Identiteti nuk është trend, as modë seksuale

identiteti nuk eshte trend as mode seksuale








































Robert Aliaj DragotROBERT ALIAJ DRAGOT

Në dy-tri emisionet e fundit mbi identitetin gjinor dhe të drejtat transgjinore kishte momente ku ndjehesha sikur debati dukej më shumë si një luftë për t’iu imponuar njëritjetrit, sesa një përplasje konstruktive idesh, ku mungesa e vullnetit për të dëgjuar ose për të bërë kompromis e shndërronte debatin në luftë retorike. Nuk është e qartë çfarë kërkon komuniteti LGBTQ+. Duan të respektohen? Apo duan t’u imponohen gjithë të tjerëve? Nëse duan të respektohen, edukimi është arma e duhur. Ka vite që edhe në perëndim debati global mbi identitetin gjinor dhe të drejtat transgjinore ka arritur nivele të paprecedentë për të riformuar normat dhe politikat shoqërore. Por ndërsa në vendet e zhvilluara këto diskutime shpesh justifikohen si përpjekje për të siguruar përfshirjen dhe mbrojtjen e lirive individuale, eksportimi i dhunshëm i ideologjive të tilla në vendet në zhvillim si Shqipëria është problematik.

Struktura tradicionale familjare në Shqipëri shërben akoma si themeli i shoqërisë, por ka filluar të gërryhet nga politikat “woke” dhe ideologjitë gjinore. Vlerat tradicionale të familjes shqiptare po përballen me presionin në rritje nga jashtë, nga qeveritë perëndimore, OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare, që imponojnë zbatimin e politikave promovuese të ideologjisë së tyre. Këto nisma perëndimore po provokojnë një konflikt të thellë midis ideologjive të importuara dhe traditave lokale.

Ndërsa të drejtat dhe dinjiteti i çdo individi duhet të respektohen, presioni apo miratimi jokritik i politikave gjinore pa infrastrukturën e duhur apo ndërgjegjësimin e publikut na çon në konfuzion dhe në disorientim identitar të brezit më të ri, të fëmijëve. Propaganda e shfrenuar nëpër shkolla dhe ambiente publike për inkurajimin e fëmijëve për të dyshuar identitetin e tyre dhe për t’i imponuar ata të zgjedhin një identitet të ri, është destruktive, sepse ata janë në një moshë kur vetëdija e tyre është ende duke u zhvilluar dhe këto hallet pro transgjinore nuk llogarisin që mund të shkaktojnë instabilitet psikologjik dhe si pasojë, krizë identiteti te shumica absolute e fëmijëve, që nuk kanë nevojë për këto transformime. Fëmijët dhe familja janë të kapur mes dy zjarreve.

Më duket e pajustifikueshme dhe madje shumë destruktive politika imponuese dhe propaganduese e një minoriteti të pakonsiderushëm ndaj një maxhorance absolute. Vendet perëndimore kanë krijuar protokolle vlerësimi psikologjik dhe qasje shumëdisiplinore për trajtimin e ndryshimeve gjinore, ndërsa Shqipërisë i mungon infrastruktura dhe mbikëqyrja e nevojshme për të menaxhuar me përgjegjësi çështje të tilla. Mungesës së infrastrukturës së duhur i shtohet edhe vakumi kulturor. Mirëpo këto politika, ata shpesh i fusin në emër të progresit, por nuk arrijnë dot të rezonojnë me strukturën tonë sociale.

Një nga aspektet më alarmante të këtij fenomeni është trajtimi i fëmijëve si fushëbetejë ideologjike, pa marrë parasysh nevojat e zhvillimit natyror të fëmijëve. Mirëqenia e tyre mentale dhe psikologjike duhet të ketë përparësi absolute ndaj agjendave ideologjike, sado me “qëllime të mira”.

Përvoja e vendeve perëndimore na paralajmëron për pasojat e mundshme të zbatimit të nxituar të politikave gjinore. Në këto vende, paditë dhe dëshmitë e individëve që pendohen për tranzicionin e tyre gjinor nxjerrin në pah rreziqet e inkurajimit të vendimeve, që ndryshojnë jetën pa vlerësim të plotë psikologjik dhe mbështetje afatgjatë. Për Shqipërinë, ku masa të tilla mbrojtëse nuk ekzistojnë, rreziqet mund të jenë edhe më të tmerrshme.

Shteti shqiptar duhet të ketë prioritet mbrojtjen e fëmijëve, duke adoptuar politika që përputhen me realitetet tona kulturore dhe sociale. Është koha që Shqipëria të tërhiqet nga adoptimi kuturu i ideologjive gjinore dhe të rivlerësojë qasjen e saj, nëse do të mos rrezikojë një brez të tërë të përballet me kriza identiteti, trauma psikologjike etj.. Progresi i vërtetë nuk qëndron në ndjekjen verbërisht të doktrinave dhe presioneve të ushtruara nga jashtë, por në krijimin e një kuadri të ekuilibruar, që respekton të drejtat individuale për të gjitha kategoritë./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →