Inaugurimi i shkollës “26 Nëntori” në Tiranë/ Caka: Gënjeshtër e Rilindjes, institucioni ka qenë aty. Rilindja degradoi arsimin

inaugurimi i shkolles 26 nentori ne tirane caka genjeshter e rilindjes institucioni ka qene aty rilindja degradoi arsimin
inaugurimi i shkolles 26 nentori ne tirane caka genjeshter e rilindjes institucioni ka qene aty rilindja degradoi arsimin

TIRANË – Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka, në një deklaratë për mediat, deklaroi se dje zyrtarët e qeverisë kanë inauguruar shkollën “26 Nëntori”. Caka shprehet se për banorët kjo është tallje, sepse ata e dinë se kjo shkollë ka ekzistuar që në vitet 1990. Më tej, Caka ka hedhur akuza në drejtim të qeverisë, duke u shprehur se për interesa personale dhe vjedhje galopante kanë degraduar sistemin arsimor.

Postimi i Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka:

Mashtrimet e Rilindjes nuk kanë fund!

Ditën e djeshme, qeveria e Rilindjes shpërndau me shpejtësi një lajm të fabrikuar ku reklamonte se në Tiranë u hap një shkollë e re me emrin “26 Nëntori”. Për të gjithë banorët e Tiranës, sidomos ata të njësisë nr. 5, ku është e lokalizuar shkolla, ky lajm ishte një tallje, pasi të gjithë e dinë që kjo shkollë nuk është e re, por ekziston prej së paku që nga vitet ’90.

Kjo shkollë u dëmtua nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 dhe për 4 vite e gjysëm, nxënësit e kësaj shkolle janë sorollatur duke zhvilluar mësim me turne në gjimnazin “Besnik Sykja”. Por, çfarë thoshte Edi Rama për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti?

Rama premtoi se të gjitha shkollat e dëmtuara nga tërmeti do të rindërtoheshin brenda vitit 2020 dhe viti i ri shkollor 2020-2021 do të niste në shkolla të rikonstruktuara, por këtë premtim si shumë të tjerë nuk e mbajti, duke i lënë nxënësit dhe prindërit e tyre në harresë të plotë.

Kjo gënjeshtër, që zgjati plot 4 vite e gjysëm, vjen si pasojë e vjedhjes masive që i është bërë fondeve të dedikuara për rindërtimin, pasi Edi Rama, së bashku me Veliajn, u kujdesën të shembnin komplekse të tëra banimi, shpeshherë kundër dëshirës së banorëvë e vendimeve të gjykatave, me qëllimin e vetëm ndërtimin e kullave dhe komplekseve të miqve të tyre ndërtues.

Kjo gënjeshtër, do të kishte zgjatur akoma edhe më shumë, nëse nuk do të ishte për BE-në, e cila mori përsipër të rindërtonte shkolla të dëmtuara nga tërmeti i 2019-s.

Në rikonstruktiin dhe rihapjen e shkollës “26 nëntori”, qeveria dhe Bashkia nuk kanë asnjë meritë dhe shfaqja e djeshme ishte po aq e shëmtuar sa portali i mësuesve, të cilin Ministrja e Arsimit u përpoq t’a shiste si sukses. Dështimin e portalit të mësuesve, më mirë edhe se Ministrja, e dinë mbi 4.000 mësuesit që kanë vite pritjeje dhe që nuk punësohen, ndërsa hajrin atij portali, ia kanë parë vetëm patronazhistët dhe anëtarët e Rilindjes.

Kemi treguar gjithmonë me fakte se sa pak të rëndësishme janë institucionet arsimore dhe infrastruktura e tyre për Rilindjen, e cila ka degraduar arsimin, si në terma financiarë, me paga të ulëta dhe keqtrajtim të mësuesve, ashtu edhe në terma cilësorë, ku shkollat shqiptare braktisen çdo ditë e më shumë, numri i nxënësve bie dhe kurrikulat janë më skandalozet në historinë e Shqipërisë. Për Rilindjen, vjedhja do të jetë gjithmonë prioritare dhe kjo faktohet nga veprimet e koordinuara mes qeverisë dhe bashkisë, të cilat në tetor të vitit që lamë pas, hoqën 6 milionë euro nga buxheti i arsimit dhe ia kaluan pagesa inceneratorit që nuk ekziston dhe që është nën hetim e sekuestro.

Dje ishte dita e shënuar e 7 Marsit, festa e mësuesve, shkollave dhe arsimit në tërësi dhe në kuadër të tyre, dua t’ju kujtoj se Partia e Lirisë do të vazhdojë të ndjekë dhe të bëjë gjithçka, në Kuvendin e Shqipërisë dhe në qeverisjen vendore, për të shëruar plagët e thella dhe krizën e rëndë ku ka hyrë arsimi në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →