Bota

Italia e ‘detyruar’ të respektojë rregullat e BE-së nga fillimi i vitit 2025 për koncesionet e plazheve

italia e detyruar te respektoje rregullat e be se nga fillimi i vitit 2025 per koncesionet e plazheve
italia e detyruar te respektoje rregullat e be se nga fillimi i vitit 2025 per koncesionet e plazheve

Për vite me radhë Italia u rezistoi rregullave të Bashkimit Europian për t’u dhënë me koncesione plazhet e vendit me tendera të hapur. Por pas një shtyrjeje të fundit të miratuar nga qeveria e Giorgia Melonit deri në fund të vitit, Romës tani i kanë mbaruar alternativat dhe do të detyrohet të respektojë rregullat e BE-së nga fillimi i vitit 2025.

Për gati dy dekada Italia ka qenë në një betejë ligjore me Komisionin Evropian për praktikat e saj për dhënien me koncesione të plazheve, ndërsa Brukseli e ka akuzuar për mungesë transparence dhe shkelje të rregullave të konkurrencës.

Qeveritë italiane, nga e majta në të djathtë, u kanë rezistuar me vendosmëri udhëzimeve të BE-së që kërkojnë tendera të hapur, duke rinovuar vazhdimisht koncesionet ekzistuese të plazheve.

Pas shtyrjes së fundit, të miratuar nga qeveria aktuale e Giorgia Melonit deri në fund të vitit, Romës tani i kanë mbaruar alternativat dhe do të detyrohet të respektojë rregullat e BE-së nga fillimi i vitit 2025.

Koncesionet për përdorimin e zonës së plazhit janë trashëguar nga një brez në tjetrin për dekada të tëra, duke krijuar atë që kritikët e konsiderojnë si një lloj monopoli dhe një simbol të rezistencës së Italisë ndaj reformave ekonomike.

“Komuniteti evropian ka paralajmëruar rregullat e reja që nga viti 2009. Deri në vitin 2024 kanë kaluar shumë vite. Si zakonisht, në Itali, politika e shtyrjes preferohet më shumë se politika e zgjidhjes së problemeve. Prandaj problemi tani është i madh dhe zgjidhja e tij do të jetë e ndërlikuar”, thotë Alessandro De Cataldo, pushues në resortin ‘Il Venezia’ në Ostia.

Kostot për pushuesit variojnë përgjatë brigjeve italiane: 25 Euro, për dy ndenjëse plazhi dhe një çadër, që është çmimi mesatar, ose deri në disa qindra euro në zonat më të njohura dhe të pasura si në Capri.

Ata që kanë fituar këto koncesione thonë se kanë bërë investime të mëdha dhe nëse rregullat do të ndryshojnë kërkojnë dëmshpërblim.

“Unë i takoj gjeneratës së tretë që menaxhojmë këtë objekt këtu në zonën e plazhit, prej mbi 60 vitesh. Kjo ka qenë gjithmonë një burim krenarie për ne dhe ne të rinjtë kujdesemi të respektojmë ato që kanë qenë traditat tona dhe mësimet e gjyshërve dhe prindërve tanë”, thotë Susanna Barbadoro, Drejtuese e resortit ‘Il Venezia’ në Ostia.

Megjithatë, ekonomistët thonë se pronarët që kanë fituar këto koncesione për përdorimin e plazheve kanë shfrytëzuar prej kohësh pozicionin e tyre të privilegjuar, duke i kthyer shtetit italian vetëm një pjesë të vogël të të ardhurave të tyre ndër vite.

Sipas Gjykatës Italiane të Audituesve, nga viti 2016 deri në vitin 2020, administrata publike italiane ka marrë çdo vit rreth 97 milionë euro nga 12,166 koncesionet për përdorimin e plazheve të vendit.

Kjo do të thotë se, me një të ardhur mesatare vjetore të vlerësuar në 260 mijë euro, këto biznese kanë paguar vetëm rreth 7,600 euro në vit për koncesionet e tyre.

Analisti Pietro Paganini thotë se qeveritë italiane të të gjitha orientimeve politike, i kanë mbrojtur prej vitesh pronarët e koncesioneve, pasi ata përfaqësojnë një grup të çmuar votash.

“Mendoj se qeveria aktuale ka nevojë dhe do të gjejë një kompromis që e bën Bashkimin Europian të lumtur dhe nga ana tjetër zgjat kohën e mjaftueshme për koncesionet aktuale. Nuk ka rëndësi për sa vite, por me pas topin e kalon në fushën e qeverisë së ardhshme”, thotë ekonomisti Pietro Paganini.

Vitin e kaluar, qeveria Meloni paraqiti një raport hartografik në Bruksel në një përpjekje përfundimtare për të justifikuar dështimin e saj për të respektuar të ashtuquajturën direktiva “Bolkestein”, miratuar në vitin 2006 për të siguruar më shumë konkurrencë në disa sektorë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts