Investigimi/ Agjencitë jobuxhetore, luks i financuar nga tarifat ndaj qytetarëve

investigimi agjencite jobuxhetore luks i financuar nga tarifat ndaj qytetareve

Rritje e kostove për qytetarët
Më 16 janar të këtij viti Këshilli Drejtues i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) rriti tarifat për shërbimet më të kërkuara nga qytetarët. Disa prej tyre i dyfishoi. Të ardhurat për këtë agjenci gjatë vitit 2023 ishin 35 milionë euro, duke e bërë DPSHTRR-në një nga institucionet publike me buxhetin më të madh në vend. Regjistrimi për provimin e teorisë për kursantët, që duan të pajisen me leje drejtimi, u bë 2.000 lekë nga 1.000 lekë që ishte më parë. Për testin praktik çmimi u rrit me 800 lekë. Rritje pësuan dhe tarifat e riprovimit. Çmimi për lejen e drejtimit për kategorinë B shkoi 2.200 lekë dhe për kategoritë e tjera 2.800 lekë, nga përkatësisht 500 dhe 600 lekë që ishin më parë.

Tarifat
Tarifat

Shoqatat e Autoshkollave e konsiderojnë vendimin arbitrar dhe të paargumentuar. Sipas tyre, kostot shtesë do të reflektohen te çmimet e autoshkollave, një pjesë e të cilave rrezikojnë mbylljen.

“Dikur 10 kandidatë i regjistroja me 120 mijë lekë (të vjetra), sot më duhen 280 mijë lekë (të vjetra). Nëse unë regjistroja një rimarrje pikësh, më parë ishte 20 mijë lekë. Një rimarrje pikësh për një kursant është 50 mijë lekë (të vjetra), ndërkohë që autoshkolla s’ka fare tarifë në këtë pjesë për kursantin, është zero. Në këto raste kemi vetëm humbje”, – thotë Tonin Gjinaj, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Transportit dhe Telekomunikacionit të Shqipërisë.

Përveç tyre edhe tarifa e pajisjes me leje drejtimi u rrit me 1.000 lekë më shumë, ndërsa afati i vlefshmërisë së saj u zgjat nga 10 në 15 vjet. Leja e drejtimit ndërkombëtar nga 500 lekë, tashmë kushton 1.000 lekë, me afat vlefshmërie deri në 3 vjet.

DPSHTRR është një agjenci jobuxhetore, e cila i gjeneron vetë të ardhurat për 173 shërbime, që lidhen me transportin rrugor dhe sigurinë e tij, përfshirë së fundi kontrollin teknik të automjeteve. Si institucioni i vetëm, që ka të drejtën të ofrojë shërbime në dhënien e lejeve të drejtimit, të qarkullimit, të pajisjes me targa të mjeteve apo kolaudimit të tyre, tarifat e vendosura janë detyruese për qytetarët.

Pas Këshillit Drejtues vendimi për tarifat e reja u miratua nga Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë, si autoriteti final për çmimet e shërbimeve në këtë agjenci. Por, rritja e tarifave rezulton në shkelje të frymës së Kodit Rrugor, i cili dikton se vjelja e tyre bëhet në masën e duhur për të mbuluar shpenzimet, që lidhen me dhënien e shërbimeve, me investimet dhe me kontrollet e fushës së transportit dhe sigurisë rrugore.

“Tarifa nuk duhet trajtuar si një e ardhur që vilet në kurriz të qytetarit, por duhet të mbulojë koston. Tarifa me kalimin e kohës duhet të ulet, pasi kthehet në shërbim rutinë, që nuk i ka më kostot fillestare”, – thotë Eduart Gjokutaj, ekspert fiskal nga qendra Altax.

DPSHTRR në një përgjigje me shkrim shpjegon se ndryshimi i tarifave bazohet në një rekomandim të lënë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2016 për indeksimin e inflacionit, si dhe te rritja e investimeve. Agjencia shprehet se për disa tarifa, siç janë lejet e drejtimit dhe të qarkullimit, janë zgjatur afatet, duke sjellë ulje të kostove të shërbimit.

“Tarifa mesatare e shërbimeve të mjetit është ulur me -38 lekë ose -0.23% të tarifës mesatare të shërbimeve të mjetit”, – thotë DPSHTRR.

Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me mënyrën se si i shpenzojnë fondet agjencitë publike, jo-buxhetore në varësi të saj.

