PROF.ASC. AFRIM DANGËLLIA*
Interesimi për një studim në thellësi të proceseve të trurit ka filluar që në Greqinë e lashtë, gjë që e dëshmojnë dhe dorëshkrimet e asaj periudhe. Në shekujt në vazhdim, personalitete të filozofisë dhe letërsisë si Dekarti, Spinoza, Dostojevski, Nitzsche, Freud dhe të tjerë demonstruan me veprat e tyre, në mënyrë empirike, thelbin e “Shpirtit” që Hipokrati e cilësonte si Psihika. Por natyrisht, pa arritur në një konkluzioni se çfarë pasqyron në të vërtetë psikika. Studimet genetike, neurobiokimike dhe ato të biologjisë molekulare në shekujt e 20 dhe 21 vunë në pah të dhëna shkencore mjaft interesante.
U kapërcyen bindshëm, kontradiktat e dikurshme ndërmjet psikoanalistëve dhe neuro-shkencëtarëve të kohëve postmoderne. Dhe ndërmjet Frojdit dhe neofrojdistëve, vazhduan për disa dekada debatet mbi strukturën e psikikës, sidomos në gjysmën e parë të shek.XX. Por, do të shikojmë në vazhdim se aty nga viti 1956 u fut në shkencën botërore një termi i ri, ai i Inteligjencës Artificiale – IA. Natyrisht, kjo qasje e re i vuri në lëvizje shkencëtarët nga të gjitha fushat e zhvillimit, për të vlerësuar përparësitë e saj në shërbim të njerëzimit. Pra, u hap një dritare e re, e cila ngjallte optimizëm. Një prej themeluesve të shkencës kompjuterike, amerikani John Mackarti (1927 – 2011) e dha këtë definicion të IA për herë të parë. Ky shkencëtar i shquar ka kontribuar gjerësisht në fushën e kompjutërve.
Definicioni IA ka të bëjë me përdorimin e kompjuterave inteligjentë, të cilët me proceset që kryejnë, ngjasojnë me proceset e trurit të njeriut. “Por ata janë larg trurit të njeriut, sepse kompjuterave u mungon ‘vetëdija’. Një proces njohës i njeriut që bazohet tek vlerat morale”. Këtë përcaktim e dha mjaft qartë një superinteligjencë britanike e psikiatrisë, i ndjeri prof. Hugh Freeman që në vitin 1992 në revistën britanike të psikiatrisë. Një nga revistat me impakt faktor nga më të lartat në lëmin e psikiatrisë. Me prof.Freeman pata një korrespondencë në ato vite në lidhje me botimin e artikullit të tij: “The Brain and The Political Behaviour”. Këto makina inteligjente citonte prof.Freeman janë në gjendje të japin një përpunim më të shpejtë të të dhënave nga sektorë të ndryshëm të shkencave dhe të ekonomisë. Prof.Freeman flete dhe për një nga shkencëtarët e Inteligjencës Artificiale, i cili konsiderohet si një fenomen i shek.XX, britaniku Alan Turing (1912-1954). Në vitin 1950, ky gjigant i shkencave, por fatkeq me suicidin që pësoi, boton artikullin me titull “Makinat kompjuterike dhe Inteligjenca”.
Një shkrim që pati jehonë të konsiderueshme në të gjithë botën shkencore. Këtij personaliteti i përket dhe zbulimi “Kodit Enigma” të komunikimit të nëndetëseve gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në USA, por tashmë në shek.XXI, një tjetër shkencëtar me emër Nick Bostrom, botoi një libër në vitin 2014 me titull: “AI: The Paths, dangers and strategies” (Inteligjenca artificiale: E ardhmja, rreziqet dhe strategjitë). Ky libër shënoi rekorde në shitjet në USA si një “Best seller”, por në të njëjtën kohë pati edhe mjaft kritika për sa i takonte të ardhmes së ekzistencës së njerëzimit. IA sot po gjen zbatim në mjekësi, sidomos në fushën e radiologjisë, të onkologjisë apo në okulistikë. Gjithashtu ka një interesim në rritje te neuro-shkencëtarët, për të gjetur rrugë të reja të eksplorimit, sidomos në lëmin e psikikës. Po bëhen përpjekje serioze dhe në aplikimin e IA në çregullimet mendore të cilat janë mjaft komplekse si në gjenetikën e tyre, ashtu edhe në diagnostikimin. Nga të dhënat e literaturës, mësojmë se që nga viti 1990 dhe deri më 2017, barra financiare e çrregullimeve mendore u rrit nga 2.4% deri në 4.7% në rang botëror. Një shifër kjo që ka sjellë mjaft diskutime dhe në aspektin social. Dhe në vendin tonë kemi një rritje të çrregullimeve neuro-psikiatrike gjatë viteve 90 dhe më tej.
E ardhmja e njeriut paraqitet akoma më stresante në kohët e “Revolucionit Digital”. Pyetja shtrohet se, ku konsiston aplikimi Inteligjencës Artificial sot dhe në disiplinën e shëndetit mendor, një degë e mjekësisë, që përmban mjaft subjektivizëm? IA do të sjellë një përmirësim të dukshëm në intervistën ndërmjet mjekut psikolog, psikiatër dhe pacientit, duke shkurtuar kohën që i duhet. Aplikimi i saj do të ulë ndjeshëm distancat e largëta të pacientëve, për të kontaktuar direkt me mjekët neuropsikiatër apo psikologë. Gjithashtu, do të ndihmojë në përcaktimin e diagnozave si dhe në përpilimin e algoritmeve të mjekimit. Gjithashtu IA do të përmirësojë ndjeshëm punën e psikologëve me metodat psikoterapeutike të mjekimit, me disa aplikacione tashmë në përdorim si Tess apo Chatbots etj.. Një tjetër aplikim do të jetë me anë të programeve në trajtim sidomos të psikozave. Metoda Avatar, e cila shërben kryesisht për trajtimin e psikozave me halucinacione, qoftë ato vizive apo të dëgjimit.
Pacienti qëndron përpara kompjuterit, i cili shfaq një karakter audiovizual, që e ndihmon pacientin që të ballafaqohet me zërat që dëgjon për të mos i shkaktuar situata anksioze. Në psikiatrinë e fëmijëve dhe adoleshentëve po përdoret IA në trajtimin e mungesës së vëmendjes, sidomos tek ata fëmijë që janë diagnostikuar me autizëm. Në psikiatrinë e të moshuarve, që vuajnë nga demencat, IA po përdoret me anë të robotëve, veprimet e të cilëve ngjasojnë me aktivitetin e njeriut. Robotët i ndihmojnë këta pacientë, të cilët kanë vështirësi për një jetë normale, për të nxitur sidomos komunikimin. Robotët u asistojnë të moshuarve dhe në aktivitetet e tyre ditore. IA u përdor me sukses edhe tek njerëzit, të cilët kaluan COVID-19, por që patën pasoja serioze nga virusi në sistemin nervor. Kryesisht përsa u takon gjendjeve të ankthit, po ashtu dhe te pagjumësitë, sidomos ato refraktare.
Natyrisht deri tani arritjet në këtë fushë janë disi të kufizuara, sidomos në disiplinën e shëndetit mendor, por e ardhmja është premtuese. IA do u shërbejë njerëzve që vuajnë me shëndetin mendor apo fizik, për të përmirësuar vetëkontrollin e tyre, vetëbesimin si dhe të fitojnë një sjellje të dobishme prosociale. Kjo i ndihmon pacientët, në forcimin e egos së tyre për të gjetur dhe ata vendin në shoqëri si njerëz të dobishëm dhe jo të “Anashkaluar”. Sot pacientët e prekur nga vuajtjet shpirtërore, që jetojnë në kultura të ndryshme, janë ndarë në dy grupe. Kjo e dëshmuar sipas sondazheve që realizohen nga mjekët dhe profesionistët e statistikave të të dhënave shkencore që i përkasin shëndetit mendor. Një kategori pacientësh ka preferencë për trajtim ‘online’, duke u bazuar tek funksioni kompjutërve inteligjentë, tjetri grup kërkon trajtim duke pasur mjekun psikolog apo psikiatër pranë. Pyetja që bëhet aktualisht sot nga neuro-shkencëtarët është se: A do t’u rezistojë në kohët postmoderne IA opinioneve të publikut në mbarë botën për përparësitë e saj, apo të kundërtën?! Mos vallë IA do të sjellë dëmtime të pariparueshme në shëndetin e njeriut?! Dum spiro spero, shpreheshin dikur latinët. (Përderisa marr frymë, shpresoj) *Psikiatër
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co