Integrimi në BE/ Guvernatori Sejko prezanton progresin e BSH: Jetojmë në një botë të mbushur gjithnjë e më shumë me sfida! Të mbetemi të përqendruar tek objektivat

integrimi ne be guvernatori sejko prezanton progresin e bsh jetojme ne nje bote te mbushur gjithnje e me shume me sfida te mbetemi te perqendruar tek objektivat
integrimi ne be guvernatori sejko prezanton progresin e bsh jetojme ne nje bote te mbushur gjithnje e me shume me sfida te mbetemi te perqendruar tek objektivat





































Guvernatori i BSH, Gent Sejko mori pjesë në Konferencën e nivelit të lartë të organizuar nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut dhe Komiteti Bretton Woods, me temë “Bankat qendrore dhe bankingu qendror në një botë shumë komplekse: Demonstrimi i përkushtimit dhe ruajtja e besueshmërisë”, të organizuar në Shkup, Maqedoni e Veriut.

Guvernatori prezantoi progresin e kryer nga Banka e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian, veçanërisht në fusha si ajo e mbikëqyrjes bankare dhe ajo e sistemeve të pagesave. Në kuadër të kësaj të fundit, ai u ndal në reformat e nismat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë lidhur me zhvillimin dhe modernizimin e sistemeve të pagesave, me synim përafrimin e mëtejshëm të tyre me sistemin e pagesave të Eurozonës (SEPA).

Guvernatori Sejko u shpreh se vitet e fundit, bankat qendrore kanë marrë përsipër përgjegjësi që shtrihen përtej fokusit të tyre tradicional në politikën monetare. Ndryshimet klimatike, në veçanti, janë bërë një shqetësim i rëndësishëm, pasi paraqesin kërcënime të drejtpërdrejta për stabilitetin financiar dhe qëndrueshmërinë ekonomike.

Ndërsa përgjegjësitë e reja – të tilla si menaxhimi i rreziqeve klimatike dhe monedhave digjitale – janë të rëndësishme, ato duhet të plotësojnë dhe jo të konkurrojnë rolet tradicionale të bankave qendrore. Guvernatori shtoi se stabiliteti financiar afatgjatë mund të rritet, duke integruar me kujdes këto mandate dytësore.

“Jetojmë në një botë të mbushur gjithnjë e më shumë me sfida, të cilat janë njëkohësisht komplekse dhe të ndërlidhura. Përparimi i shpejtë në teknologjinë financiare dhe bankingun digjital, ndryshimet klimatike, tendencat e rënduara demografike, si dhe një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më i ndërlikuar, po vë në provë ekonomitë, shoqëritë dhe paradigmat mbizotëruese të politikave tona. Si bankierë qendrorë nuk mund të qëndrojmë mospërfillës ndaj këtyre sfidave. Ato paraqesin problem serioz për mandatet tona dhe kuadrin e politikave që ndjekim.

Mendoj se rruga për të ecur para është të mbetemi të përqendruar në objektivin tonë parësor, atë të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Aktualisht, duhet t’i njohim, t’i kuptojmë dhe t’i pranojmë këto sfida, si dhe të reagojmë ndaj tyre nëpërmjet instrumenteve dhe politikës monetare, pa vënë në rrezik objektivin tonë parësor.”– u shpreh Guvernatori Sejko.

Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori shtoi se bankat qendrore, duke u përballur me sfidat në rritje që vijnë nga revolucionet e vazhdueshme teknologjike dhe risitë financiare, duhet të rishikojnë në vazhdimësi praktikat ekzistuese dhe të përshtaten me realitetin e ri.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al