Ahmad Alamolhoda, një klerik me ndikim dhe përfaqësues i liderit suprem të Iranit në provincën verilindore, Korasan Razavi, i ka quajtur “të parëndësishëm” qytetarët që nuk votuan në zgjedhjet e këtij muaji në Iran, edhe pse ata e përbëjnë gati 60 për qind të elektoratit.
Alamolhoda, i cili shërben si përfaqësues i liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, në qytetin Mashhad, një qendër e rëndësishme shiite, u citua nga agjencia shtetërore e lajmeve Tasim, duke i kritikuar 59 për qind të votuesve të cilët nuk e hodhën votën e tyre në zgjedhje e 1 marsit.
Ai i akuzoi ata se nuk i përfillën “urdhrat dhe komandën” e Khameneit.
Liderët e lartë u kishin bërë lutje qytetarëve iranianë të dilnin masivisht për të votuar, pasi teokracia e Iranit është duke tentuar ta kthejë legjimitetin pas shtypjes së protestave dhe zërave kritikë në vitin 2022, dhe në një kohë krize të madhe ekonomike.
Megjithatë, mungesa e interesimit në zgjedhje, së bashku me pakënaqësitë e përgjithshme me kushtet e standardit të jetesës dhe luftës ndaj të drejtave të njeriut në Iran, janë rritur në vitet e fundit.
Në anën tjetër, shumë figura të rëndësishme, përfshirë fituesen e çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, kanë bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve duke i quajtur ato sipërfaqësore dhe me rezultat të përcaktuar paraprakisht.
“Në islam, shumica nuk është në thelb e pranueshme”, tha Alamolhoda, duke shtuar se “shumica e parapëlqyer” është ajo e cila është “e devotshme dhe e përkushtuar, e kundërta e asaj që është kryengritëse dhe kundërshtuese”.
Zgjedhjet për Parlamentin e ri, dhe Asamblenë e re të Ekspertëve, e cila emëron liderin suprem të Iranit, janë të parat prej protestave mbarëkombëtare të vitit 2022, të cilat kanë shpërthyer pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgim policor, ku po mbahej për gjoja vendosjen e mbulesës së kokës në mënyrë të papërshtatshme.
Udhëheqësit e Iranit kanë pasur nevojë për dalje të madhe në zgjedhje për të rikthyer legjitimitetin pas protestave, mirëpo shumë iranianë kanë thënë se zgjedhjet janë “pa asnjë kuptim”.
Mostafa Tajzadeh, një aktivist i rëndësishëm politik që po mbahet në burgun Evin të Teheranit, i përshkroi zgjedhjet si “dështim historik” për liderët e vendit.
Analistët dhe aktivistët thanë se zgjedhjet ishin “manipuluar”, sepse vetëm kandidatët e kontrolluar dhe aprovuar nga Këshilli i Gardës u lejuan të garonin.
Këshilli përbëhet nga gjashtë klerikë dhe gjashtë juristë, të cilët emërohen drejtpërdrejt dhe indirekt nga Khamenei.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Brendshme e Iranit, dalja në zgjedhje ishte mbi 50 për qind në vetëm tetë nga 31 provincat e vendit.
Në kryeqytetin iranian Teheran, vetëm 26 për qind të qytetarëve me të drejtë vote votuan në këto zgjedhje, sipas statistikave të Ministrisë.
U raportua edhe për një numër të madh të votave të pavlefshme në Teheran dhe në qytetet e tjera të mëdha.
Në shenjë pakënaqësie ndaj status qos, shumë iranianë i prishën qëllimshëm fletëvotimet e tyre si formë proteste kundër Qeverisë./ REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co