Izraeli kërkon të ndalë aktivitetet e agjencisë së OKB-së në Gaza: Pjesëtarë të stafit u përfshinë në sulmet e Hamasit

izraeli kerkon te ndale aktivitetet e agjencise se okb se ne gaza pjesetare te stafit u perfshine ne sulmet e hamasit
izraeli kerkon te ndale aktivitetet e agjencise se okb se ne gaza pjesetare te stafit u perfshine ne sulmet e hamasit

Izraeli do të tentojë të ndalë operimin në Gazë të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA).

Kështu tha më 27 janar një ministër izraelit, pasi Izraeli tha se disa pjesëtarë të stafit të UNRWA-së ishin përfshirë në sulmet e 7 tetorit të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në jug të Izraelit, sulme që nxitën luftën në Rripin e Gazës.

Izraeli po synon që të sigurohet që “UNRWA të mos ketë më aktivitete”, tha ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

Ai shtoi se Izraeli do të tentojë të marrë mbështetjen nga SHBA-ja, BE-ja dhe donatorë të tjerë të kësaj agjencie.
Grupi radikal Hamas ka reaguar pas këtij njoftimi, që e ka cilësuar si “kërcënim” ndaj UNRWA, duke i bërë thirrje OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që “të mos dorëzohen para kërcënimeve dhe shantazheve”.

Një ditë më herët, UNRWA tha se ka larguar nga puna disa punëtorë që akuzohen nga Izraeli se janë përfshirë në sulmet e 7 tetorit të Hamasit, duke nxitur SHBA-në që të pezullojë fonde thelbësore.

Kreu i agjencisë, Philippe Lazzarini, është zotur se do të mbajë përgjegjës çdo punonjës, nëse vërtetohet se ata kanë qenë pjesë e aktit të terrorit.

Pas largimit të punëtorëve, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u zotua se do të bëhet një rishikim i pavarur i agjencisë. Sipas tij, 12 punëtorë janë shkarkuar.

Australia dhe Kanadaja po ashtu kanë pezulluar fondet për agjencinë.

Sulmet e 7 tetorit në jug të Izraelit, kur u vranë 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë, nxitën luftën në Rripin e Gazës.

Izraeli është zotuar se do të shtypë Hamasin dhe është kundërpërgjigjur me një fushatë ajrore dhe tokësore në Gazë. Sipas Ministrisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, nga sulmet izraelite janë vrarë mbi 26.000 palestinezë. Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →