“Vetting”/ Armand Kullau
Me 11 shkurt 2024 kati i nëndheshëm i Urgjencës së re në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, u mbulua nga flakët pas zjarrit që shpërtheu në godinë. Shumica e pacientëve që ndodheshin në spital u evakuan për të shmangur asfiksimin. Një pjesë e tyre u dërguan me urgjencën në spitalin e Saukut dhe disa të tjerë u sistemuan në pavijone të tjera të QSUT-së.
Por pas hirit që la pas zjarri i dy muajve më parë do të zbulonte fakte të forta lidhur me investimet që ishin kryer aty, duke nisur që nga krevatet e vjetra edhe pse për ndërtimin e Urgjencës u shpenzuan 17 milionë euro për ta ndërtuar nga e para.
Pak ditë pas shpërthimit të zjarrit në QSUT, kryetarja e komisionit parlamentar për shëndetësinë, deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji, kërkoi zbardhjen e shkaqeve dhe përgjegjësve të zjarrit në QSUT.
[embedded content]
“Ajo çfarë ndodhi në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është tregues i qartë ku ndodhet sot shëndetësia shqiptare. Qytetarët paguajnë për shëndetësinë më shumë se kushdo në Europë. Por pavarësisht kësaj ata nuk marrin shërbime. Miliardat , qeveria i çon për biznesin e koncesioneve dhe në xhepat e oligarkëve”, tha Gjergji në Kuvend.
Prokuroria e Tiranës nisi hetimet mbi zjarrin e rënë në Urgjencën e Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’, ku pritet të zbardhen shkaqet dhe dëmet mbi ndërtesën e re, të inauguruar me bujë në prill 2023.
Por marrja flakë e urgjencës dhe dalja në pah e mungesave të pajisjeve veçse hapi edhe një herë çështjen e mungesës së barnave, sidomos në fushën më të ndjeshme dhe më të kushtueshme- atë të kimioterapisë.
Vetë qytetarët kanë rrëfyer për “Vetting” kalvarin e vuajtjeve.
“Më ka lënë vëllai. Ka bërë dy-tre seanca (Kimioterapi). Ai vinte nga fshatrat e thella të Korçës. Vinte i sëmurë, do rrinte dy javë në spital. Atë periudhë unë e kam ndjerë veten shumë keq, se mungesë ilaçesh dhe kushtesh. Vija dhe kërkoja ilaçet, do vinë ilaçet sot, do vinë ilaçet nesër…”, shprehet Drita Hoxhallari, e cila përlotet ende teksa kujton humbjen e vëllait shkak se ilaçi që u duhej nuk u sigurua dot nga spitali.
Por Drita Hoxhallari është vetëm një nga ato qindra qytetarë që është përballur me përditshmërinë e mungesave te Onkologjiku, mungesa të cilat duhet t’i sigurojnë më pas në treg të zi me çmime të kripura.
Përveç barnave, mungesa tjetër është ajo e disa aparateve për trajtimin e disa lloje tumoresh. Mosfunksionimi prej muajsh apo vitesh e disa aparateve shton një tjetër alarm të ngritur nga pacientët, të cilët çdo ditë do duhet të mendojnë se ku do duhet të gjejnë paratë për të përballuar sëmundjen që i gllabëron jo vetëm ditët por edhe çdo kursim.
Vetë mjekët pranojnë se, mungesa e barnave të kimioterapisë është një problem i rëndë, që ka pasoja fatale, duke shkuar në kufijtë e krimit, për shkak të pasojave fatale.
“Në rastin kur kimioterapia nuk jepet për shkakun se preparati nuk gjendet, mungon preparati i nevojshëm për të trajtuar atë formë kanceri, unë këtë e klasifikoj tek rrethanat dhe situatat kriminale sepse jeta e pacientit vendoset në rrezik serioz”, shprehet eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho.
Situata bëhet akoma më e rëndë për shumë nga pacientët me tumore, pasi disa nga barnat kushtojnë 300-500 euro, duke i vendosur ata drejtpërdrejt në rrezik për jetën.
“Kjo në njëfarë mënyre është vrasje e ngadaltë e qytetarëve, nga mungesa e shërbimit, nga mungesa e financimit, nga mungesa e trajtimit njerëzor të tyre”, shprehet Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i Qendrës Qytetare.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co