“Imagine dhe Çaplini, ata që më hapin rrugën”- Një Tiranë që jeton çdo ditë me zërin e Kristi Karkanaqes! Të këndosh në bulevard, si lindi ideja e artistëve

imagine dhe caplini ata qe me hapin rrugen nje tirane qe jeton cdo dite me zerin e kristi karkanaqes te kendosh ne bulevard si lindi ideja e artisteve











































UVIL ZAJMI/ Kur e takon, njihesh nga afër me Kristi Karkanaqe, nuk ndryshon me djalin para mikrofonit, publikut. “Te Parku i Madh” i Tiranës kam fillimet, ku këndoja një këngë, pastaj te Blloku me statujat dhe tani te pedonalja”-shprehet për “Panorama” Kristi. Nga “Imagine” e Lenon te Çarli Çaplini, Alban Skënderaj këngëtari preferuar, deri te shfaqjet në Barcelonë, Lajpcig, Lozanë, Prishtinë të tjera faqe të pasionit artistik të tij.

MixCollage-26-Dec-2024-10-41-AM-9177

Z. Kristi, një emër që lidhet me një datë?

Kam lindur në vitin 1992, në Tiranë, në familjen Karkanaqe. Dikur në Rrugën e Durrësit, më pas ajo u transferua në Tiranën e Re. Emrin Kristi e kam nga tezja, pasi ishin dy mundësi, alternativa: O do quhesha, Myslym nga stërgjyshi, për të ruajtur traditën familjare, por “shpëtova”. Fatmirësisht ishte tezja që tha: Krist do quhet se ky lindur me 25 dhjetor, ditën e Krishtlindjeve”.

Një lidhje më shumë me sportin dhe jo artin

Në familje, nga muzika nuk kam njeri. Mamaja nga Përmeti sikur këndonte ndonjëherë në shtëpi. Ndërsa babai, mundës me Dinamon, ndërsa Ilir Karkanaqe, kampioni i madh i shahut, që është djali i xhaxhait i tim eti. Që i vogël jam angazhuar, kam punuar 4-5 vjet në cirkun e Tiranë, i shtyrë nga burri i hallës, Fat Bodinaku, kur drejtor i cirkut ishte Bujar Bodinaku, një tjetër sportist, shtangist kampion i shquar. Më pas kam punuar edhe në TEG, rreth gjashtë vjet, gjithmonë me shfaqjet artistike që organizoheshin aty.

Cilët janë fillimet e Kristit, ato me spektaklet?

Në fillim kam shitur tullumbace për fëmijë te Parku i Madh. Pastaj kuptova që njerëzit kanë nevojë, t’i ofrosh një shërbim argëtues. Viti 2008, kam qenë pa mbushur 16 vjeç, mësova vetëm një këngë “Imagine” të John Lenën, dhe një orë pa u ndaluar, vetëm atë këndoja. Shihja njerëzit se mos ishte i njëjti person të kalonte dy herë, që të thoshte, ou prap i ky me të njëjtën këngë.

Si lindi ideja për të kënduar?

Krejt natyrshëm, një pasion, dëshirë që i vogël. Në shtëpi nuk më ka penguar asnjëherë, përkundrazi, më kanë mbështetur. Paratë e para për të blerë boksin që të performoja, m’i ka dhënë mami. I bëra për dy ditë dhe ia ktheva. 150 mijë lekë kushtonte, dhe nga kënaqësia boksin e kam mbajtur në krah nga Tregu Elektrik të Parku i Madh. Ka qenë viti 2014.

Një angazhim për t’u admiruar?

Kam marrë pjesë në TV Klan, emisionin që drejtonte Marina Vjollca, “C’est la vie”, me Adi Hilën, Pandi e Bledi Lacon. Më 2016, fitova, duke kënduar 10, 15 këngë. Kujtoj Altin Lalën, burrin e Juliana Bashës, ishte ky grup që punova më pas, me ftonin të isha pjesë e tyre.

z. Kristi, nuk ju kemi parë në asnjë festival të këngës, pse?

Kam respekt për të gjithë, por nuk kam marrë pjesë në asnjë festival. Edhe Ardit Gjebrea më ka ftuar, por nuk kam pasur materialin e duhur, prandaj edhe nuk jam paraqitur. I pa sigurtë, ndoshta nuk ka qenë, nuk ka ardhur koha.

Jeni artist edhe në mjaft role?

Jam nga animatorët e parë, kam punuar në radio, televizion, Top Channel, në 2-3 sezone. Kam qenë pjesë te kamera e fshehtë me Kosta Kamberin, si edhe emisionin “Pipipi”, e kam bërë unë, në kanalin televiziv “In TV”. Më pas në Tring emisionin “Play”, vetëm me lojëra.

Mustaqet, i ke të veçanta janë imitim, apo rastësi?

Aktori, roli, njeriu që më ka pëlqyer e më pëlqen është Çarli Çaplin, por pa lidhje me muzikën. Kam punuar duke imituar Çarli Çaplinin në Mal të Zi, rreth dy vjet në lokale të mëdha që kishin atë emër, në qytetet Ulqin e Budva. Ndihesha si i shtëpisë, dhe kisha mjaft sukses

Në Europë, nga një shesh në tjetrin

Në Barcelonë, në qendër të sheshit “Las ramblas”, dola fshehurazi, nisa të këndoj. Pas një farë kohe erdhi policia, nuk më lejoi, se duhet të merrja leje. Kishte vende që lejohej dhe ato që nuk lejohej. Në Gjenevë, Lugano, Bazel, me veglat, boksin me vete. Zvicra aq e bukur sa është, por me rregulla strikte për të kënduar në sheshe publike. Në Gjermani, në Berlin në sheshin e “Kuq”, duke kënduar me një grup berlinez.

Një zë tërheqës, si e trajtoni, e ruani?

Zëri është kultivuar me kalimin e viteve, pasi është e nevojshme një periudhë e tillë. Me aq sa kam kuptuar edhe zëri kërkon stërvitje, dhe koha shërben si një palestër. Nuk dija anglisht, por në ato fillime këngët i dëgjoja, i shkruaja në një letër. Sigurisht kërkohet ndjeshmëri, si dhe në çfarë mënyre duhej kënduar.

Si i përzgjidhni këngët?

Është instiktive. Çështje ndjeshmërie në raport edhe më frekuentuesit, duke kuptuar ato që i pëlqejnë më shumë. Sidomos këngët e huaja kryesisht nga muzika, tekstet. Kam qenë DJ, në lokale ku luhej, dëgjohej muzikë Rock & Roll, e kam një eksperiencë.

Kristi, cili është raporti me këngët shqiptare?

Ato janë të pranishëm në repertorin tim. Alban Skënderaj më ka pëlqyer e më pëlqen. Shumë profesionist, tekste të bukura, muzikë gjithashtu. Por unë kam edhe këngët e mia, të kënduara nga unë rreth 8-9, të cilat i japin të gjitha radiot. Diku është teksti im, në një tjetër kam muzikën. “Arsyeja” është ajo më njohura e Kristi Karkanaqes.

Po ato të muzikës italiane

Janë të bukura dhe të njohura në Shqipëri. Si nga tekstet, gjuha dhe muzika. I kam të përfshira në listën time. Gjithmonë duke i alternuar. Paraditja, ka tjetër preferencë, mbrëmja, darka kërkon tjetër ritëm. Sigurisht në komunikimin me shëtitësit, amatorët, frekuentuesit, moshat.

Performoni pa kitarë, apo një instrument tjetër

Po e vërtetë, pasi të tillë e kam zgjedhur mënyrën e të kënduarit. Të mos performoj me asnjë instrument, vetëm këndoj që në fillimet e mia, kështu kam vepruar e vazhdoj. Kam një përshtatje mjaft të mirë. Ndoshta mundet një kitarë, por për momentin jo, kështu do të vijoj.

Një këngë që këndoni më shumë?

Janë mjaft që preferohen, ndër to, ajo e një grupi anglez të viteve ’70-të, Crewdence Clearwater Revival, me këngën “Have you ever seen the rain”. Pëlqehet shumë, se ka ritëm, është argëtuese. Këtë këngë bashkë me Elton Dedën, e kam kënduar edhe në një lokal të Tiranës, ku më patën ftuar në një mbrëmje, ai me grupin e tij.

Kristi, një pyetje pak ndryshe, është ajo që lidhte me paranë

Nuk dal, nuk këndoj, nuk e kam qëllimin kryesor për të fituar para. Për mua nuk janë kryesore ato. Ato që grumbulloj, më shërbejnë më shumë për të vazhduar të këndoj, duke i përdorur për mirëmbajtje të aparaturës, eletronikës.

Z. Kristi, cili këngëtar, grup muzikor është në preferencat tuaja?

Nga Stevie Uonder, Ray Charles, Ed Sheerean, Sting, Bob Dylan, Michael Jackson, janë disa nga të pëlqyerit e mi. Këngët e tyre, ato më të njohurat, i këndoj, dhe kuptoj se kanë një impakt shumë tërheqës. E ndjej pasi njerëzit, pavarësisht nga mosha, ndalojnë, më japin ndjesinë se i pëlqejnë.

Një zë, shumë pasion, do të ketë trashëgimtar

Kam një djalë 2 vjeç, me shpresën të bëhet këngëtar. Pasi më parë ka nisur të këndojë se të flasë. Quhet Noi, pra “Ne” në italisht. Një emër që shpreh afërsi, miqësi, shumë të rëndësishme që i duhen njeriut në jetë.

Keni një luk tërheqës, të veçantë

Mjekra është edhe pak rastësi, por e kam nga shokët, ata më kanë shtyrë ta mbaj. E konsideroj element shoqërues kur këndoj. Kur e kam nisur isha 16 vjeç pa mjekër, ndërsa tani, siç më sheh jam bërë me mjekër. Kurse kapelet borsalino i përdor ngaqë nuk kam shumë flokë. Kam disa të tilla që i ndërroj. Siç e keni parë lëviz me një motor sportiv, i vetmi i atij formati, modeli në Tiranë, me një numër interesant 78 mbi të: Është viti i lindjes së djalit që e ka projektuar. Më shërben shumë më tepër se një makinë, sidomos në Tiranë, të cilin nuk e ndaj.

******

Një impakt social jo pa rëndësi, për një qytet, një komunitet që në mungesë të koncerteve, shfaqjeve publike, në stadiume, sheshe. Mjafton një kitarë, një violinë, një mikrofon, një zë melodioz, këngë të njohura, shqiptare, të huaja, deri edhe pjesë nga kryeveprat klasike. për të krijuar një atmosferë ndryshe. Pavarësisht, në rrugë kryesore, në një bulevard, apo park popullor. Dikush amator, por edhe të shkolluar, muzikantë, instrumentistë që krahas përdorimit profesional të veglave, janë edhe këngëtarë të mrekullueshëm, me ato çfarë të ofrojnë, që të provokojnë të ndalesh, t’i dëgjosh, t’i admirosh. Nuk e bëjnë thjesht për të fituar, por brenda asaj shfaqjeje modeste, të improvizuar, përshtatur me rrethanat, ka shumë pasion që i shtyn të përformojnë mjeshtërisht.

Falë edhe njohjeve, horizontit që administrojnë, në harmonizimin e zërit me instrumentet, një lidhje moderne, një bashkëpunim intrigues me teknologjinë. Të tillë artistë i ke të pranishëm, paradite dhe në mbrëmjet kryeqytetase. Prej kohësh ata janë kthyer në persona publikë, të njohur për tiranasit, me të cilët ka një komunikim sa artistik aq edhe njerëzor e miqësor. Një ritual muzikor që e gjen sot, te Parku i Madh i Tiranës, në Pedonalen, aty ku fluksi lëvizës është i madh. Nuk mungojnë edhe ato mini grupe me vegla, këngë, instrumente popullorë që i ke në një hapësirë, diku në qendër të Tiranës. Secili me repertorin, karakteristikat e zonës, krahinës, nga e ka prejardhjen kënga, melodia. Për qytetarët ata janë tejet të nderuar, respektuar për atë mision fisnik që përcjellin, “të kënduarin në rrugë”.

PEDONALJA E TIRANËS

Në atë pedonale të kryeqytetit, kam fëmijërinë, adoleshëncën, rininë. Një rrugë me një histori nga pas. E kujtoj ashtu të e thjeshtë pa zhurmë, me apo pa kalime automjetesh, por me rëndësi, si një nyje lidhëse e bulevardit, për afërsinë që kishte, hyrje-daljen me xhiron tradicionale. Në krye të saj, ndër vite me 5 varret e dëshmorëve, Qemal Stafa, Nako Spiro, Vasil Shanto, Alqi Kondi, më pas edhe të Gogo Nushit. E bukur, e frekuentuar, edhe nga fakti se në njërin krah kishte Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, Teatrin Kombëtar, në anën tjetër, Galerinë Kombëtare të Arteve, dhe të paharruarin Pallatin e Pionierit. Për shumë vite aty ka shërbyer një degë e Dekorit të Tiranës, pak dyqane, si ai i bulmetit, ku qytetarët zinim rrallën për qumësht me ato enët 2 litroshe prej alumini, pasi qumështi tregtohej me litra, jo me shishe. Përballë Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe në fund të saj, apo nga lindja, Lulishtja e njohur që diçka i ka mbetur edhe sot, bashkë me Akademinë e Shkencave dhe ish-Kuvendin Popullor, Parlamentit Shqiptar aktual.

Një ofiçinë e vogël i shërbimeve për automjetet dhe në të majtë të ish-lulishtes kopshti Zoologjik i Tiranës, me pak kafshë. Pa harruar edhe Bar Kalanë, atë ballkonin në të djathtë, në hyrje të Pallatit të Pionierit. Nga ato vite kanë mbetur Ministria e Brendshme, Galeria Kombëtare e Arteve, jo Teatri Kombëtar, as ish-klubi i Lidhjes, as Bar Kalaja. I ka rezistuar kohës, ndërtesa e mermertë e ish-Pallatit të Pionierit, por jo me atë destinacion, tashmë pronë familjes mbretërore të Ahmet Zogut, pasardhësve të tij. Si dhe shtëpitë e ishInstitutit të Monumenteve të Kulturës, në rrënim, braktisje totale. Funksionojnë disa lokale të reja, mjaft të këndshme, Kinema, “Milenium” në oborrin e ish -pallatit të Pionierëve, për të mburritur te Qendra moderne Toptani, zona e Kalasë po e kësaj familjeje, me pemën gjenealogjike, në hyrje të saj. Mjaft kalimtarë, shëtitës, deri edhe të huaj, mbushin me një fluks pa fund, atë rrugë, me dy dalje dhe hyrje, ku gjen të kaluarën, traditën, trashëgiminë, historinë. “Bujtina e artit”, me disa piktura, me Arturin, djalin sistematik “pronar” të saj. Me to, edhe muzika, meloditë, që të ofron ai segment jo më shumë se 150 metra, me protagonistë artistët këngëtarë të përhershëm të saj.

NJË ZË, NJË KËNGË E SHUMË NOSTALGJI

Është ai zë, ai këngëtar, që më shoqëron ndërsa kaloj në atë pedonale. Një djalë tejet simpatik, modern, por jo vetëm këngëtar, muzikant, instrumentist, ndërsa të rrëfen, njihesh me historinë e tij. I mjafton një motorbiçikletë me numër, unikale në Tiranë, që e i shërben si transportues e mjeteve, atyre pak veglave që e shoqërojnë për të përformuar. Shumë kureshtarë, shqiptarë, të huaj, turistë do të ndalen për të dëgjuar atë që ekzekuton Kristi.

Secili për të dëgjuar pak muzikë, falë një repertor tipik, me këngë që edhe sot kanë mbetur ikona, të njohura për nga fama, falë atij interpretimi, stili të këngëtarit te asaj pedonaleje, bashkë paraqitjen, estetikën unikale. Një borsalino klasike, në sintoni, me këngët, tingujt që përhapen ndërmjet një aparature, që ai e hap, e mbyll kur vjen dhe ikën pa zhurmë.

Si në historitë e njohura, të lexuar për këngëtarë të shquar, ata që kanë bërë historinë e Rock & Rolli-t, të asaj country, të mjaft rrymave muzikore. Ashtu e kanë nisur, në një lokal, bar nate, në një rrugë, një kitarë, një mikrofon, në një skenë të improvizuar, deri kur janë parë, janë shfaqur më pas në skena dhe në elitën e muzikës botorore.

FORCA E FJALËVE DHE E MUZIKËS

Janë këngë që kryesisht më dërgojnë te gjigantët, të paharruarit e muzikës shqiptare, ata botërore të viteve 60-70, 80- të. Me alternativat, ku të gjithë brezat, mund të gjejnë një detaj të jetës së tyre, falë historisë së këngëve, që përcjellin forca e fjalëve dhe muzika. Këngë të dëgjuara në Radio Montekarlo, Radio Luxemburg, duke më rikthyer emocionalisht në orët pas mesnate, kur në klandestinitet ndiqnim ato stacione, me këngëtarë, grupet angleze, amerikane. Tek ato mbrëmjet e improvizuara, me një magnetofon “Uher” apo “Gelosa”, fshehurazi, nxënës, gjimnazistë, studentë, të dashuruar, falë një pasioni pa kufi.

Nga Creedence Clearwater Revival me “Have you ever seen the rain”; Eagles me “Hotel California”; Scorpions me “Wind of change”, Brayan Adams “Everything i do”; Michael Bolton me “When e man loves a woman”; Stevie Wonder me “I just called to say i love you”; Queen me të njohurën “I want to break free”; Bryan Adams, me “Please forgive me”; Bee Gees “To love somebody”; Dire Straits me “Sultans of sëing”, Zeppelin me “Black dog”, Slade “Mama ëeer all creazee now”, Elvis Presly me “My way” të Sinatrës, Tom Jones “Delilah”, Elton John me “Rocket man”, Battisti me “Un’aventura”, Uillson Picekt me “Debora”, Litwll Toni me “Cuore matto”, Mal me “Pensiero d’amore, Celentano me “Chi non lavora non fa l’amore”, Leali “ a chi”, Franco I-Franco IV, “Ho scritto t’amo sulla sabbia”, Morandi “Un’mondo d’amore”, Reitano “Aveva un cuore”, “Liza dagli occhi blu” e Tessutos, Beatles me “Ob-la-di, Ob-lada”, Rolling Stones me “Angi”, etj etj.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →