Analisti Dritan Hila, në studion e emisionit Open në News24, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi ankimimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për masat e caktuara ndaj tij “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit”.
Hila tha se lirimi ose jo i Berishës nuk prish ndonjë punë kryeministrit Edi Rama, përsa i përket rezultatiti zgjedhor.
Ndër të tjera ai akuzoi Berishën duke e cilësuar si bullizuesin më të madh të drejtësisë.
“Nuk kam aftësinë të komentoj vendimet e GJK dhe as ta interpretoj. Mund ta gjykoj nga pikëpamja politike. Ramës nuk i prish punë Berisha as jashtë dhe as brenda. Nuk i bën ndonjë diferencë në rezultatin zgjedhor. Ca do bëjë Berisha jashtë? Do thotë munda SPAK dhe tani do mund dhe Ramën. Nuk funksionon kështu. Mendoj se ky vendim nuk i jep pikë plus Berishës nga pikëpamja politike, është betejë juridike e tij. Berisha është bullizuesi më i madh i drejtësisë. Nga mëngjesi deri në darkë e shan drejtësinë nga prokurori më i thjeshtë te gjyqtari më i thjeshtë. Të godasësh këto institucione veçse humbet pikë. Vendimi i Kushtetueses është vetëm juridik”, tha Hila.