Gjykata e Qytetit të Minskut e ka dënuar të premten ish-korrespondentin e Radios Evropa e Lirë (REL), Ihar Karney, me tri vjet burgim për pjesëmarrje në një “grup ekstremist”. Mediat shtetërore bjelloruse thanë se Karney u dënuan për shkak të kishte bashkëpunuar me Shoqatën e Gazetarëve të Bjellorusisë, e cila u mbyll në gusht 2022 dhe u shpall “ekstremiste” në shkurt 2023.
Mediat e pavarura në Bjellorusi kanë qenë viktimë e një lufte ndaj shoqërisë civile, e cila nisi pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale më 2020, të cilat ia dhuruan liderit autoritar Alyaksandr Lukashenka mandatin e gjashtë. Më shumë se 20 laureatë të çmimit Nobel nënshkruan një letër më 20 mars duke bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të burgosurve politikë në Bjellorusi, pasi autoritetet bjelloruse nisin veprime të reja kundër atyre që dyshohen për aktivitete “ekstremiste”.
Në mesin e të burgosurve në Bjellorusi është edhe gazetari i REL-it, Ihar Losik, i cili po e vuan një dënim me 15 vjet burgim për akuzat të cilat ai, REL-i dhe qeveritë e huaja i kanë quajtur të motivuara politikisht. Autoritetet bjelloruse thanë të mërkurën se kanë kryer dhjetëra aksione kundër atyre që dyshonin se ishin “ekstremistë”.
Komiteti Hetimor i Bjellorusisë, agjencia kryesore e hetimit penal në vend, tha se agjentët e saj kishin kontrolluar apartamente dhe zyra që u përkisnin atyre që dyshoheshin për përfshirje në përpjekjet e opozitës për të krijuar “ambasada të njerëzve” jashtë vendit.
Opozita bjelloruse ka njoftuar krijimin e “ambasadave popullore” për të përfaqësuar interesat e saj dhe për të kundërshtuar propagandën shtetërore bjelloruse në 24 vende, duke përfshirë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Britani të Madhe, Kanada, Australi dhe Brazil.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co