Ushtria izraelite urdhëroi civilët që të evakuohen përkohësisht nga një pjesë e zonës humanitare në Gazën jugore, përpara, siç tha, një “operacioni të dhunshëm” kundër grupeve të armatosura palestineze. Ushtria tha se ka pasur “aktivitete të shumta terroriste dhe gjuajtje me raketa” nga lagjet lindore të qytetit Kan Jonis, dhe u kërkoi banorëve të shkonin në zonën humanitare al-Mavasi.
Palestinezët raportuan se njoftimi u pasua me sulme intensive ajrore nga Izraeli në dhe rreth Kan Jonisit. Ministria e Shëndetësisë e Gazës – e cila udhëhiqet nga Hamasi, grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – tha se të paktën 14 persona, përfshirë gjashtë fëmijë dhe katër gra, u vranë. Ajo, gjithashtu, u bëri thirrje banorëve që të dhurojnë gjak në spitalin Naser, në perëndim të Kan Jonisit, për të ndihmuar në trajtimin e numrit të lartë të pacientëve. Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi i pari Izraelin në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.
Në përgjigje, Izraeli është duke kryer sulme intensive në Gazë – enklavë e populluar me palestinezë, që kontrollohet nga Hamasi. Sipas autoriteteve në Gazë, mbi 39.000 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i luftës. Në dy javët e fundit, Izraeli ka kryer disa sulme vdekjeprurëse në zonat humanitare, për të cilat ka thënë se kanë pasur në shënjestër luftëtarët palestinezë që veprojnë atje.
Më 13 korrik, Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se më shumë se 90 njerëz janë vrarë në një sulm izraelit në zonën humanitare al-Mavasi.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co