Qeveritë e mëparshme të Kosovës, të punojë në partneritet me ne ndërsa vazhdojmë në përpjekjet tona për të ndërtuar një rajon të qëndrueshëm, të begatë, multietnik dhe të sigurt të Ballkanit Perëndimor.

Hovenier përsëriti se rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Në këtë kontekst, më duhet të përsëris atë që unë dhe zyrtarë të tjerë amerikanë e kemi thënë vazhdimisht, rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe konkretisht me mirëbesim dhe zbatimin e plotë të të gjitha angazhimeve që Kosova ka bërë në kuadër të dialogut”.

Këto deklarata ambasadori i tha në eventin e organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Arkansasit për 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s.

Para të pranishmëve, Hovenier për ndërhyrjen e NATO-s 25 vite më parë, përmendi edhe deklaratën e presidentit atë kohë, Bill Clinton, një ditë para bombardimit të Serbisë.

“Më kujtohet dita kur bisedimet e paqes në Rambuje përfunduan pa marrëveshje. Ne shterëm të gjitha përpjekjet dhe rrugët diplomatike për t’i dhënë fund brutalitetit të regjimit të Millosheviçit. Siç tha Presidenti Bill Clinton më 23 mars 1999, një ditë përpara se NATO të niste Operacionin Forcat Aleate, “nëse presidenti Millosheviç nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm të kufizojmë aftësinë e tij për të bërë luftë me kosovarët”, tha Jeff Hovenier, raportojnë mediat e Kosovës.

Më tej, ai theksoi se pasi kishin shteruar të gjitha alternativat, NATO kishte një detyrim moral për të vepruar, dhe kjo u bë.

“Ne e shënojmë me solemnitet këtë 25 vjetor të fillimit të operacionit të NATO-s. Ne kujtojmë qindra mijëra njerëz të pafajshëm të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra të vrarë ose të zhdukur. Na vjen keq shumë për humbjen e jetëve të civilëve të pafajshëm, përfshirë ata që vdiqën gjatë operacionit të NATO-s. Pasi shteroi të gjitha alternativat për të ndaluar gjakderdhjen, NATO kishte një imperativ moral për të vepruar – dhe ne e bëmë”, tha tutje ai.

“Dhe përdorimi i forcës në këtë rast ishte i domosdoshëm dhe legjitim, duke pasur parasysh krizën humanitare që bota po shihte të shpalosej në kohë reale. Shtetet e Bashkuara mbështetën fushatën 78-ditore të NATO-s për të dëbuar forcat e Millosheviqit nga Kosova dhe për t’i dhënë fund spastrimit etnik, duke kontribuar në mijëra fluturime ajrore ndërsa ne vazhduam të rrisnim presionin diplomatik”, shtoi ambasadori amerikan.

“Dua të rikonfirmoj përkushtimin tonë për të siguruar që ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në Kosovë 25 vjet më parë të mos përsëriten më kurrë. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur rolin e vazhdueshëm stabilizues të luajtur nga Forca e Kosovës e NATO-s. Dhe ndërsa përkujtojmë trimërinë e atyre që qëndruan kundër spastrimit etnik dhe atyre që vazhdojnë të ruajnë paqen sot, ne përsërisim vizionin e një Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe. Ne e shohim stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor si çelësin për avancimin e këtij premtimi, veçanërisht pas pushtimit të pamëshirshëm në shkallë të plotë të Putinit në Ukrainë, ku po shohim shkatërrime dhe katastrofë të paimagjinueshme humanitare”.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →