Pamjet që shihni më poshtë janë të 45-vjeçarit Lorenc Kosta, i cili u plagos me armë zjarri në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë nga efektivi i Policisë së Shtetit, Erion Goxharaj.
Dyshohet se konflikti mes tyre ka nisur disa ditë më parë, ku sipas informacioneve shkak është bërë një vajzë. Dyshohet se Kosta ka ngacmuar partneren e Goxharajt dhe ky i fundit, pasi është konfliktuar verbalisht me 45-vjeçarin, ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar 5 herë në këmbë dhe kofshë, e ka fotografuar dhe më pas është larguar.
Siç deklaroi dhe drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, autori nuk ka qenë në punë në momentin e ngjarjes, por ka dyshime se 45-vjeçarin e ka qëlluar me armën e shërbimit.
Ka nisur puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa autori është ende në kërkim nga policia.
Njoftimi i policisë për ngjarjen:
Më datë 19.08.2024, rreth orës 14:07, në afërsi të një marketi te rrethrrotullimi i Komunës së Parisit, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi E. G., (punonjës Policie) ka plagosur me armë zjarri shtetasin L. K., 45 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për kapjen e autorit të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co