Humbet mbështetje projekt-ligji për financimin e qeverisë! Veprimi i papritur i presidentit të zgjedhur, Trump hedh poshtë planin dypartiak për mbylljen e qeverisë gjatë Krishtlindjeve

humbet mbeshtetje projekt ligji per financimin e qeverise veprimi i papritur i presidentit te zgjedhur trump hedh poshte planin dypartiak per mbylljen e qeverise gjate krishtlindjeve








































Presidenti i zgjedhur Donald Trump hodhi poshtë papritur një plan dypartiak të mërkurën për të parandaluar mbylljen e qeverisë gjatë Krishtlindjeve, dhe i tha Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson dhe republikanëve, që në thelb ta rinegociojnë atë – disa ditë përpara një afati kur skadon financimi për buxhetin e qeverisë federale.

3

Përfshirja e papritur e Presidentit të zgjedhur Trump në këtë debat dhe kërkesat e reja, e vendosën Kongresin sërish në lëvizje, ndërsa ligjvënësit po përpiqen ta përmbyllin punën dhe të shkojnë në shtëpi për pushimet e festave. Kjo e detyron tashmë Kryetarin Johnson të përpiqet të hartojë një plan të ri për ta mbajtur qeverinë të hapur, përpara afatit të së premtes.

“Republikanët duhet të BËHEN TË ZGJUAR dhe TË ASHPËR”, thanë Presidenti i zgjedhur Trump dhe Nënpresidenti i zgjedhur JD Vance në një deklaratë.

Presidenti i zgjedhur bëri një propozim që kombinonte disa vazhdimësi të fondeve qeveritare së bashku me një dispozitë shumë më të diskutueshme për të rritur kufirin e borxhit të vendit – diçka që partia e tij e refuzon rregullisht. “Çdo gjë tjetër është një tradhti ndaj vendit tonë”, shkruan ata.

Demokratët kritikuan rebelimin e republikanëve për projekt-ligjin për financimin e qeverisë, që do të kishte ofruar gjithashtu rreth 100 miliardë dollarë ndihma për shtetet e goditur nga uraganët Helene dhe Milton dhe katastrofa të tjera natyrore.

“Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve janë urdhëruar të mbyllin qeverinë”, tha udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries.

“Dhe të lëndojnë klasën punëtore amerikane që ata pretendojnë se mbështesin. Nëse thyeni marrëveshjen dypartiake, atëherë keni përgjegjësinë për pasojat”.

Projektligji masiv prej 1500 faqesh u gjend kështu në prag të kolapsit, pasi konservatorët e djathtë kundërshtuan rritjen e shpenzimeve, të nxitura nga aleati miliarder i Presidentit të zgjedhur Trump, Elon Musk, i cili e hodhi poshtë planin pothuajse sapo u publikua të martën vonë në mbrëmje.

Ligjvënësit u ankuan për shpenzimet shtesë – të cilat përfshijnë rritjen e tyre të parë të pagave në më shumë se një dekadë, megjithëse me një prej sesioneve kaotike më joproduktive në kohët moderne. Një numër republikanësh po prisnin që presidenti i zgjedhur të sinjalizonte nëse duhej të votonin ‘po’ ose ‘jo’.

Edhe shtimi i ndihmës shumë të nevojshme për katastrofat, rreth 100.4 miliardë dollarë si pasojë e uraganeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore që shkatërruan shtetet këtë vit, plus 10 miliardë dollarë ndihmë ekonomike për fermerët, nuk arritën të fitojnë mbështetjen e asaj pjese të republikanëve që kërkojnë ulje të buxhetit.

“Kjo nuk duhet të kalojë”, postoi zoti Musk në rrjetin e tij të mediave sociale X, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Rezultati nuk është një befasi për Kryetarin Johnson, i cili ashtu si kryetarët pararendës republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, nuk ka qenë në gjendje të bindë shumicën e partisë së tij për të përmbushur nevojat rutinë të operacioneve të qeverisë federale, të cilat ata do të preferonin t’i shkurtonin.

Gjithçka tregon për vështirësitë me të cilat do të përballen republikanët vitin e ardhshëm, pasi të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, Senatit dhe Shtëpisë së Bardhë. Dhe nënvizon se sa shumë Kryetari Johnson dhe udhëheqësit republikanë duhet të varen nga miratimi i presidentit të zgjedhur për të kaluar propozimet legjislative.

“Çfarë dëshiron Presidenti Trump që të bëjnë republikanët: të votojnë për financimin e përkohshëm, apo të mbyllin qeverinë? Mungon drejtimi, mbretëron konfuzioni”, tha ish-senatori republikan Mitt Romney, në një postim në rrjetin X.

Zoti Musk, i cili do të drejtojë Departamentin e ri të Efikasitetit të Qeverisë, paralajmëroi se ligjvënësit dhe senatorët që do të votonin në favor të projektligjit për financimin e përkohshëm të qeverisë, do të meritonin largimin me votë pas dy viteve.

Demokratët, të cilët negociuan dokumentin përfundimtar me Kryetarin Johnson dhe drejtuesit republikanë në Senat, pritet që të ofrojnë mbështetje të mjaftueshme për ta ndihmuar Kryetarin Johnson që të sigurojë miratimin, siç ndodh shpesh me projektligjet për fonde të mëdha. Financimi për qeverinë federale mbaron në mesnatën e së premtes.

“Sa më shpejt të veprojë Kongresi, aq më mirë”, tha udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Paketa përfundimtare zgjat programet dhe shërbimet ekzistuese të qeverisë në nivelet e tyre aktuale të funksionimit për disa muaj të tjerë, deri më 14 mars 2025.

Masa e financimit të përkohshëm është e nevojshme sepse Kongresi nuk ka arritur të miratojë buxhetin e rregult për agjencitë e ndryshme në qeverinë federale, duke filluar që nga Pentagoni dhe strukturat e sigurisë kombëtare, tek shëndetësia, mirëqenia, transporti dhe shërbimet e tjera të brendshme. Kur viti fiskal përfundoi më 30 shtator, Kongresi thjesht e zgjidhi problemin duke miratuar një projekt-ligj të përkohshëm financimi që skadon të premten./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →