Shkrimtari i madh Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta disa muaj më parë, do të festonte sot 89-vjetorin e lindjes.
Shumë e kanë kujtuar sot kolosin e letrave shqipe, por me një dedikim dhe foto të veçantë e ka kujtuar vajza e tij, Besiana Kadare.
“89 vjeç. Sot eshte here e pare qe babi ka ditelindjen por nuk eshte më i kesaj bote…”, shkruan ajo.
Kujtojmë se letërsia e Kadaresë ka dhënë një kontribut të çmuar në krijimin e gjuhës dhe letërsisë kombëtare.
Ai ishte shkrimtari i vetëm shqiptar me njohje ndërkombëtare të gjerësishme dhe është përkthyer në 45 gjuhë.
Ismail Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në Letërsi dhe ka dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga Presidenti i Francës, Macron, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.
Kolosi i letrave shqipe lindi në Gjirokastër më 28 janar 1936. Ai ka qenë akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Si shkrimtar shquhej kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihej edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Ai nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.