Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë publik emrin e efektivit të policisë, i cili gjatë përplasjeve jashtë parlamentit u pretendua se tentoi t’i nxirrte armën deputetit Luan Baçi. Sipas Berishës, efektivi i policisë është Altin Muço.
“Altin Muço ti që nxore revolen ndaj deputetit, vend mbi tokë nuk do të kesh! Bandit, mercenar që nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh ligj, nuk njeh moral. Nuk të mbron ty as Ervin Porja apo Troplini, as Ilir Shullazi, as Edvin Hajduti. Nuk të mbron njeri ty! Ke bërë një akt që nuk e ka bërë kush nga viti 1945 gjer sot”, tha Berisha gjatë fjalës së tij në Rrugën e Shpresës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi ashpër ndaj, asaj që e quajti dhunim të deputetëve demokratëve në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë nga forcat e policisë RENEA.
‘Rama dërgoi kriminelët e RENEA-s për të dhunuar deputetët e opozitës duke u treguar tytat e armëve’, u shpreh Berisha gjatë protestës.
Pjese nga fjalimi i Berishes
Qytetarë dhe qytetare, me Kushtetutë, me ligjet, bandat me uniformë të policisë nuk mund të shkelin në parlament.
Kjo është garancia që Kushtetuta u ka dhënë përfaqësuesve tuaj, në mënyrë që ata të vendosur të mbrojnë me të gjithë mënyrat interesat tuaja.
Kurse sot Edi Rama me bastardin e familjes Hoxha në krye të rendit, mendoi se do t’i frikësonte deputetët me banditë të armatosur.
I përshëndes deputetët që i treguan vendin dhe i garantoj se për aktin që kanë kryer sot do të përgjigjen gjithë jetën.
Altin Muço, ti që nxore revolen ndaj deputetit, vend mbi tokë nuk do të kesh!
Bandit, mercenar që nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh ligj, nuk njeh moral.
Nuk të mbron ty as Ervin Porja apo Troplini, as Ilir Shullazi, as Edvin Hajduti.
Nuk të mbron njeri ty!
Ke bërë një akt që nuk e ka bërë kush nga viti 1945 gjer sot.
Trimëria, guximi, vendosmëria e deputetëve të opozitës në sallë dhe jashtë sallës e shndërroi parlamentin në kështjellën e pamposhtur të opozitës.
E shndërroi parlamentin në kështjellën e qëndresës, në kështjellën e fitores.
Qytetarë dhe qytetare, Edi Rama, organizata e tij kriminale qeveri, organizatat e tjera kriminale në institucione, njohin vetëm një gjuhë, gjuhën e mosbindjes civile.
Njohin vetëm një gjuhë, gjuhën e revoltës popullore.
Njohin vetëm një gjuhë, zemërimin e qytetarëve.
Ndaj dhe ju bëj thirrje të vazhdojmë betejën tonë.
Betejën pa kthim.
Është radha jonë.
Është radha jonë.
Është radha jonë.
Qeveri teknike, zgjedhje të lira!
Fitore, fitore, fitore!