Fitime të larta dhe shpenzime luksi
Në vitin 2022 Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor arriti një bilanc pozitiv me 5.6 milionë euro fitime nga 30.1 milionë euro të ardhura, të mbledhura nga tarifat. Fitimi i vitit 2021 ishte dhe më i lartë, 6.8 milionë euro. Me fitim 1.8 milionë euro rezultoi kjo agjenci edhe gjatë vitit të pandemisë, 2020, kur shumica e kompanive publike dhe private pësuan humbje të thella.

Të ardhurat e agjencisë vetëm vitin e shkuar u shtuan me 5 milionë euro, ndërsa fondet e saj në bankë kapin vlerën 30 milionë euro.

“Si rregull, institucionet kanë edhe borde drejtues, të cilët nuk vendosin aty thjesht për të bërë ‘qoka’, por funksionojnë për të monitoruar lidhjet e linjës politike dhe ekonomike me atë që bën administrimi, që është drejtori ekzekutiv apo administratori. Kur çedohet nga kjo hallkë, lihet hapësirë për abuzim në shpenzime”, – thotë Eduart Gjokutaj.

Statuti e lejon DPSHTRR që një pjesë të fitimit ta mbajë për rezervë të kapitalit dhe për zhvillim. Deri në 15% mund ta ndajë për shpërblim të punonjësve dhe një pjesë tjetër, për ndihma sociale. Mbështetur në këtë nen të statutit, Këshilli Drejtues i kësaj agjencie në korrik të vitit 2022 ka dhënë 67 mijë euro mbështetje financiare për televizionin Top Channel. Ky fakt është shënuar edhe në bilancin e audituar të kësaj agjencie, por që mohohet nga DPSHTRR.

“DPSHTRR nuk e ka financuar televizionin Top Channel në asnjë lloj forme, as në formën e ndihmës sociale”, – shprehet agjencia. Zyra e Marketingut të Top Channel-it nuk iu përgjigj interesimit të INA Medias lidhur me këtë fond.

“Bamirësia” për televizionin më të madh në Shqipëri nuk është shpenzimi i vetëm, i pajustifikuar i DPSHTRR. Vitet e fundit agjencia ka nisur një plan për të rikonstruktuar pjesën më të madhe të godinave të saj.

Në vjeshtën e vitit të kaluar DPSHTRR zhvilloi tenderin për të rikonstruktuar ndërtesën qendrore në kryeqytet për 7 milionë euro. Projekti i hartuar nga arkitekti italian, Stefano Boeri, dhe firma Son Engineering, parashikon një ndërtesë 7-katëshe (5 mbi dhe dy nëntokë), me sipërfaqe 6.105 m2, bashkë me 39 vende parkimi. Kostoja e rikonstruksionit për metër katror llogaritet 1.146 euro. Kjo shifër është gati dy herë më e lartë sesa kostoja e ndërtesave civile në kryeqytet, të cilat kanë shpenzime shtesë të truallit dhe të taksave dhe 3 herë më e lartë se çmimi që ndërton Enti Kombëtar i Banesave.

Që nga viti 2020 agjencia, që ofron shërbimet e transportit rrugor, ka nisur rikonstruksionin e zyrave në Korçë, në Kukës, në Fier, në Berat dhe në Durrës; shpejt do të nisë rikonstruksionin në zyrën e Burrelit. Këshilli Drejtues ka miratuar 7.7 milionë euro për investime në ndërtim për vitin 2024. 8.7 milionë euro planifikohen për vitin e ardhshëm. Për tre vite (2020-2023), janë shpenzuar 62 milionë euro për investime kapitale, përfshirë këtu edhe financimin e një piste moderne për garat me makina në qarkun e Elbasanit, Auto Moto Park. Pas kontraktimit të projektit nga një studio e huaj, u zhvillua një konkurs ndërkombëtar për të nisur punimet. Ndërsa punimet nisën, DPSHTRR hapi garën për të kryer studimin e fizibilitetit, procedurë, e cila bëhet përpara vendimit për të nisur investimin. Agjencia do të paguajë 146 mijë euro për firmën Net-Group, kompani e vendosur nën sekuestro me vendim të Gjykatës së Posaçme, pasi dyshohet se transferonte pará për llogari të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi.

“Rikonstruksionet e objekteve të kryera nga DPSHTRR janë realizuar duke patur parasysh nevojën për ndërhyrje, me qëllim përmirësimin e kushteve dhe të ambienteve për qytetarët dhe për administratën”, – thotë DPSHTRR.

