Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të premten se Kosova është duke kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta trajtojë ashtu sikurse Serbinë, në synimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai i ka bërë këto deklarata në Komisionin e Kuvendit të Kosovës për Integrime Evropiane.
Përgjatë paraqitjes së tij, Bislimi është pyetur pse Kosova po kërkon që procesi i dialogut me Serbinë – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – të ndahet prej procesit për integrimin e Kosovës në bllokun evropian.
“Dialogu është lidhur me integrimin evropian në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Dialogu është pjesa kryesore në kapitujt e marrëveshjes, rrjedhimisht progresi ka qenë i lidhur me këtë. Ajo që ne kemi thënë është që trajtimi i lidhmërisë mes progresit në dialog, dhe progresit në rrugën drejt BE-së, duhet të jetë i njëtrajtshëm si rreth Kosovës, ashtu edhe Serbisë”.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, në dhjetor të vitit 2022, dhe tani ka vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi (MSA) me BE-në.
Sipas tij, Serbisë i është mundësuar që të ecë paralelisht me të dyja proceset, ndërsa te rasti i Kosovës është thënë që për progres drejt integrimit, duhet të ketë progres në dialog.Si ilustrim, ai ka thënë se nëse për finalizimin e procesit të integrimit për Serbinë mund të duhen pesë vjet, për Kosovën ajo kohë do të zgjatet në 10.
Bislimi ka thënë se e kupton pse BE-ja insiston që vendet që synojnë bllokun duhet t’i kenë të zgjidhura të gjitha mospajtimet bilaterale, mirëpo “anëtarësimi është diçka tjetër”.
Më 6 dhjetor të vitit të kaluar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pati paralajmëruar se ka mundësi që Marrëveshja e Ohrit mund të bëhet pjesë e negociatave të Kapitullit 35 me Bashkimin Evropian, dhe kusht për anëtarësimin e Serbisë në këtë bllok.
Në kapitullin e 35-të, për pranim të Serbisë në BE-së, përfshihen edhe marrëdhëniet e këtij shteti me Kosovën.
Marrëveshja e Ohrit – e arritur mes dy vendeve në mars të vitit të kaluar – parasheh që Serbia t’i njohë simbolet shtetërore të Kosovës, nuk e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe palët e respektojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të njëra-tjetrës.
Disa burime të Radios Evropa e Lirë patën thënë në dhjetor se disa shtete anëtare të BE-së do të propozojnë që në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në bllok të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe të gjitha obligimet nga marrëveshjet e kaluara në kuadër të dialogut.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co