Hungaria kryeson bisedimet e BE-së mbi standardet demokratike, zemërohen ministrat e vendeve anëtare

hungaria kryeson bisedimet e be se mbi standardet demokratike zemerohen ministrat e vendeve anetare
hungaria kryeson bisedimet e be se mbi standardet demokratike zemerohen ministrat e vendeve anetare

Qeveria e Hungarisë ka kryesuar bisedimet e BE-së për ruajtjen e standardeve demokratike në të gjithë kontinentin, në një zhvillim që një eurodeputet i shquar e përshkroi si “të egër”.

Qeveria e Viktor Orban ka qenë nën një procedurë sanksionesh të BE-së që nga viti 2018 për paraqitjen e një “kërcënimi sistemik” për demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Rreth 19 miliardë euro (16 miliardë £) të fondeve të BE-së janë ngrirë për shkak të shqetësimeve për kontrollin e qeverisë mbi gjyqtarët, lirinë akademike dhe dështimin e saj për të trajtuar korrupsionin. Tani po gjobitet me 1 milion euro në ditë, si shtesë e një dënimi prej 200 milion eurosh nga gjykata më e lartë e BE-së për refuzimin e zbatimit të ligjit evropian që garanton të drejtat e azilkërkuesve.

Pavarësisht këtij katalogu ankesash, i takoi Hungarisë, si mbajtëse e presidencës së rradhës të BE-së, të kryesojë një takim të ministrave të çështjeve evropiane në Bruksel, mbi raportin vjetor të BE-së për sundimin e ligjit. Ky dokument vlerëson integritetin e ndarjes së pushteteve, masave kundër korrupsionit dhe lirinë e shtypit në të 27 vendet anëtare dhe katër vendet kandidate për në BE.

I publikuar në korrik, raporti i BE-së doli në përfundimin se mungesa e hetimeve dhe ndjekjeve penale të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë në Hungari mbeti “një shqetësim serioz” dhe shprehu alarmin për pavarësinë e mediave të shërbimit publik dhe “përdhosjen” e grupeve të shoqërisë civile.

Daniel Freund, një eurodeputet gjerman i grupimit të Gjelbër dhe kritik i shquar i qeverisë Orban, tha se lejimi i Hungarisë për të kryesuar një takim mbi sundimin e ligjit nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. “Një vend që është nën procedurën e nenit 7 – një sanksion me vlerë themelore –, që ka miliarda fonde të BE-së të ngrira për shkelje të sundimit të ligjit, që sapo është gjobitur 200 milionë euro, plus 1 milionë euro në ditë për shkelje të sundimit të ligjit, tani po drejton debatin për situatën e shtetit ligjor është skandaloz”.

Shtetet e tjera anëtare të BE-së duhet të kishin ndërhyrë për të parandaluar Hungarinë të kryesonte takimin, tha ai.

I pyetur në lidhje me besueshmërinë e Hungarisë që kryeson diskutimet e BE-së mbi sundimin e ligjit, ministri hungarez i çështjeve të BE-së, János Bóka, u përgjigj: “Hungaria kreu detyrat e saj si një ndërmjetës i ndershëm duke bashkëpunuar sinqerisht me të gjitha shtetet anëtare dhe institucionet”.

Didier Reynders, komisioneri i drejtësisë i BE-së, nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes, por tha se komisioni ishte në dispozicion të ministrave të BE-së për të organizuar diskutime sipas procedurës së sanksioneve të nenit 7 “por kjo varet [nga] axhenda e presidencës”.

Gjatë takimit, ministrat kritikuan Hungarinë, e cila nuk ka theksuar si prioritet të Presidencës së saj, mbështetjen për Ukrainën.

Ministrja suedeze e çështjeve të BE-së, Jessica Rosencrantz, tha se shumë vende kishin ndërhyrë në mbështetje të Ukrainës. “Isha shumë e qartë duke kërkuar që Hungaria të ishte një ndërmjetës i ndershëm dhe ishte shumë për të ardhur keq që ata nuk theksuan mbështetjen për Ukrainën në programin e tyre të punës,” tha ajo.

Që nga marrja e presidencës gjashtëmujore të rradhës të BE-së më 1 korrik, Orbán ka zemëruar liderët e BE-së me një mision të vetëquajtur paqeje në Moskë, Pekin dhe rezidencën private të Donald Trump në Mar-a-Lago. Si përgjigje, disa ministra kanë bojkotuar takimet jozyrtare të BE-së në Hungari, por kalendari i zakonshëm i BE-së në Bruksel dhe Luksemburg ka vazhduar kryesisht si zakonisht.

Komisioni Evropian tha javën e kaluar se do të zbriste gjobën e papaguar të gjykatës prej 200 milionë euro nga pagesat e ardhshme të BE-së për Hungarinë dhe se kishte lëshuar një kërkesë për pagesën e gjobave ditore me vlerë 93 milionë euro për Budapestin.

Në takim, Suedia dhe Finlanda thanë se fondet e BE-së duhet të lidhen më ngushtë me respektimin e sundimit të ligjit. Rosencrantz dhe homologu i saj finlandez, Joakim Strand, thanë se komisioni “duhet të vazhdojë të përdorë plotësisht” një rregullore të BE-së që lidhte fondet e BE-së me respektimin e sundimit të ligjit dhe trajtimin e korrupsionit.

“Tatimpaguesit tanë duhet të besojnë se fondet e përbashkëta të BE-së përdoren në mënyrë të duhur dhe me përgjegjësi,” shkruanin ata në një letër të përbashkët drejtuar komisionit.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →