Autoritetet italiane kanë rënë në gjurmë që mund të çojnë në gjetjen e trupit të Francesca Deidda, 42-vjeçares e cila rezulton e zhdukur prej muajit maj dhe dyshohet se është vrarë nga i shoqi, Igor Sollai.
Gjurmë të saj janë gjetur në zonën midis Sinnai dhe San Vito, në pikën ku rezulton i lokalizuar për herë të fundit telefoni i saj. Jo shumë larg urës, janë gjetur veshjet dhe sendet personale të Françeskës.
Zona është rrethuar dhe kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupit të saj. I shoqi, 43-vjeçari Igor Sollai, u arrestua me akuzën e vrasjes së rëndë dhe fshehjes së kufomës.
Francesca Deidda rezulton e zhdukur që prej muajit maj dhe sipas Prokurorisë ajo është vrarë nga bashkëshorti i saj.
Të martën, vëllai i 42-vjeçares, Andrea, bëri një apel përmes rrjeteve sociale për kunatin e tij, duke i kërkuar të tregonte të vërtetën dhe të mos mohonte provat.
Sollai nuk ka pranuar krimin duke pretenduar se është i pafajshëm. Ai pretendon se gruaja e tij u largua vullnetarisht: “Donte të bënte një periudhë reflektimi”, u tha Sollai hetuesve.
Ndër elementët që e çuan dyshimet tek shoferi i kamionit ishin mospërputhjet në deklaratat e tij, por edhe rreziku i arratisjes.
Ai ka të afërm në Holandë dhe së fundmi kishte kontakte të përsëritura me ta.
43-vjeçari tashmë kishte një lidhje me një grua tjetër dhe donte të ndahej nga bashkëshortja, por kishte frikë se do të humbiste pronat, përfshirë shtëpinë në San Sperate, të cilën e ndante me Françeskën.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co