Iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, ndërron jetë gazetari Zamir Dule

iu nenshtrua nderhyrjes kirurgjikale nderron jete gazetari zamir dule
iu nenshtrua nderhyrjes kirurgjikale nderron jete gazetari zamir dule

Është ndarë nga jeta ditën e djeshme në moshën 55-vjeçare gazetari i kronikës së zezë Zamir Dule. Ai pritet të përcillet sot në banesën e fundit.

Gazetari Dule ka ndërruar jetë në një spital privat në Tiranë. Dule do të prehet në vendlindje, në fshatin Miras në Korçë, ndërsa lajmi i hidhur është ndarë nga familjarët e të ndjerit.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë bëri thirrje për ndihmë për gazetarin Zamir Dule. Ky i fundit ishte shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi vuante nga problemet e zemrës.

Kujtojmë se Dule ishte gazetar gjatë vitit 1997, kur u masakrua nga pushteti i kohës dhe prej asaj kohe nuk paraqitej në gjendje të mirë shëndetësore. Që atëherë, gazetari i njohur i kronikës së zezë u shndërua në invalid të shëndetit mendor dhe ka jetuar në fshatin e tij në kushte të mjera ekonomike.

Jeta e gazetarit Zamir Dule është një dramë më vete dhe do të duhej një roman voluminoz për ta përshkruar. Ai në shkollë të mesme shfaqi talentin petil, të cilin më pas e “konvertoi’ në gazetari.

Pas shkrimeve të para në gazetën “Zëri i Rinisë’ me prirje të veçanta në zhanret e kronikës, filloi korrespondent i gazetës ‘Koha Jonë’ për Qarkun e Korçës.

Në vitin 1994, duke i vlerësuar aftësitë dhe përkushtimin, botuesi Nikollë Lesi e afroi në Tiranë ku mbuloi po sektorin e kronikës për policinë, prokurorinë dhe gjykatën.

Në kulmin e tij, deri afërsisht në vitin 1996, atëherë kur shkroi edhe librin ‘Përbindëshi i Tropojës’” Zamir Dule u bë simbol i gazetarit të kronikës së zezë. Aq sa Karlo Bolino, asokohe botues i ‘Gazeta Shqiptare’ të cilit Zamiri i ishte vetëofruar për punësim më herët, sa herë që ky i fundit publikonte lajmet e tij sensacionale, e bënte Karlon të lëshonte me keqardhje shprehjen’ Ah Z Dule! Z. Dule!

Aq sakrifikonte për profesionin e tij, sa në një moment të karrierës, me synim që të zotëronte lajmet më të bujshme dhe në kohë të shpejtë nga Tirana dhe i gjithë vendi, bëri një ‘pakt me djallin’.

Zamiri u tërhoq shpejt nga ky hap i gabuar, pasi sipas rrëfimit të tij, SHIK-ut po i servirte ca lajme të dorës së dytë e pa interes, dhe për më tepër, vetë gazetari sipas rrëfimit të tij, u bë pishman për këtë komunikim..

Si reagim pati vetëvendimin:’Më mirë një fund i tmerrshëm apo një tmerr pa fund?’. Që nënkuptonte haraçin që do t’i duhej të paguante…

Këtu filloi kalvari i vuajtjeve të Zamir Dules, i cili nën presionin e përndjekjeve nisi të shfaqte probleme psikologjike. Për të cilat kishte ndikuar nga ana tjetër edhe vrasja e një prej vëllezërve të tij. Kulmin këto tortuara, e arritën natën e kobshme të djegies së redaksisë të gazetës “Koha Jonë’ në fillim marsin e vitit 1997.

Asokohe, disa prej gazetarëve, një pjesë e stafit dhe truprojat e botuesit Nikollë Lesi strehoheshin për fjetje në katin e nëndheshëm të redaksisë. Natën kur u sulmua godina e redaksisë, Zamir Dule  ishte i vetmi që ndodhej në redaksi pas mesmate së bashku me një punonjës tjetër të gazetës pasi ishte fundjavë dhe të gjithë që strehoheshin në dhomat e poshtëme ishin larguar me leje.

Zamir Dule u shoqërua në polici ku u torturua, tortura këto që u vunë kapak përndjekjeve të tmerrshme ndaj tij. Ai nuk e mori më veten profesionalisht, por edhe nga shëndeti mendor dhe hija e përndjekjes që nuk i ndahej.

Qeveria e kryeministrit të kohës Fatos Nano i akordoi gazetarit Zamir Dule pension special, në shenjë vlerësimi për punën në kushte të përndjekjes dhe sidomos për torturimin e tij nga struktura policore.

Kohë pas kohe, Zamir Dule është bërë objekt diskutimesh, madje edhe në rangjet politike, si gazetari simbol i një regjimi hakmarrës ndaj gazetarëve. Gjithashtu, është tentuar të kontaktohet nga kolegë të tij për ta intervistuar, por Zamiri i tërhequr në vetminë e tij dhe botës së librave i ka refuzuar. Pas vdekjes njëri pas tjetrit të prindërve,  për Zamirin që nuk vendosi dot martesë, kujdeset vëllai i tij.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →