Irani i frikësohet humbjes së ndikimit në Kaukaz

irani i frikesohet humbjes se ndikimit ne kaukaz
irani i frikesohet humbjes se ndikimit ne kaukaz

Një Azerbajxhan secilën herë e më i fortë, i mbështetur prej Turqisë, e ka ndryshuar balancin e pushtetit vjetëve të fundit në Kaukazin Jugor. Bakuja e ka marrë vitin e kaluar kontrollin e plotë mbi Nagorno-Karabak, rajonin e shkëputur për tri dekada, i cili ka qenë nën kontrollin e armenëve etnikë. Ndërkohë, një Armeni e dobësuar është distancuar prej aleates tradicionale, Rusisë, dhe i është afruar Perëndimit.

Ndryshimet gjeopolitike në rajon i kanë rritur shqetësimet brenda Iranit, i cili gjendet në kufi me Armeninë dhe Azerbajxhanin. Teherani frikësohet që mund të humbë ndikimin në rajonin që është dominuar për kohë të gjatë prej Moskës, aleates së tij. Republika Islamike e kundërshton ashpër korridorin e propozuar Zangezur, i cili do të mund të lidhte Azerbajxhanin me enklavën Nakçivan përmes territorit armen, dhe të hapte një rrugë tregtare me rivalen e Teheranit, Turqinë, e përtej saj.

Irani është, po ashtu, i shqetësuar që Bakuja mund të zaptojë me forcë më shumë territor në jug të Armenisë, për të krijuar vazhdimësi territoriale me Nakçivanin, çka do të mund të bllokonte qasjen e Teheranit me Jerevanin që e ka aleat. Irani është kundër edhe normalizimit të marrëdhënieve mes Armenisë dhe Turqisë, skenar që mund të zvogëlonte varësinë e Jerevanit ndaj Teheranit dhe do të hapte rrugën për ndikim më të madh perëndimor në atë rajon. “Këto dinamika në rajon dhe rënia e ndikimit rus përbëjnë sfida potenciale për synimet gjeopolitike të Iranit për rajonin, në periudhë afatgjatë”, ka thënë Hamidreza Azizi, hulumtues në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe ato të Sigurisë.

Diplomatët e lartë të Armenisë dhe Turqisë janë takuar më 1 mars në qytetin bregdetar turk, Antalia dhe kanë përsëritur synimet e vendeve të tyre për t’i normalizuar tërësisht marrëdhëniet. Takimi është parë me doza frike prej disa ekspertëve brenda Iranit, të cilët kanë sugjeruar që një vendim i tillë do ta linte anash Teheranin. “Nëse përpjekjet e Ankarasë për t’i normalizuar marrëdhëniet me Jerevanin janë të suksesshme, që çojnë në krijim të korridorit Zangezur, diçka e tillë do ta margjinalizojë Iranin në aspektin gjeopolitik”, ka thënë Azizi.

Sipas tij, korridori i propozuar prej 45-kilometrave, jo vetëm që do të rriste ndikimin turk dhe atë azerbajxhanas, duke krijuar lidhje direkte në mes të të dyja vendeve, por edhe do ta tejkalonte Iranin, duke ia humbur namin e qendrës transitore rajonale. Eldar Mamedov, ekspert i Kaukazit Jugor, me bazë në Bruksel, ka thënë se korridori do ta linte Iranin “jashtëzakonisht të varur prej qëllimeve të mira të Ankarasë dhe Bakusë, kur është fjala për sigurimin e kufijve veriorë, dhe për bartje të mallrave [në Rusi]”. Marrëdhëniet secilën herë e më të mira të Azerbajxhanit me armikun e Iranit, Izraelin, i kanë rritur edhe më shumë tensionet në Teheran. Irani ka frikë edhe që rritja e ndikimit të Bakusë në rajon mund të nxisë “tendenca irredentiste” në mesin e popullsisë etnike azerbajxhanase në Iran, të cilët ndahen prej Azberbajxhanit nga Lumi Aras, ka thënë Mamedov.

Për t’i normalizuar marrëdhëniet Armenia dhe Turqia, Jerevani dhe Bakuja duhet fillimisht të nënshkruajnë një marrëveshje të paqes, sipas Benyamin Poghosyanit, hulumtues i lartë në Institutin për Politika të Aplikuara të Armenisë. Poghosyan ka thënë se Azerbajxhani do ta nënshkruante marrëveshjen nëse Armenia do t’i plotësonte të gjitha kërkesat e Bakusë, përfshirë krijimin e korridorit Zengezur. “Por, nuk besoj që Armenia do të pajtohet për t’i dhënë Azerbajxhanit korridor ekstraterritorial”, ka thënë ai. Poghosyan ka thënë se Azerbajxhani ka pak mundësi të zaptojë me forcë territor armen që ta krijojë korridorin, duke marrë parasysh prezencën e një “fuqie të madhe” sikurse Irani.

Në shkurt, Armenia e ka pezulluar anëtarësimin në Organizatën e Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO). Qeveria e kryeministrit armen, Nikol Pashinian, e ka kritikuar për kohë të gjatë organizatën për “dështim në të përgjigjurit ndaj sfidave të sigurisë”, me të cilat përballet Armenia. Më 2020, Bakuja i ka rimarrë disa pjesë të Nagorno-Karabakut, rajonit me popullsi etnike armene brenda Azerbajxhanit, pas një lufte gjashtëjavore që ka përfunduar me ndërmjetësimin e Rusisë. Në shtator të vitit 2023, Azerbajxhani e ka marrë pjesën tjetër të territorit, pas një ofensive që ka rezultuar me kapitullimin e plotë të Qeverisë de facto të Karabakut.

Autoritetet armene i kanë akuzuar paqeruajtësit rusë në Nagorno-Karabakut pse kanë dështuar që të ndalin ofensivën e Azerbajxhanit, vitin e kaluar. Moska nuk është pajtuar me këto qëndrime. Më 6 mars, Armenia ka thënë se i ka kërkuar Moskës që të largohen trupat kufitare ruse prej aeroportit ndërkombëtar në Jerevan, një tjetër shenjë për përkeqësim të marrëdhënieve. Këto veprime i kanë rritur shqetësimet në Iran që Armenia do të mund të drejtohet kah Perëndimi, kur është fjala për sigurinë.

Më 6 mars, ministri i Mbrojtjes i Iranit, Amir Ashtiani, i ka thënë homologut të tij armen në Teheran që “kërkimi i sigurisë jashtë rajonit do të ketë ndikim të kundërt”. “Ne besojmë që arkitektura e sigurisë së rajonit duhet të dizajnohet në rajon, prandaj qasjet e shteteve të rajonit kundër kësaj politike nuk do të jenë të pranueshme assesi”, i ka thënë Ashtiani, Suren Papikyan. Poghosyan ka thënë se Armenia synon të “diversifikojë politikën e jashtme dhe atë të sigurisë”, mirëpo është shumë herët për të treguar nëse dëshiron të rreshtohet krejtësisht me Perëndimin, ose vetëm dëshiron t’i forcojë marrëdhëniet me fuqitë perëndimore, pa e braktisur Rusinë. Ai ka thënë se Irani ia ka bërë të qartë Armenisë se “nuk do t’i tolerojë ndryshimet gjeopolitike në Kaukazin Jugor, që nënkupton jo vetëm ndryshimet kufitare, por edhe ndryshimet në balancin e fuqisë në rajon”.

Me gjithë dallimet e tyre, interesat iraniane dhe ato perëndimore shkrihen në një kur është fjala për sovranitetin e Armenisë. Siç ka thënë edhe Mamedov, kundërshtimet e Iranit për prezencën perëndimore “mund të mos jenë aq të ashpra sa shpërfaqen në retorikën publike”. Megjithatë, është e paqartë nëse këto zhvillime do të rezultojnë me ndonjë bashkëpunim. “Qasja e politikës së jashtme iraniane thellësisht kundër Perëndimit, dhe dëshira e Teheranit që të mos e shqetësojë Moskën në Kaukazin Jugor, e bën një bashkëpunim të tillë thuajse të pamundshëm”, ka thënë Azizi.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →