Ndryshon skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi 2024. Fermerët tashmë do të mbështeten me financime për ngritjen e serrave diellore, për ngritjen e serrave mbrojtëse të prodhimit nga breshëri apo ngritje stallash dhe stabilimente për rritjen e shpendëve.
Ndryshimet në masën e parë shtesë do të mbështesin me financim nga 4 mln deri në 15 mln lekë për ha ndërtimin e serrave të reja diellore, sipas vendimit “Për disa shtesa në vendimin nr. 130, datë 6.3.2024, të këshillit të ministrave, “Për përcaktimin e kritereve bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë e zhvillimin rural, për vitin 2024”” të botuar në Fletoren Zyrtare.
Masa e parë do të mbështesë fermerët që do të ndërtojnë serra diellore të reja me sipërfaqe nga 0,2 ha deri në 2 ha për rritjen e perimeve, rrushit dhe luleshtrydheve. Konkretisht masa e përfitimit për serrat e prodhimit të perimeve do të jetë deri në 15 mln lekë për ha. Për serrat e prodhimit të rrushit për tavolinë masa e përfitimit do të jetë 8 milionë lekë për ha dhe për serrat e prodhimit të luleshtrydheve 4 mln lekë për ha.
Masa e dytë parashikon dhënien e përfitimit për ngritjen e rrjetave për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta. Masa e përfitimit do të jetë 50% e vlerës totale të investimit, por jo më shumë se 1,5 mln lekë për ha.
Masa e tretë përfshin dhënie fondesh për investime në ngritjen e stallave për kafshët dhe stabilimente shpendësh me sipërfaqe nga 1 deri në 5 ha. Për ndërtimin e ambienteve për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, me kapacitet jo më pak se 10 lopë, jo më pak se 100 të imëta, jo më pak se 10 dosa dhe jo më pak se 10,000 shpendë. Masa e përfitimit do të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë 15 mln lekë për subjekt.
Masa e katërt shtesë do të jetë në funksion të mekanizimit të bujqësisë. Për blerje makinerish dhe traktorësh financimi do të jetë deri në 5 mln lekë për subjekt.
Masa e pestë shtesë është në mbështetje të akuakulturës. Për koshat e rritjes së peshkut sasa e përfitimit do të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 20 mln lekë për subjekt.
Në total fondi i akorduar për zbatimin e këtyre masave shtesë është parashikuar 1,5 mld lekë për periudhën 2024 deri në 2027. Për vitin 2024 janë parashikuar të akordohen 500 mln lekë. Ndërsa diferencat eventuale të papërdorura nga fondi prej 500 mln lekësh, për vitin 2024, mund të alokohen për masat mbështetëse, të përcaktuara në pikat 2.1 dhe 2.2, të këtij vendimi.
Masa I
Mbështetje për investime në ferma: a) Për ndërtimin e serrave diellore të reja, me sipërfaqe jo më pak se 0,2 (zero pikë dy) ha dhe jo më shumë se 2 (dy) ha për subjekt, përfshirë edhe instalimin e sistemit të ujitjes. Masa e përfitimit të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se: – 15,000,000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë/ha për serrat e prodhimit të perimeve; 8,000,000 (tetë milionë) lekë/ha për serrat e prodhimit të rrushit për tavolinë; 4,000,000 (katër milionë) lekë/ha për serrat (tunelet plastike) të prodhimit të luleshtrydheve;
Masa 2
Rrjeta për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta. Masa e përfitimit të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1,500,000 (një milion e pesëqind mijë) lekë/ha. Në këtë rast, financimi bëhet për sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha dhe jo më shumë se 5 (pesë) ha.
Masa 3
Për ndërtimin e ambienteve për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, me kapacitet jo më pak se 10 (dhjetë) lopë, jo më pak se 100 (njëqind) të imëta, jo më pak se 10 (dhjetë) dosa dhe jo më pak se 10,000 (dhjetë mijë) shpendë. Masa e përfitimit të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15,000,000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë për subjekt.
Masa 4
Për blerjen e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale. Masa e përfitimit të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5,000,000 (pesë milionë) lekë për subjekt
Masa 5
Mbështetje për akuakulturën detare për koshat e rritjes së peshkut (vetëm për koshat dhe rrjetat). Masa e përfitimit të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 20,000,000 (njëzet milionë) lekë për subjekt.”/Monitor