Lidhur me studimin e fizibilitetit për Auto Moto Park shprehet se, “qëllimi i tij është për projektin Auto-Moto Park me pistë testimi dhe eventesh, ngjarjesh sportive, si dhe për kontrollin e aftësisë për qarkullim dhe homologim të mjeteve rrugore, si dhe për muzeun Historiku i Automotorizimit të Transportit Rrugor, Shqiptar dhe jo për ndërtimin e pistës.”

“Kur bëhet një planifikim i shpenzimeve të “luksit” të institucioneve, zakonisht këto lloj shpenzimesh zënë një vlerë shumë të vogël në peshën e tyre dhe nga ana tjetër duhet të jenë në funksion të qëllimeve kryesore të institucionit. Rasti i financimit të Auto Moto Park nuk lidhet me funksionin e agjencisë”, – sqaron Gjokutaj nga qendra Altax.

Në vazhdën e financimeve të luksit, të vetmit që vënë në pikëpyetje ecurinë e biznesit të tyre janë autoshkollat, të cilat varën shpresat se një bojkot mund ta ndryshonte vendimin e beftë dhe të pakonsultuar që Këshilli Drejtues i agjencisë mori për tarifat e reja. Grupi tjetër, që do t`i financojë këto shpenzime, janë qytetarët, të cilët do të paguajnë më shumë.

“E kanë marrë vendimin pa na pyetur dhe pa na konsultuar si grup interesi. Po e trajtojnë institucionin si çifligun e vet dhe as na takoi njeri. 1 ditë e bëmë bojkotin dhe nuk zgjati, sepse iu bënë autoshkollave presion. Kemi depozituar padi në gjykatë, do të bëjmë kallëzim dhe në prokurori për shpërdorim detyre, nuk kemi çfarë të bëjmë më”, – shprehet i shqetësuar Tonin Gjinaj nga Federata e Transportit.

Evente, dieta, bileta, shpërblime dhe gjoba
Agjencia e Shërbimeve të Transportit Rrugor funksionon si agjent tatimor i qeverisë në dy raste: për mbledhjen e taksës së mjeteve të përdorura dhe në vjeljen e taksës së luksit të makinave.

Çdo vit DPSHTRR merr 5% të këtyre të ardhurave si agjent tatimor, duke arkëtuar 4 milionë euro. Edhe nga gjobat në vonesën e pagesës së taksave DPSHTRR merr 60% dhe Drejtoria e Tatimeve, 40%. Sipas bilancit të dorëzuar për vitin 2022, përfitimet nga gjobat ishin 1.2 milionë euro.

Për prodhimin e dokumentacioneve dhe kontrollit i duhen 5 milionë euro dhe 17.6 milionë euro të tjera për pagat e 1.097 punonjësve. Shpenzimet e tjera mund të konsiderohen luks.

Çdo vit mijëra euro kanë financuar evente, pagesa për skena, konkurse, gara me makina, ekspozita retro dhe sponsorizime të ndryshme.

Gjatë vitit 2023 janë shpenzuar 20 mijë euro për bileta avioni, 60 mijë euro për të zhvilluar materiale videosh promovuese dhe 156 mijë euro për evente, nga të cilat 80 mijë euro kanë shkuar për podiume dhe foni. Për Konkursin Ndërkombëtar të Projektit Auto Moto Park Albania janë paguar 9 mijë euro për akomodimin e të ftuarve dhe 4 mijë euro për sallën e eventit.

“DPSHTRR organizon evente dhe panaire, që lidhen ngushtë me veprimtarinë e objektit të saj”, – sqaron agjencia, ndërsa ekspertët rekomandojnë që baza për tarifat dhe shpenzimet e këtyre institucioneve duhet të përcaktohet me ligj të veçantë. “Vendosja e tarifës duhet të kishte një bazë ligjore të përcaktuar qartë për të gjitha institucionet”, – thotë Gjokutaj.

Porti i Durrësit me fitime të majme, por tenton të rritë tarifat
Që prej vitit 1992 Autoriteti Portual Durrës (APD) ka statusin e personit publik, që ka detyrimin për financimin e shpenzimeve dhe mbulimin e kostove të shërbimit. Dy aktivitetet kryesore të shërbimeve portuale, terminali i mallrave rifuxho dhe ai i trageteve për bizneset, ofrohen nga kompani private. Për mallrat rifuxho kompania EMS Shipping and Trading derdh 11% të tarifave për Autoritetin Portual, ndërsa Albania Ferry Terminal, 49% të tyre. Tarifa për terminalin e konteinerëve ka peshën më të madhe në buxhetin e APD. Për këtë shërbim Autoriteti Portual kontraktoi disa vjet më parë firmën private Mariner Adriatic. Kompania paguhet 7.1 milionë euro në vit, ndërsa nga tarifa për konteinerët iu sigurohen mesatarisht 14.5 milionë euro në vit. 3.7 milionë euro janë vjelë nga terminali i mallrave rifuxho dhe 6 milionë euro nga koncesioni i trageteve.

Autoriteti Portual i Durrësit arkëtoi 27.8 milionë euro vitin e shkuar, nga të cilat 1.1 milionë euro ishin fitim. Fitimet vitet e mëparshme kanë qenë dhe më të larta. 1.6 milionë euro në vitin 2022, 2.4 milionë për vitin 2021 dhe 4.1 milionë euro gjatë pandemisë së vitit 2020. 10 milionë euro nga fitimet e mbledhura ndër vite ishin investuar në fondin privat Credins Invest, portofol i një banke tregtare, i cili investohet në bono thesari. Ky është një rast tipik se si agjencitë publike, në vend që t`i rishikojnë tarifat me ulje ose të derdhin fitimin në buxhet, mbajnë fonde në bankë për t’i dhënë borxh me interes shtetit. Pasi e mësoi këtë devijim, Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë kërkoi prishjen e investimit dhe drejtimi i portit e tërhoqi depozitën, duke e mbajtur në rezervën e kapitalit.

Edhe pse rezultatet financiare janë pozitive, vitin e shkuar APD iu propozoi ministrive përgjegjëse (Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ministrisë së Financave) rritjen e tarifave portuale. Vendimi hyri në fuqi në muajin shkurt, por u shfuqizua në korrik, pas ankesave të operatorëve tregtarë dhe kërcënimit për rritjen e çmimeve për konsumatorët fundorë. Operatorët shprehen se ka ende tarifa të fshehta, që janë rritur, ndërsa kostot janë shtrenjtuar edhe në portet e huaja, ku ata operojnë për të importuar mallra.

“Tarifat portuale janë rritur, ishin të larta më parë me nisjen e konfliktit Rusi-Ukrainë dhe pas stabilizimit ranë çmimet, tashmë janë rritur sërish për shkak të mbylljes së kanalit të Suezit, që po e bombardojnë si pasojë e agresionit të Izraelit në Gaza. Autoriteti i Durrësit i ka rritur, por jo në shkallë të lartë. U rrit energjia elektrike përpara dy-tre vjetësh, për shembull…”, – thotë Rodolf Xhillari, pronar i shoqërisë Balkan Trans Albania.

Autoriteti Portual
Autoriteti Portual

Shpenzimet e Autoritetit Portual Durrës bashkë me vlerën e kapitalit të tij nuk do të preken as për projektin e portit të ri në Porto Romano. Investimi do të financohet i gjithi përmes huamarrjes nga qeveria qendrore me një vlerë totale 415 milionë euro.

Gjatë vitit të shkuar APD prokuroi 3.1 milionë euro, pjesa më e madhe rikonstruksion dhe godina të reja, edhe pse në një plan të afërt të gjitha ndërtesat do të prishen për t’i lënë vendin rezidencës Durrës Yacht Marina. Edhe këtë vit në bazë të regjistrit të parashikimeve të prokurimit publik, 830 mijë euro do të shkojnë për mobilim dhe për rregullim të zyrave dhe një pjesë e këtij fondi do të përdoret për mirëmbajtjen e infrastrukturës së portit.

Porti i Durrësit parashikon të bëjë restaurim të tualeteve, të blejë perde me mekanizëm, pajisje elektro-shtëpiake, dyer të reja dhe punime mermeri. 110 mijë euro do të kushtojë mirëmbajtja e gjelbërimit, edhe pse në ambientet e portit nuk ka asnjë bimë. Për argëtimin e stafit do të blihet një objektiv për poligon qitjeje me vlerë 5 mijë euro.

“Në thelb, Ligji për Menaxhimin Financiar duhet të jetë i zbatueshëm edhe për këto institucione”, – thotë eksperti financiar nga qendra Altax, Eduart Gjokutaj, ndërsa APD nuk dha koment për asnjë nga pyetjet e dërguara nga INA Media.

Port “inteligjent”, por mallrat shkarkohen në tokë
Manisë për digjitalizimin e shërbimeve nuk i kanë shpëtuar as agjencitë jo-buxhetore, ku shpenzimet në sistemet e IT-së kanë peshën kryesore në buxhet.

Gjatë këtij viti APD parashikon 1.3 milionë euro për sisteme teknologjike, shumë që zë 40% të buxhetit të prokurimeve. Vetëm për sistemin Mail Cloud, i cili ble hapësirë për të ruajtur postën elektronike, do të shpenzohen 49 mijë euro, 250 mijë euro do të kushtojë sistemi elektronik i inteligjencës për mbrojtjen nga hakerimi. Për përmirësimin e shërbimeve do të investohen 730 mijë euro. Por, pavarësisht këtyre investimeve, numri i punonjësve është rritur, nga 455 në vitin 2022 në 460 për vitin 2023 dhe fondi i pagave është shtuar me 300 mijë euro, pa justifikuar thelbin e investimeve në teknologji.

“Teknologjia është ajo që ka ndikimin kryesor për qytetarët dhe që ndikon tek ulja e kostos”, – thotë eksperti Gjokutaj.

Operatorët, që punojnë pranë Portit të Durrësit, nuk janë të shqetësuar për tarifat më shumë sesa për cilësinë e shërbimeve, që ofron ky institucion. Rodolf Xhillari thotë se investimet kryesore duhet të orientohen në pajisje për mirëmbajtjen e mallrave, që shkarkohen dhe që kontrollohen në ambientet e portit.

“Shkarkohen konteinerët një për një, malli shkarkohet në tokë. Është rrezik për infeksione dhe viruse, sepse nuk ka një bazë frigoriferike”, – thotë ai.

Përveç frikës së prishjes së produkteve, z. Xhillari thotë se konteinerët detyrohen të rrinë të bllokuar në port gjatë ditëve me shi, çka rrit ndjeshëm kostot për ta.

“Rriten kostot për bizneset për depozitimin. Paguhen për këto ditë rrogat e kamionistëve, bie cilësia e produktit dhe kaloritë e tij, ndërsa ne rrimë e presim. Por, në fund fare, ai që e paguan këtë faturë, është konsumatori”, – tregon ai.

Vitet e fundit për shkak të rritjes së trafikimit të lëndëve narkotike nga kontrollet nuk shpëton asnjë biznes.

“Kontrolli bëhet për çdo konteiner, sidomos për ata me mish, që vijnë nga zonat e Brazilit, të Argjentinës etj. Janë futur të tërë në një thes”.

Autoriteti i Aviacionit Civil, arkëtime pa kontroll
Në vitin 2010 Shqipëria ngriti si institucion publik, jo-buxhetor Autoritetin e Aviacionit Civil (AAC). Detyra e tij është mbikëqyrja e veprimtarive të transportit ajror përmes vetë-financimit, që vilet nga tarifa e sigurisë, tarifa en route dhe nga licenca të operatorëve. Të ardhurat kryesore vijnë nga tarifa e sigurisë prej 4 eurosh, që paguan çdo pasagjer që udhëton jashtë vendit.

Nga kjo, 1 euro i shkon AAC-së. Në vitin 2022 të ardhurat nga kjo tarifë ishin 1.95 milionë euro, ndërsa vitin e shkuar shuma arriti në 3.2 milionë euro.

Rritja e numrit të pasagjerëve ka shtuar të ardhurat për AAC, duke i lejuar të krijojë fonde të mbartura në vlerën 780 mijë euro në fund të vitit 2022 dhe 1.7 milionë euro gjatë vitit të shkuar. Rritja e fitimit në shumën 1 milion euro për vitin 2023 nuk është transmetuar në rishikimin e tarifave, siç e sanksionon Kodi Ajror dhe Ligji për Autoritetin e Aviacionit Civil. Ky parim është nënvizuar edhe në pasqyrat financiare, të audituara nga grupi i ekspertëve kontabël në një letër drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Të ardhurat e realizuara, por të pashpërndara në fund të vitit të parë, buxhetor mbarten për vitin pasardhës dhe reflektohen në nivelin e tarifave dhe të ardhurat e parealizuara më pas derdhen në buxhetin e shtetit.”

Të pyetur nga INA, zyrtarë të AAC thanë se tarifat en route janë ulur, nga 55.81 euro në vitin 2022, në 48.87 euro gjatë këtij viti, ndërsa ajo e sigurisë është vendosur të mbahet në fondin rezervë “për të kontrolluar rrezikun që vjen si pasojë e ngjarjeve të paparashikuara, sikurse ishte rasti i COVID-19.”

Grupi i auditimit i ka rekomanduar Aviacionit Civil, që të forcojë sistemin e kontrollit për koncesionarin e Aeroportit të Tiranës, në rolin që ka si agjent tatimor për vjeljen e tarifës së sigurisë.

“Procedura e faturimit të sigurisë së TIA-s bazohet në statistikat e të dhënave të dërguara nga TIA. Konstatojmë se për informacionin e dërguar nga koncesionari nuk ka një procedurë për verifikimin e saktësisë së të dhënave për këtë qëllim.”

Kjo është një nga arsyet që grupi i audituesve ka vendosur që opinioni për AAC të jetë me “rezervë”.

Në një përgjigje për INA, Autoriteti tha se në bazë të këtyre rekomandimeve është ushtruar një kontroll më 30 mars 2022, ku nuk është konstatuar se numri i udhëtarëve raportohet saktë.

“Kur kalohet logjika ekonomike dhe ndërtimi i tarifave nuk ka kontroll bazik, kthehet më pas në bumerang, që rrit kostot dhe si rezultat, edhe tarifat për qytetarët; që kjo mos të ndodhë, duhet që të funksionojnë hallkat e kontrollit financiar”, – shprehet Eduart Gjokutaj nga Altax.

AAC dyfishon të ardhurat, por edhe shpenzimet
Nëse dyfishimi i të ardhurave për Autoritetin e Aviacionit Civil, nga 3.1 milionë euro në vitin 2022, në 7.4 milionë euro për vitin që lamë pas, do të ulte tarifat për pasagjerët që udhëtojnë nga Shqipëria përmes dy aeroporteve, atij të Rinasit dhe atij të Kukësit, ndodhi e kundërta: agjencia vendosi që t`i shtojë shpenzimet, nga 2.8 milionë euro, që ishin më parë, në 6.4 milionë.

Biletat e udhëtimeve, të cilat për vitin 2021 ishin 20 mijë euro, më pas u shtuan në 60 mijë euro në vitin 2022, për të kapur vlerën 100 mijë euro vitin e shkuar. Bashkë me shpenzimet për bileta, buxheti i AAC-së planifikoi që të financojë edhe 45 mijë euro për dieta dhe hotele.

Rritja e të ardhurave shërbeu gjithashtu që dhe Aviacioni Civil të niste rikonstruksionin e godinës, ku për punime rehabilituese, lyerje, mobilie, dyer, dritare, kondicionim dhe për vendosjen e një kuzhine ngrënieje janë shpenzuar 125 mijë euro.

Autoriteti i Aviacionit Civil ka rritur me 56% edhe shpenzimet për 80 punonjësit e tij, nga 1.75 milionë euro në 3.08 milionë euro. Fondi i pagave në vitin 2023 u rrit në 2 milionë euro, nga 1.5 milionë që ishte në vitin 2022. Për vitin 2022 AAC nuk e dha fondin e shpërblimeve, që planifikoi në fillim të vitit, për të dhënë më pas një fond të dyfishuar gjatë vitit 2023, me vlerë 400 mijë euro. Punonjësit e Autoritetit të Aviacionit Civil kanë të siguruar jetën dhe institucioni investon në fondin e pensionit privat, përveç sigurimeve shoqërore, që paguhen për skemën kombëtare. Në total këto dy zëra i kushtojnë Autoritetit 330 mijë euro në vit, ndërsa për trajnimin e tyre u shpenzuan 400 mijë euro të tjera.

Për shtimin e shpenzimeve Aviacioni Civil tha për INA Median se kjo vjen si një detyrim i konventave ndërkombëtare, ku është pjesë.

“Duke qenë anëtare e këtyre organizatave, Republika e Shqipërisë, nëpërmjet AAC-së, është subjekt auditimi nga këto organizata për të vlerësuar nivelin e implementimit të standardeve të tyre”.

“Duhet të investohet te pjesët e shërbimeve, që lidhen me nevojat e qytetarëve. Sa i takon pjesës rregullatore, ka nevojë për një rishikim të përgjithshëm për mënyrën se si duhet të menaxhohen agjencitë jo-buxhetore në raport me zhvillimet e brendshme të qeverisjes dhe si do të lidhen me pushtetin vendor dhe hallkat e tjera, si dhe parimin e hapjes së qeverisjes në drejtim të publikut”, – shprehet Gjokutaj./ INA

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →