INTERVISTA/ “Pasi dështuan me nxjerrjen jashtë ligjit të PD, i izoluan liderin”- Kriza politike/ Tritan Shehu: Pse është i pamundur dialogu me PS-në

intervista pasi deshtuan me nxjerrjen jashte ligjit te pd i izoluan liderin kriza politike tritan shehu pse eshte i pamundur dialogu me ps ne








































VALENTINA MADANI/ Deputeti demokrat, Tritan Shehu, denoncon tentativat e mazhorancës për të zhbërë opozitën në vend. Z.Shehu thotë për gazeta “Panorama” se pasi dështuan në përpjekjen për ta nxjerrë PD-në jashtë ligjit, i izoluan liderin e saj.

Tritan-Shehu-1

Sipas deputetit të PD-së, realiteti nuk lë shteg për dialog me mazhorancën, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për bashkëpunim. Z.Shehu denoncon lidhjet e politikës me krimin dhe korrupsionin dhe apelon për qeveri teknike si e vetmja zgjidhje për garantimin e votës së lirë. Ai shpreh bindjen se opozita nuk do të ndalet deri në arritjen e qëllimit të saj, që shqiptarët të votojnë të lirë në zgjedhjet e 2025-ës.

Z.Shehu, cila është sot Shqipëria e vërtetë në sytë e opozitës…?

Shqipëria sot jo në sytë e opozitës, por me realitetin e saj të hidhur, është e kundërta e asaj që duhej të ishte e të cilën aspirojnë e meritojnë shqiptarët. Sot fatkeqësisht Shqipëria është një vend që është zbrazur nga një pjesë e madhe e shqiptarëve, të rinjve, të atyre që kanë kapacitetet dhe vullnetet më aktive për një Shqipëri europiane. Askush nuk e thotë qartësisht sa shqiptarë jetojnë akoma këtu, sepse dhe të dhënat zyrtare kërkojnë të fshehin këtë realitet, që karakterizohet nga dëshira shkatërruese për të braktisur vendin. Dhe vendi po vazhdon të braktiset më keq se sa disa vende në luftë apo nën pushtime.

Mendoj se përgjigja e kësaj pyetjeje të madhe përmban në vetvete gjendjen reale të vendit, nga e cila dalin më tej edhe përgjigjet dhe çfarë duhet bërë për të dalë nga kjo rrugë pa krye, ku ky regjim na ka futur. Dhe përgjigja është shumëdimensionale, por gjithsesi e hidhur e që kërkon një “korregjim” sa më të shpejtë, ndryshe gjendja rëndohet e zgjidhja vështirësohet. Baza, themeli i së “keqes” qëndron në atë që Shqipëria ka mbi krye, një regjim anadollak, lindor, sulltanatesh, primitiv, pra jodemokratik, jo me vizion perëndimor, të tipit të atyre që do t’u mjaftonin vetëm 800 mijë shqiptarë për të sunduar e pasuruar. Dhe këtu po shkojmë. Një regjim që kërkon të mbushë boshllëqet për fuqi pune me emigrantë nga Afrika, Azia e thellë, ashtu siç bëjnë ato regjime, pra me bujkrobër, të cilët as protestojnë dot e as votojnë. Pra, kemi të bëjmë me një regjim që ka shkelur jo vetëm interesat e qytetarëve, i përzë ata, por edhe interesat më të mëdha kombëtare.

Një regjim që për të sunduar a për të maskuar realitetin është gati t’ua shesë sulltanëve të tjerë, elementët më të çmuar për shqiptarët. Dhe e gjithë kjo, si nën një regjim lindor, Shqipëria është zhytur në varfëri, pesimizëm, shkelje të rënda të demokracisë, lirive, të drejtave, duke u kthyer në një narkoshtet, ku lulëzon korrupsioni e krimi e vetëm përfiton qarku i ngushtë rreth regjimit. Me dy fjalë, ky është realiteti i sotëm i vendit tonë, që veçse po largohet nga parimet e vizionet europiane. Një vend ku mbahet i izoluar politikisht lideri i opozitës, rrëmbehet ish-presidenti, burgosen deputetë për denoncimet që bëjnë. A nuk është ky kështu një regjim i vërtetë lindor.

Me çfarë po përballet aktualisht opozita? Cili është shtegu që po kërkon e djathta?

Opozita po përballet me atë, që në të vërtetë po përballen të gjithë shqiptarët. Me një regjim që po shkel të drejtat. Që ka shkatërruar edhe parlamentarizmin. Me një regjim që përdor politikisht drejtësinë për të izoluar kreun e opozitës. Pra, për të goditur e zhbërë atë. Deri para pak muajsh ishim nën një tentativë për të nxjerrë jashtë ligjit PD-në. Dështoi falë rezistencës popullore, protestave të mëdha të saj, që treguan forcën e PD-së në sajë të qëndresës së PD-së e të Sali Berishës si kryetar. Sot jemi në një situatë përsëri regjimesh.

Me kryetarin të izoluar politikisht. Pra, opozita po përballet me një deformacion të thellë të demokracisë e lirive, në fakt ashtu si të gjithë shqiptarët në të vërtetë. Deformacion ky, që lidhet me tjetërsimin e votës, mohimin e votës së lirë. Sali Berisha mbahet i izoluar, sepse duan të tjetërsojnë votën në tërësi. Ky është thelbi i realitetit, nga i cili dedukton thelbi i zgjidhjes, që nuk mund të jetë tjetër veçse lëvizje popullore, përballje me regjimin deri sa të garantohet vota e lirë, e cila pastaj mund të vendosë për të ardhmen politike të vendit.

Në një situatë të tillë, a është zgjidhje dialogu për të cilin apelojnë edhe ndërkombëtarët?

Dialogu është një fjalë e madhe, demokratike, e domosdoshme në demokraci e që tingëllon bukur, por shumë e përgjithshme dhe që në shumicë nuk arrin të perceptohet nga regjimet në kontekstin e tij. Regjimet e përkthejnë dialogun me nënshtrim, “puthje të dorës” së atij që të shkelmon, si me sulltanët. Ka një diferencë të madhe nga mënyra si perceptohet kjo fjalë në një demokraci perëndimore nga ajo që si perceptohen në regjimet lindore. Dhe mendoj se këtu ka një zhvendosje valësh midis asaj që deklarojnë partnerët tanë perëndimorë me dialogun dhe asaj që e percepton ky regjimi i ynë lindor, po me atë fjalë.

Në fakt, fatkeqësisht jemi në dy realitete krejt të ndryshme midis nesh e Perëndimit. Këtu është edhe problemi i “përkthimit” të rekomandimeve nga Perëndimi. Dakord, në parim të gjithë jemi për dialog, por a mund të ketë dialog për shkeljen e parimeve themelore të demokracisë, Kushtetutës, lirive, parlamentarizmit, të përballjes me korrupsionin galopant, që janë detyrimisht për t’u realizuar? Me burgosjen politike të Berishës etj.. Me përjashtimet masive e procedimet me akuza qesharake të deputetëve, por ka edhe më keq. Sot në Shqipëri ka një kriminalitet monstruoz, që për më keq kontrollon e drejton institucionet e shërben si “armë” e regjimit. Pra kemi një shtet të kriminalizuar. Me krimin, unë e konsideroj të pamundur dialogun.

Në këto kushte, pa dyshim që dialogu bëhet tejet i vështirë e krejt i ndryshëm nga ai që nënkuptojnë partnerët tanë perëndimorë, të cilët jetojnë në një botë demokratike e të lirë, pavarësisht edhe problemeve të saj. Megjithatë, kjo nuk përjashton edhe ato hapësira të ngushta, kur këto krijohen për dialog. Megjithëse kjo është shumë e rrallë, e vështirë dhe jo shumë produktive nën regjimet. Në këto kushte, në plan të parë del e duhet të dalë dialogu me njerëzit, qytetarët, ata që po pësojnë mbi kurriz bëmat e këtij regjimi. Dhe së pari, për t’u vrarë frikën atyre, për të kuptuar se dhe ky vend mund të bëhet e do të bëhet, se e ardhmja jonë duhet të jetë europiane. E për këtë duhet lëvizja, mobilizimi i të gjithëve. Se në Shqipëri sot janë t gjithë të shtypur, edhe socialistët, edhe ata që u hidhet ndonjë “kockë” si lëmoshë nga regjimi.

“Përfituesit” e kësaj batërdie shqiptare në fakt janë shumë pak përballë masës së popullit tonë, një pakicë “patricësh” të rrethuar nga një shumicë “plebenjsh”. Mosbindja civile është bazuar të përndjekja politike e eksponentëve të opozitës dhe krijimi i një qeverie teknike.

Pse gjithë ky insistim i opozitës për qeveri teknike, ndërkohë që pakti Rama-Basha më 2017 nuk zgjidhi çështjen e garancisë së votës?

Jo, mosbindja civile bazohet te kjo gjendje që përshkrova më lart për pothuajse të gjithë shqiptarët. Burgosja e Berishës, rrëmbimi i Ilir Metës, represioni tjetër mbi deputetët janë tregues të gjendjes, janë pjesë e gjendjes në tërësi. Këto përdoren edhe si mjet për të terrorizuar qytetarët në përgjithësi, për t’i paralizuar ata e për t’i bërë të struken. Mosbindja civile është forma më efikase e përballjes me regjimet, e detyrimit për të pranuar votën e lirë si instrumenti i vetëm për të përcaktuar të ardhmen politike të vendit.

Qeveria teknike e kërkuar sot nuk ka asgjë të përbashkët në thelb me atë që u bë më 2017. Ajo ishte thjesht një fasadë, asgjë më shumë. Sot kërkohen garanci esenciale e reale për të shkuar te vota e lirë. Për të kufizuar mundësitë e regjimit në përpjekjet e tij për tjetërsim të votës.

Si duhet të jetë qeveria kujdestare, me qëllim sigurimin e standardeve më minimale të zgjedhjeve të 2025?

Ka modele të suksesshme për këtë në botë, në përballje me regjimet, apo edhe si traditë demokratike në disa vende. Maqedonia e Veriut na dha një shembull konkret për këtë proces. Këtu kërkohet një mekanizëm, që të sigurojë një mbarëvajtje të procesit të ardhshëm zgjedhor, të minimizojë tjetërsimin e votës e manipulimet e shumta e të shumëllojshme elektorale që ky regjim bën, duke shkatërruar çdo proces elektoral. Dhe modelet e shembujt janë. Kjo qeveri teknike a si mund të quhet, do të jetë përgjegjëse vetëm për kaq. Jo për vendime politike, strategjike, reforma të vërteta. Mandati i saj është i kufizuar e koncentruar te mbarëvajtja e procesit zgjedhor. Për vende si i yni në regjim, kjo është thelbësore në rivendosjen e demokracisë. Më tej është vota e lirë, që do të vendosë për qeverisjen e ardhshme.

Çfarë veprimesh të tjera duhen marrë për të siguruar votën e shqiptarëve?

E thashë edhe më lart, duhet dialog i pandërprerë me qytetarët. Kjo bëhet duke shfrytëzuar çdo mjet e mundësi komunikimi. Ajo që thashë, një dialog i vazhdueshëm me qytetarët. Një dialog duke shfrytëzuar çdo mundësi, direkte, mediatike, me çdo mjet dhe veçanërisht nëpërmjet aksioneve politike direkte, rezistencës në rrugë, sheshe, ambiente urbane etj.. Që ata të bëhen koshientë për humnerën ku jemi sot e domosdoshmërinë e daljes prej saj, por edhe për domosdoshmërinë e mobilizimit e reagimit qytetar për këtë qëllim. Mohimi i votës së lirë të një populli është akti më i rëndë antidemokratik, siç ndodh këtu.

Prandaj duhet reaguar me mjete nga më të ndryshmet, sepse kemi të bëjmë me aktin më të rëndë të shkeljes së të drejtave, drejt skllavërimit të njeriut. Po kështu, pa dyshim edhe për këtë qëllim duhet forcuar e zgjeruar PD-ja si forca kryesore opozitare. Kjo nën një regjim është e vështirë, por jo e pamundur. Nga ana tjetër, një kujdes i veçantë duhet treguar ndaj dialogut me partnerët e institucionet ndërkombëtare demokratike. Partnerëve u duhet shpjeguar me durim realiteti, sepse unë i kuptoj ata, për vetë mentalitetin e tyre, ambientin ku qëndrojnë, disa herë pragmatizmin e tyre. Shpesh këto që ndodhin në Shqipëri janë të vështira për t’u pranuar e perceptuar nga ata. Prandaj duhen linja të vazhdueshme e aktive komunikimi me ata.

Por, diçka duhet të kuptojmë të gjithë ne, gjërat këtu në Shqipëri do të ndryshojnë vetëm nga reagimi i shqiptarëve. Është iluzion të mendosh se ndryshimi do të vijë me një “deux ex machina” nga jashtë. Është ky reagim i yni, që u bën e do t’i bëjë më të qartë situatën tonë edhe partnerëve tanë më të mirë. Në fund të fundit jemi ne, ata që e njohim gjendjen tonë reale me mirë se kushdo tjetër dhe kjo u duhet prezantuar partnerëve në çdo rast e mundësi. Jemi ne, ata që duhet të reagojmë të parët me vendosmëri, sepse jemi edhe të parët që e pësojmë këtë. Me tej, sigurisht do të vijë edhe reagimi i partnerëve.

Prej 12 vitesh, opozita nuk ka pushtet, nuk vendos firma dhe nuk vë vula, nuk lëviz para publike nga vendi, ndërkohë që drejtuesit e saj janë burgosur. A po bëhen arrestimet në mënyrë selektive dhe çfarë po e mban në pushtet Edi Ramën?

Sepse këtu vepron mekanizmi politik, shtypës, i dhunshëm mbi opozitën. Selektimin e personave që duhen goditur e bën regjimin sipas interesave politike. Berisha mbahet nën izolim si kundërshtar politik, nga frika politike që ka regjimi prej tij. Pikërisht për të shkatërruar PD-në, opozitën e procesin e ardhshëm zgjedhor. Ky është thelbi. Dhe këtu përdoret drejtësia si instrument goditës politik. Dua të qëndroj në këtë pikë. Nën një regjim gjithmonë drejtësia në tërësi është mjet i regjimit. Nuk e kam fjalën këtu për juristë të veçantë, individë, por për sistemin e së drejtës në tërësi.

Është iluzion të mendosh se mund të ketë drejtësi të pavarur nën regjim dhe aq më shumë se ajo do të shembë regjimin. Absurde kjo. Vetëm në demokraci mund të ketë drejtësi të pavarur. Pra, së pari duhet rrëzuar regjimi, duke filluar ndërtimi i demokracisë që të ngrihet më tej drejtësia e pavarur. E kundërta është e pamundur. Këtë ka treguar edhe eksperienca e proceseve demokratike në botë. Fundi i regjimeve shënon edhe fillimin e ndërtimit të një drejtësie të vërtetë, europiane, vendosjen e rendit të ligjit, jo anasjellas.

Pse kaq e pafuqishme opozita për të sfiduar mazhorancën qeverisëse?

Nuk do të thosha këtë. Opozita është aktive. Ajo ka rezistuar e po reziston në një situatë agresioni të gjithanshëm mbi atë. Dhe është e fortë, mjaft e fortë. E aftë të organizojë protesta, veprime të gjera popullore. Të përballet me regjimin në tërësi. Pa dyshim në një vend si i yni, me të gjitha privimet që i bëhen opozitës, burgosur politikisht liderin, deputetë etj., kjo nuk është e lehtë. Por aktiviteti i opozitës po bëhet me goditës e po shkon në rritje. Të jeni të bindur që PD dhe opozita do të jenë e afta të rivendosin demokracinë në vend.

Si do të vijojë mosbindja civile? Çfarë synoni prej saj…? A po i përgjigjen civilët opozitës në qëllimet e saj…?

Do të shkojë në rritje, zgjerim, forcim. Në një organizim më të mirë për të qenë edhe më efikase. Por gjithmonë e kombinuar me të gjitha format e luftës politike, parlamentare e jashtë tij, mediatike, dialoguese me qytetarët etj.. Në Shqipëri e në kontaktet me partnerët tanë. Pra, në shumë fronte e shumë forma. Është e domosdoshme një “betejë” e gjerë, pluridimensionale, e larmishme, dinamike, me profesionalizëm në llojshmërinë e saj. Vetëm një mënyrë e tillë realizimi do të na japë suksesin kaq të rëndësishëm për rivendosjen e demokracisë te ne e përshpejtimin e integrimit tonë europian, që përbën objektivin tonë madhor e të palëkundshëm.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →