Muzeu “Marubi” ka hapur dyert e ekspozitës tashmë jo për veprat e shekullit të shkuar, apo fotot e pamjeve nga Shqipëria.
Gregory Crewdson, e kuruar nga Jean Charles Vergne u paraqit për artdashësit në Shkodër përmes shkrepjeve që ai ka bërë dhe pas prezantimeve që bëri në disa shtete. Në 2023 ishte e ekspozuar në Galleria di Italia të Torinos prej ku kjo ekspozitë vjen. Një ekspozitë e cila në atë vit u ekspozua edhe në Lumër Foundation. Një ekspozitë e cila para pak muaj ishte në muzeun e Vjenës. Drejtori i muzeut, Luçjan Bedeni, shprehet se Marubi vitin e ardhshëm do të jetë prezent në skenën ndërkombëtare ndërsa zyrtarisht janë kandidat për t’u bërë pjesë e UNESCO… “Ne jemi zyrtarisht kandidatë për t’u bërë pjesë e UNESCO-s”- tha ai.
Shtrirja gjeografike pritet të jetë më e madhe gjatë vitit 2025 për muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi”. Drejtori i Muzeut “Marubi”, Luçjan Bedeni thekson se “hapja e ekspozitës Eveningside e fotografit me famë botërore Gregory Crewdson shënon një ngjarje të rëndësishme për skenën e fotografisë në Shqipëri. Sjell në vëmendje që ky autor është ekspozuar në muzeumet më prestigjioze në New York në The Museum of Modern Art – MoMa, Guggenheim Museum, Whitney Museum of American Art, në Londër në Victoria and Albert Museum, në Vjenë në Albertina Museum, në Torino në Gallerie D’Italia, në Arles në festivalin Rencontres de la photographie dhe aktualisht në Shqipëri në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi””.
Sipas tij, realizimi i kësaj ekspozite në Muzeun Marubi rikonfirmon edhe njëherë seriozitetin e institucionit ndër vite dhe programit të një niveli sikur homologët e tjerë në Evropë. Ekspozita prezanton vepra nga tre seritë e krijuara midis viteve 2012 dhe 2022. Të parashikuara si një trilogji, ato paraqesin një pasqyrë unike në një dekadë krijimtarie dhe zbulojnë dy boshtet qendrore – intime dhe politike – të universit që e ka paraqitur Gregory Crewdson si një nga figurat kryesore të fotografisë. Gregory Crewdson, gjatë tri dekadave të fundit ka mishëruar një portret të Amerikës së Mesme, atë Amerikë të periferisë me gardhe të drunjta që sodit me sy të stërhapur shkëlqimet e një ëndrre të venitur, e cila prej kohësh është e zbehur dhe e fishkur.
Drejtor i përgjithshëm i Gallerie d’Italia, Michele Coppola është shprehur lidhur me hapjen e kësaj ekspozite në Shkodër: “Puna me fotografët më të rëndësishëm të botës përmes komisionimit të veprave që trajtojnë tematika bashkëkohore, nënkupton shtrirjen e projektit të Muzeut të Intesa Sanpaolo-s, Galleria d’Italia përtej kufijve të vendit. Në këtë kontekst, ekspozita Eveningside, fillimisht prezantuar në Torino me pas në Francë dhe Finlandë, tani ka mbërritur në Shqipëri. Kjo iniciativë nxit një dialog ndërkombëtar që merr shkas nga bashkëndarja e imazheve të jashtëzakonshme të Gregory Crewdson”.
/Gazeta Panorama