Nënkryetar i PD-së, Luçiano Boçi tha se 2024 ishte viti i Partisë Demokratike, duke vënë theksin te marrja e vulës dhe lirimi nga masa e arrestit për kreun demokrat Sali Berisha.
Boçi mohoi zërat duke thënë se nuk ka pasur asnjë pakt me Edi Ramën për të marrë vulën e PD-së.
“Kush e ka pranuar këtë skenarin që paska pasur pakt me Edi Ramën për vulën? Në marrjen e vulës ka pasur një njeri që besonte deri në fund, që ishte Sali Berisha”, tha Boçi në emisionin “Open” në News24.
Ai u shpreh se “kemi të pamundurat që u bënë të mundur dhe e pamundura e 3-të është se opozita mund të fitojë zgjedhjet”.
Boçi tha se partitë e djathta nuk kanë atë forcën e strukturave apo numrin e anëtarëve sikundër është te partitë e majta, por te e djathta është fryma. “E pamundura do të bëhet e mundur, fryma është në rritje”, tha Boçi.
“Në 2025 do të bëhet e mundur ajo që konsiderohet e pamundur, fitorja e zgjedhjeve”, tha Boçi.