Kombëtarja shqiptare ka zbritur në fushë pasditen e djeshme për të zhvilluar seancën e radhës në kuadër të ndeshjes së dytë të Europianit, atë kundër Kroacisë, që do të luhet nesër në orën 15:00 në stadiumin e Hamburgut.
Ekipi ka qenë i plotë, me Jasir Asanin, që është bashkuar me grupin dhe ka kryer normalisht stërvitje. Stafi mjekësor është kujdesur për atë lëndim të lehtë që anësori pati në kavilje dhe shqetësimet kanë kaluar tashmë. Jasiri do të jetë gati për nesër, po ashtu edhe Mitaj, që kishte një kontraktim të lehtë te pjesa e pulpës dhe dje u stërvit me këmbë të fashuar. Pjesa tjetër e skuadrës ishte në gjendje optimale. Atmosfera në grup është pozitive, me lojtarët që nuk ngurronin të shkëmbenin batuta me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, sulmuesi Armando Broja kishte momente që qëndronte i qetë në fushë, duke medituar. Portierët vijonin veçmas stërvitjen, ndërsa për t’u përmendur është edhe fakti që seanca u shoqërua nga reshjet e shiut. Jashtë kompleksit ku është grumbulluar Kombëtarja në Kaiserau të Gjermanisë, kishte edhe fëmijë të zonës, që kishin marrë një top dhe luanin me njëri-tjetrin, pa shqetësuar kuqezinjtë.
FORMACIONI, JA SI MUND TË LUAJMË Një ndryshim të vetëm mendohet që të bëjë Silvinjo për ndeshjen me Kroacinë. Arbër Hoxha pritet të vendoset në krahun e majtë të sulmit, duke marrë vendin e Taulant Seferit, ndërsa pjesa tjetër do të jetë e njëjtë. Të paktën nga ajo që ka lënë të kuptohet Silvinjo, në portë do të jetë Strakosha, në mbrojtje Hysaj në të djathtë, si dhe Gjimshiti e Ajeti në qendër. Në krahun e majtë si zakonisht Mitaj, ndërsa në repartin e mesfushës, Asllani, Ramadani dhe Bajrami formojnë treshen. Në sulm Hoxha do të vendoset në të majtë, ndërsa në të djathtë Asani dhe në majë Broja. Megjithatë, do të shihet edhe gjendja e lojtarëve deri pak orë para sfidës, në një kohë që sot është stërvitja e fundit. PROGRAMI DHE NDRYSHIMI I FUSHËS Ekipi do të niset sot në orën 08:30 nga kampi bazë afër Dortmundit, për tu drejtuar në qytetin e Hamburgut, aty ku do të luhet ndeshja nesër në orën 15:00. Pasdite do të zhvillohet edhe konferenca për shtyp e trajnerit Silvinjo dhe kapitenit të ekipit, Gjimshti, ku në orën 17:15 do të dalin përpara gazetarëve. Ndërsa një orë më vonë kuqezinjtë do të kryejnë edhe stërvitjen zyrtare në stadiumin e St.Paulit dhe jo atë Hamburgut, ku është programuar për t’u luajtur Kroaci-Shqipëri. “Panorama Sport” mëson se zyrtarët e UEFA-s kishin merakun e fushës në stadiumin “Volfkspark” dhe kështu që stërvitja e fundit nuk do të zhvillohet aty, por disa kilometra më tutje.
TIFOZËT KUQEZI, TË SHUMTË EDHE NË HAMBURG Nga qyteti i Dortmundit në Gjermani janë organizuar shumë tifozë shqiptarë që do të udhëtojnë drejt Hamburgut sot dhe nesër. Ashtu siç ndodhi në ndeshjen e parë, Itali-Shqipëri, edhe këtë herë, pritet një numër i konsiderueshëm tifozësh shqiptarësh. Megjithatë, jo në atë masë sa në ndeshjen me Italinë, sepse edhe nga kroatët është siguruar një pjesë e mirë e biletave, duke u renditur mes 3 shteteve me kërkesa më shumë nga tifozët për ndeshjet e tyre. Gjithsesi, e sigurt është që në Hamburg pritet një uragan kuqezi me mijëra tifozë, që do të jenë në mbështetje të ekipit kombëtar në ndeshjen kundër Kroacisë.Nga i dërguari ynë në Gjermani, KRISTI SEJATLLARI
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co