Irani i bën thirrje Trumpit të ndryshojë “politikat e presionit” kundër tij: Presidenti i zgjedhur duhet të tregojë se nuk do të ndjekë më hapat e të kaluarës

irani i ben thirrje trumpit te ndryshoje politikat e presionit kunder tij presidenti i zgjedhur duhet te tregoje se nuk do te ndjeke me hapat e te kaluares








































Irani i ka bërë thirrje Donald Trump, fituesit të zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA, të ndryshojë politikën e presionit që ka ndjekur gjatë mandatit të tij të parë kundër Republikës Islamike.

donald trump

“Zoti Trump duhet të tregojë se nuk do të ndjekë më politikat e gabuara të së kaluarës,” tha për gazetarët zëvendëspresidenti iranian për çështjet strategjike, Mohammad Javad Zarif.

Zarif, ish-ministër i Jashtëm, ishte arkitekti nga ana iraniane, i marrëveshjes bërthamore, e cila u nënshkrua në vitin 2015 mes Teheranit dhe komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Por, kjo marrëveshje u sabotua tre vjet më vonë, kur Presidenti i atëhershëm Donald Trump tërhoqi vendin e tij prej saj dhe vendosi sanksione të reja të rënda si pjesë e politikës “presion maksimal” kundër Iranit.

“Si një njeri i llogaritjeve, ai duhet të shqyrtojë përfitimet dhe mangësitë e kësaj politike dhe të vendosë nëse dëshiron ta vazhdojë apo ta ndryshojë këtë politikë të dëmshme,” tha Zarif, duke iu referuar karrierës së Trump, si një biznesmen.

Mandati i parë i Donald Trump u shënua gjithashtu nga vendimi i tij në janar të vitit 2020 për të vrarë në Irak gjeneralin e fuqishëm iranian Qasem Soleimani, arkitektin e strategjisë së ndikimit rajonal të Iranit.

Teherani, përmes përfaqësuesit të tij diplomatik Ismail Baghaei, shprehu shpresën se rikthimi i mundshëm i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë do të mundësojë rishikimin e qasjes së gabuar të së kaluarës, megjithatë, nuk u përmend emri i Trumpit.

Lideri i lartë i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i cili ka fjalën e fundit për të gjitha vendimet strategjike, nuk përmendi zgjedhjet presidenciale amerikane në një fjalim të tij të enjten.

Trump siguroi të martën se nuk ka ndërmend të dëmtojë Iranin, por përkundrazi, ai dëshiron që iranianët të kenë një vend shumë të begatë.

Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale shënon një moment të ndjeshëm për Iranin, i cili është i përfshirë në luftën në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit palestinez, si dhe në përhapjen e konfliktit në Liban ndaj Hezbollahut.

Këto dy grupe mbështeten financiarisht dhe ushtarakisht nga Teherani në luftën e tyre kundër shtetit të Izraelit, të cilin Irani nuk e njeh.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →